Kërko

Kardinali Pietro Parolin Kardinali Pietro Parolin 

Kard. Parolin në Ditën e kujtimit të kard. Pironio

U mbajt sot në Romë, në Pallatin e Shën Kalistit, një “Ditë përkujtimore për Shërbëtorin e Zotit, Eduardo Francisco Pironio”, në 20-vjetorin e vdekjes së prelatit argjentinas.

R.SH. - Vatikan

“Nuk mund të shpjegohet jeta dhe detyrat e shumta, që iu besuan – foli, me këtë rast, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin – pa marrë parasysh dashurinë e tij pa kushte për Krishtin. Ishte kaq i lidhur me Të sa, edhe në çastet e vështira, nuk e humbiste kurrë qetësinë e brendshme, që i jepte shpresën. I sprovuar nga sëmundja e gjatë dhe e dhimbshme, diti ta lëvdojë Zotin edhe në ato rrethana, i vetëdijshëm se Kryqi është burim jete e jo vdekjeje”.

Kush ishte kardinali Pironio

         Fëmija i 22-të i Giuseppe dhe Enrica Buttazzoni, emigrantë friulanë nga një fraksion i Udines në Itali, Eduardo Francisco u lind më 3 dhjetor 1920 në Nuoeve de Julio, në Argjentinë. U shugurua meshtar më 1943. Më 1964 u shugurua ipeshkëv titullar i Ҫeçirit dhe ndihmës në La Plata, ndërsa në vitin 1972, ipeshkëv i Mar del Plata. Nga viti 1968 deri në vitin 1975, kreu fillimisht detyrën e sekretarit të përgjithshëm e pastaj, atë të kryetarit të Këshillit Ipeshkvnor Latinoamerikan (Celam).

         Më 1974 u ftua nga Papa Pali VI për të predikuar ushtrimet shpirtërore në Kurien Romake. Po ky papë i dha edhe detyrën e prefektit të Kongregatës për Rregulltarët dhe Institutet Shekullare. U krijua kardinal më 1976. Në vitin 1984, Papa Gjon Pali II e emëroi në krye të Këshillit Papnor për Laikët, ku pati rol të rëndësishëm në ideimin dhe organizimin e Ditëve Botërore të Rinisë.

Testamenti i Shërbëtorit të Zotit

         Në testamentin e vet shpirtëror, kardinali Pironio, ndër të tjera, shkruan: “Falenderoj Zotin për detyrën time si ipeshkëv. Sa i mirë ka qenë Zoti me mua! Kam dashur të jem baba, vëlla e mik i meshtarëve, i rregulltarëve dhe i rregulltareve, si edhe i gjithë popullit të Zotit. Kam dashur të jem, thjesht, prani e ‘Krishtit, shpresë e lavdi’. Kam dashur të jem kështu gjithnjë, në shërbimet e ndryshme, që Hyu më ka kërkuar si ipeshkëv”.

         Prej kohe i sëmurë me një tumor në kocka, kardinali Pironio vdiq në Vatikan, më 5 shkurt 1998. U varros në shenjtëroren e Zojës së Lujanit, në Argjentinë. Më 23 qershor 2006, kardinali Camillo Ruini, vikar i Papës për dioqezën e Romës, hapi fazën dioqezane të procesit të lumnimit.

30 maj 2018, 16:43