Kërko

Debuton në Bienalen e Venedikut, Pavioni i Selisë së Shenjtë

R.SH. - Vatikan

Për herë të parë, Selia e Shenjtë merr pjesë në Bienalen e Arkitekturës në Venedik të Italisë. Në prag të këtij panairi të 16-të ndërkombëtar, Vatikani debuton me një Pavion të zhytur në pyllin e Ishullit të Shën Gjergjit të Madh, brenda Fondacionit “Cini”, ku janë vendosur 10 kapela, projektuar nga arkitektë me prejardhje e fe të ndryshme, frymëzuar nga vepra “Kapela e Pyllit” e Gunnar Asplud, ndërtuar në vitin 1920 në varrezën e Stokholmit.

Shtegtim fetar e laik

         Vizitori ka përpara një sipërfaqe prej më se një hektari, për një shtegtim jo vetëm fetar, por edhe laik e natyror, gjatë të cilit zbulon bukurinë e Krijimit të Zotit, heshtjen e brendshme, vëllazërimin njerëzor në lutje në njërin nga vendet simbol të arkitekturës kishtare, siç është kapela. Gjithashtu, arrin të vendosë marrëdhënie të drejta ndërmjet artit e fesë, në një osmozë të përsosur ndërmjet njeriut e natyrës, siç dëshiron edhe Papa Françesku në enciklikën “Laudato si’”. Duke filluar që nesër e deri më 25 nëntor, në Bienalen me temë “Freespace”(Hapësirë e lirë, por edhe lironi hapësirën), mund të shihet jo vetëm Pavioni i Selisë së Shenjtë, por edhe veprat e tjera të 71 arkitektëve botërorë, shpërndarë në qytetin lagunar italian.

10 kapelat

         Për 10 kapelat e Vatikanit (Vatican Chapels), shpjegon në mikrofonin tonë drejtoresha e seksionit të Artit modern e bashkëkohor të Muzeve të Vatikanit, Micol Forti, janë përdorur materiale të ndryshme, të gjitha të riciklueshme e të çmontueshme, si qeramika, betoni, çeliku, druri. 10 arkitektëve (Andrew Berman, Francesco Cellini, Javier Corvalàn Espínola, Ricardo Flores & Eva Prats, Norman Foster, Terunobu Fujimori, Sean Godsell, Carla Juaçaba, Smiljan Radic Clarke, Eduardo Souto de Moura), u janë dhënë disa rregulla për përmasat, vendosjen, përdorimin e objekteve të caktuara, por sidomos, u është besuar sfida t’i harmonizojnë me pyllin këto hapësira, ku ndjehet shenjtëri. Vendimi i Vatikanit për të hyrë në horizontin e arkitekturës, sqaron edhe kreu i Këshillit Papnor për Kulturën, kard. Gianfranco Ravasi, “është rezultat e një udhe të gjatë. Në fund të viteve ‘800 u vërejt një lloj ‘divorci’ ndërmjet artit e fesë, të cilat kishin ecur së bashku me shekuj. Një ndarje, që kohët e fundit ka prodhuar ndërtesa kishtare modeste, pa përshpirtëri e bukuri”. Synimi i Pavionit, por edhe i Vatikanit në përgjithësi, është të thurë sërish fillin, që favorizon takimin e dialogun ndërmjet botës së artit dhe asaj të fesë.

25 maj 2018, 13:01