Kërko

Papa i nderit Benedikti XVI Papa i nderit Benedikti XVI 

41-vjetori i shugurimit ipeshkvnor të Benediktit XVI

Sot, bie 41-vjetori i shugurimit ipeshkvnor të Papës së nderit Benedikti XVI, i cili aktualisht, jeton në Vatikan, në manastirin e murgeshave të klauzurës.

R.SH. - Vatikan

Si sot, 41 vjet më parë, shugurohej ipeshkëv Joseph Ratzinger, ai që tashmë, është Papa i nderit Benedikti XVI. Më 28 maj 1977, në katedralen e Mynihut, Joseph Ratzinger u bë ipeshkëv në duart e ipeshkvit të Vyrcburgut, Josef Stangl, të ipeshkvit të Regensburgut, Rudolf Graber, si edhe të ipeshkvit ndihmës të Mynihut, Ernst Tewes. Me emërimin e tij, katedra ipeshkvnore i besohej sërish një meshtari të dioqezës së madhe bavareze. Në koncistorin e 27 qershorit të po atij viti, u krijua kardinal nga Papa Pali VI.

Papa i shtatë gjerman në historinë e Kishës

         Teologu i njohur u zgjodh i 265-ti papë i Kishës Katolike dhe qëndroi në krye të saj nga 19 prilli 2005 deri më 28 shkurt 2013. Është papa i shtatë gjerman në historinë e Kishës. Në koncistorin e zakonshëm të 11 shkurtit 2013 njoftoi botën se hiqte dorë nga shërbimi i tij si ipeshkëv i Romës e pasardhës i Shën Pjetrit. E këtu e gjejmë sërish datën 28, pasi ky vendim hyri në fuqi pikërisht në datën 28 të atij muaji, në orën 20.00. Është papa i tetë, që ka hequr dorë nga shërbimi pjetrin, pas papëve: Klementi I, Ponciani, Silveri, Benedikti IX, Gregori VI, Ҫelestini V dhe Gregori XII, për të cilët ekzistojnë burime historike të sigurta e të besueshme. Papa Françesku është pasardhësi i tij, zgjedhur më 13 mars 2013, pas votimit të pestë në Konklav.

28 maj 2018, 17:19