Papa: Zoti vazhdon t’i thërrasë të rinjtë, nganjëherë, në mënyra të paimagjinueshme
R.SH. – Vatikan
“Për thirrjet në jetën meshtarake dhe rregulltare”: kjo është tema e ndjetit të lutjes së Papës për muajin shkurt 2025; një argument, që e shtyn të flasë për të rinjtë dhe për nevojën e shoqërimit të ëndrrave dhe të shqetësimeve të tyre, por që, njëkohësisht, sjell ndërmend një çast vendimtar në jetën e tij.
Jorge i ri dhe të rinjtë e sotëm
"Kur isha 17 vjeç - rrëfen Ati i Shenjtë në videomesazhin e prodhuar nga Rrjeti Botëror i Lutjeve të Papës, në bashkëpunim me kryedioqezën e Los Anxhelosit - isha student dhe punoja, kisha planet e mia. Nuk e mendoja fare të bëhesha prift. Por një ditë hyra në famulli… dhe atje ishte Zoti që më priste!” Videoja e Papës hapet me fotografitë e tij si djalë i ri – në shkollë, në familje, në kishë – për t’ia lënë më pas vendin skenave të jetës së përditshme të të rinjve të sotëm: kohët ndryshojnë, por nuk ndryshon aftësia e Zotit për të folur me zemrën e atyre, që e kërkojnë.
Papa pohon se "Zoti vazhdon t'i thërrasë të rinjtë edhe sot, në disa raste, në mënyra, që as mund t'i imagjinojmë" dhe "bën gjëra të reja me ta". Që këtej, rëndësia e krijimit të një ambienti ku ata dëgjohen, ku mund të shprehin shqetësimet e tyre dhe ta ndiejnë se "duhen ashtu siç janë dhe për atë që janë"; një ambient, ku ata mund ta dëgjojnë dhe t'i përgjigjen lirisht thirrjes së Zotit, të shoqëruar nga një bashkësi mikpritëse. Papa mendon se "është e nevojshme të ecësh me ta, t'i dëgjosh... t'i çosh te Jezu Krishtu, gjithmonë, duke favorizuar lirinë e tyre".
Prandaj, Papa Françesku fton ta dëgjojmë Shpirtin Shenjt kur “flet përmes shqetësimeve, që ndiejnë të rinjtë”; kështu, do të jetë e mundur t’i jepet përgjigje thirrjes së Hyjit "në mënyra, që i shërbejnë më mirë Kishës dhe botës së sotme". Për këtë arsye, Ati i Shenjtë i nxit të gjithë besimtarët të luten që “bashkësia kishtare të mirëpresë dëshirat dhe dyshimet e të rinjve, të cilët ndjejnë thirrjen për t'i shërbyer misionit të Krishtit në jetën meshtarake dhe rregulltare”.
Sfida e fesë
Sfida për gjithë të krishterët është të kenë besim tek të rinjtë, në aftësinë e tyre për të kontribuar në jetën e Kishës e të botës. Në videon e shkurtit, Papa Françesku na fton të besojmë tek ata, por, sidomos tek Zoti, “sepse Ai e thërret secilin prej nesh”.
"Hyji ynë është Zot, që i merr seriozisht jetën dhe dhuratat e të rinjve", komenton imzot José H. Gómez, kryeipeshkëv i Los Anxhelosit. “Misioni i Kishës – nënvizon ipeshkvi i dioqezës më të madhe të SHBA-ve, që kontribuoi në prodhimin e videomesazhit papnor me profesionistët e ekipit dixhital - është të ecë përkrah të rinjve për t'i ndihmuar ata të rriten me fe dhe të punojnë për ta shndërruar këtë botë në Mbretërinë, që dëshiron Zoti për popullin e vet”.