Kërko

Papa flet në Samitin për të Drejtat e Fëmijëve, 3 shkurt 2025 Papa flet në Samitin për të Drejtat e Fëmijëve, 3 shkurt 2025

Papa: do të përgatis një Nxitje apostolike kushtuar fëmijëve

Françesku e mbylli Samitin për të Drejtat e të Miturve, që u zhvillua sot në Vatikan dhe shprehu dëshirën për t'i dhënë vazhdimësi angazhimit të ndërmarrë në këtë aktivitet me një tekst magjistral, që do të botohet në të ardhmen. Nga Papa, faleminderit të gjithë folësve, që e shndërruan Pallatin Apostolik në "një observator" të hapur ndaj realitetit të fëmijërisë "të plagosur, të shfrytëzuar, të mohuar".

R.SH. / Vatikan

“Kam ndërmend të përgatis një Nxitje apostolike kushtuar fëmijëve”.

Njoftimi i Papës arrin në fund të një dite plot mendime, ide, reflektime, padi, thirrje, mesazhe. Rreth 40 folës të nivelit të lartë, duke përfshirë politikanë, fitues të çmimit Nobel, përfaqësues të botës së kulturës, ekonomisë, kishës, të judaizmit dhe islamit, u ulën me radhë rreth tryezës ovale vendosur në Sallën Klementine, në Vatikan, për Samitin Ndërkombëtar mbi të drejtat e më të vegjëlve.

Takim, i dëshiruar nga Papa dhe i organizuar nga Komiteti Papnor për Ditën Botërore të Fëmijëve, i ndarë në dy sesione dhe  7 grupe tematike. Papa - pasi e hapi takimin me një fjalim të gjatë në të cilin përsëriti rëndësinë e jetës, të fëmijërisë, ëndrrave dhe madje edhe heshtjes së fëmijëve - e mbylli me shpalljen e një teksti magjisterial që mund "t’i japë vazhdimësi" angazhimit të nisur sot nga Samiti dhe “ta përhapë në të gjithë Kishën”.

Vatikani i shndërruar në një observator e laborator

Papa Françesku shprehu mirënjohjen për këtë takim që i shndërroi sallat e Pallatit Apostolik në "observator të hapur për realitetin e fëmijërisë në mbarë botën". Asaj fëmijërie, që në epokën e sotme në vend që të ishte e dashur dhe e mbrojtur, është e “plagosur, e shfrytëzuar, e mohuar”. "Prania juaj, përvoja dhe dhembshuria juaj" - tha Papa duke iu drejtuar folësve të grupeve të ndryshme - "i dha jetë një observatori e, mbi të gjitha, një "laboratori". Shumë grupe tematike “bënë propozime për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, duke i konsideruar ata jo si numra, por si fytyra”. E gjithë kjo i jep lavdi Zotit, e ne ia besojmë Atij, që Shpirti i Tij Shenjt ta bëjë frytdhënës - përfundoi Papa. “Faleminderit përsëri për të gjithë e për secilin prej jush”.

Nxitja e tetë e papnisë

Do të jetë Nxitja e tetë apostolike e papnisë, kjo për fëmijët, shpallur sot nga Françesku, duke filluar me Evangelii Gaudium në vitin 2013 dhe duke përfunduar me C'est la confiance në vitin 2023. Mbi të gjitha, do të jetë  kapitull i ri në një magjister papnor të mbështetur shpesh nga vëmendja, të krijuar për një kategori të brishtë, për viktimat e shpërdorimeve seksuale, të shfrytëzimit, të dhunës, të privuar nga fëmijëria, nga loja dhe koha e lirë, siç theksohet në shumë takime sot.

Papa do t'u kushtojë gjithashtu një Takim të tërë Jubilar Fëmijëve më 24 dhe 25 maj, ndërsa pret edicionin e dytë të të ashtuquajturës DBF (Dita Botërore e Fëmijëve), Ditë kushtuar atyre, pas së parës majin e kaluar në Stadiumin Olimpik të Romës. Edhe kjo, mundësi për të përsëritur se, në këtë botë të luftërave, "është gjithmonë e mundur të ketë paqe". E ta ketë, duke u nisur nga kontributi i të vegjëlve.

04 shkurt 2025, 09:18