Françesku: Jezusi sjell shpëtimin, që askush nuk mund ta japë
R.SH. - Vatikan
Këtë të diel të tretë të vitit kishtar, Shën Luka ungjilltar na e paraqet Jezusin në sinagogën e Nazaretit, qytet ku u rrit. E paraqet duke lexuar një fragment nga Isaia Profet, që shpall misionin ungjillëzues dhe çlirues të Mesisë dhe më pas, në heshtje të përgjithshme, deklaron: "Sot ky Shkrim u përmbush" (shih Luka 4,21):
“Përfytyrojeni - kujtoi Papa - habinë dhe tronditjen e bashkëqytetarëve të Jezusit, të cilët e njihnin atë si të birin e Jozefit, marangozit, ndaj nuk do ta kishin besuar kurrë se mund të paraqitej si Mesia. E megjithatë ngjau pikërisht kështu: Jezusi shpalli se, me praninë e tij, kishte ardhur "viti i hirit të Zotit" (v. 19). Lajm i madh - nënvizon Papa - por edhe diçka më shumë:
“Është lajm i mirë për të gjithë dhe veçanërisht për të varfërit, për të burgosurit, për të verbrit, për të shtypurit (shih v. 18)”.
Një pyetje shumëshekullore: “Është vërtetë Mesia?”
Atë ditë, në Nazaret - vijoi të komentojë Papa faqen e sotme ungjillore - Jezusi i vuri bashkëbiseduesit përballë zgjedhjes së identitetit dhe të misionit të tij. E asnjë nga bashkëqytetarët nuk mundi të rrijë pa e pyetur veten: është thjesht biri i marangozit, me një rol që nuk i takon, apo është vërtet Mesia, i dërguar nga Zoti për të shpëtuar njerëzit nga mëkati dhe çdo e keqe?
Ungjilltari na thotë se Nazarenasit nuk e njohën Jezusin si të shuguruarin e Zotit. Menduan se e njihnin shumë mirë por kjo, në vend që t'ua hapte më lehtësisht mendje e zemra, ua bllokoi, si veli që errëson dritën.
T'i kërkojmë Marisë që, në këtë Vit jubilar, ta rizbulojmë Jezusin me një mrekulli të re dhe të ndiejmë në zemrat tona sigurinë e gëzueshme: "Po, është Ai, Ai është Shëlbuesi!".