U bënë të njohura logot dhe motot e udhëtimit apostolik në Belgjikë e Luksemburg
R.SH. – Vatikan
Bukuria e artit grafik për të paraqitur një takim dhe përshpirtërinë, që e rrethon. Shihet kudo e gjithmonë kjo në çdo logo, që tregon përmes imazheve një shtegtim apostolik në përgatitje e sipër. E pikërisht sot, u publikuan logot dhe motot për dy vizitat, që Papa do të bëjë në shtator, në Luksemburg dhe në Belgjikë.
Logo dhe moto e vizitës në Luksemburg
Etapa e parë, ajo e Luksemburgut, më 26 shtator, bëhet e qartë grafikisht në logon, ku shihet silueta e bardhë e Papës Françesku, e kufizuar me bojë qielli, në një pozë bekimi, me një sfond të verdhë të rrumbullakët, ku spikat katedralja Notre Dame e Luksemburgut. Së bashku me të verdhën me konture të bardha - ngjyrat e flamurit të Vatikanit - dominojnë nuancat e blusë, e cila, siç shpjegohet në notën shoqëruese të logos, i referohet “nderimit për shën Marinë, rrënjosur thellë në historinë e katolicizmit" të këtij vendi të vogël. Poshtë, djathtas, motoja e shtegtimit apostolik, "Pour servir" (Për të shërbyer), i referohet Krishtit, i cili erdhi "jo për t'u shërbyer, por për të shërbyer". “Kështu, sipas shembullit të Mësuesit të saj – përfundon shpjegimi – Kisha është e thirrur të jetë në shërbim të njerëzimit.
Logo dhe moto e vizitës në Belgjikë
Po më 26 shtator, Papa Françesku do të zhvendoset në Belgjikë, harta e stilizuar e së cilës, në ngjyrë blu të thellë, është struktura bazë e logos. Harta përshkohet nga një rrugë, në të cilën ecin disa njerëz të ndryshëm nga njëri-tjetri, që simbolizojnë moshat e ndryshme, por që kanë edhe ngjyra të ndryshme për të treguar larminë e kulturave. Në qendër të kësaj turme të vogël qëndron figura e Papës në të bardhë. Poshtë logos, gjejmë të shkruar moton: “En route, avec Espérance” (Për udhë, me Shpresën). Në notën shoqëruese shpjegohet se kjo është “thirrja për të ecur së bashku, në udhën e historisë së vendit, por është edhe Ungjilli, udha e Jezu Krishtit, Shpresa jonë”.