Kërko

Papa me një delegacion të Xhamisë së Bolonjës Papa me një delegacion të Xhamisë së Bolonjës   (Vatican Media)

Françesku: kemi nevojë për besimtarë koherentë, të përkushtuar për paqen

Pak para audiencës së përgjithshme, Papa përshëndeti një delegacion nga xhamia e Bolonjës dhe i ftoi të krishterët, hebrenjtë e myslimanët të adhurojnë "një Zot të vetëm" e të jenë të parët që do t'i japin dëshminë e vëllazërisë botës bashkëkohore. “Çdo besimtar duhet të ndihet i lirë t’ua propozojë - jo t’ua imponojë - fenë e tij njerëzve të tjerë, besimtarë apo jo”, nënvizoi Papa, i cili i nxiti të gjithë të mos “ushtrojnë presion apo kërcënime” dhe të “refuzojnë çdo lloj favori financiar".

R. SH. - Vatikan

Takimi i shkurtër me një grup myslimanësh nga Bolonja në studion e Sallës Pali VI, para audiencës së përgjithshme, i krijoi Papës mundësinë të nxisë edhe një herë vëllazërinë universale. Mbi të gjitha u kërkoi besimtarëve të çdo feje të thellojnë harmoninë ndërmjet popujve:

“Bota, veçanërisht në këtë çast historik, ka nevojë për besimtarë koherentë, të përkushtuar fuqishëm në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes shoqërore dhe botërore”.

Shembulli i të krishterëve, hebrenjve dhe myslimanëve

Për të mirëpritur "njëri-tjetrin si vëllezër" thirren "para së gjithash", të krishterët, hebrenjtë dhe myslimanët, të cilët adhurojnë "një Zot të vetëm" dhe "e kujtojnë, qoftë edhe në mënyra të ndryshme Abrahamin si Atë në fe". Kjo, ftesa e Papës, i cili e konsideron “të domosdoshme dhe shumë të çmuar” në botën e sotme “dëshminë e vëllazërisë” së besimtarëve të feve monoteiste.

“Ne, që patëm dhuratën e kësaj përkatësie fetare, thirremi të jemi të zemërhapur dhe mikpritës ndaj atyre, që nuk e kanë atë, sepse janë, si të gjithë ne, anëtarë të një familjeje të vetme njerëzore”.

Të respektohet liria e ndërgjegjes dhe e fesë

Françesku nënvizon se "dialogu i sinqertë dhe i respektueshëm ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve është detyrë" për ata që duan t'i "binden vullnetit të Zotit", i cili dëshiron që "bijtë e tij ta duan njëri-tjetrin, ta ndihmojnë njëri-tjetrin dhe, nëse kanë ndonjë vështirësi apo keqkuptim ndërmjet tyre, të merren vesh me përvujtëri e durim”.

Por dialogu kërkon që të njihen “dinjiteti” dhe “të drejtat e çdo njeriu” - shtoi Papa - e ndër to, para së gjithash “liria e ndërgjegjes dhe e fesë”.

“Për më tepër, çdo besimtar duhet të ndihet i lirë t’ua propozojë - pa ua imponuar kurrë! - fenë e tij njerëzve të tjerë, besimtarë ose jo. Kjo përjashton çdo formë të prozelitizmit, kuptuar si ushtrim presioni ose kërcënimi; duhet të refuzojë çdo lloj favori financiar ose pune; nuk duhet të përfitojë nga injoranca e njerëzve”.

Edhe "martesat ndërmjet njerëzve të feve të ndryshme nuk duhet të jenë mundësi për ta kthyer bashkëshortin" në bindjet vetjake - shton Françesku - i cili më në fund largohet nga delegacioni i xhamisë së Bolonjës, duke shpresuar për "marrëdhënie të mira me Kishën Katolike: me ipeshkvin, me klerin dhe me besimtarët, në respekt dhe miqësi reciproke” dhe duke i uruar bashkësitë myslimane të jenë “artizanë të paqes”.

26 qershor 2024, 13:48