Kërko

Papa Françesku pret anëtarët e Komisionit Papnor për Mbrojtjen e të Miturve Papa Françesku pret anëtarët e Komisionit Papnor për Mbrojtjen e të Miturve

Papa: të mos ndalet impenjimi ynë në luftën kundër abuzimeve

Papa pret anëtarët e Komisionit Papnor për Mbrojtjen e të Miturve, në seancë plenare në Romë dhe në fjalën e tij, lexuar nga një bashkëpunëtor, për shkak se ndihet ende i ftohur, u kërkon "të tronditen nga vuajtjet" e atyre, që kanë pësuar dhunë dhe të vazhduar të impenjohen për t’i dëgjuar, për të ndërhyrë, për të parandaluar dhe për të ndihmuar

R.SH. – Vatikan

“Të ballafaquar me shkandullin e abuzimit dhe me vuajtjen e viktimave, mund të shkurajohemi, sepse sfida për të rikrijuar indin e jetëve të shkatërruara e për ta shëruar dhimbjen e tyre është e madhe dhe e ndërlikuar. Por impenjimi ynë nuk duhet të ndalet; madje, ju inkurajoj të ecni përpara, që Kisha të jetë gjithmonë dhe kudo vend ku të gjithë të ndihen si në shtëpinë e tyre dhe ku çdo njeri të konsiderohet i shenjtë”. Këtë nënvizoi Papa Françesku në fjalimin e tij – lexuar nga njëri prej bashkëpunëtorëve – drejtuar anëtarëve të Komisionit Papnor për Mbrojtjen e të Miturve, pritur me rastin e Asamblesë Plenare në Romë.

"Në shërbesën kishtare të mbrojtjes së viktimave të abuzimit, afërsia me to nuk është koncept abstrakt: është realitet shumë konkret, i përbërë nga dëgjimi, ndërhyrjet, parandalimi, ndihma", vijoi më tej Papa Françesku. “Të gjithë jemi të thirrur, veçanërisht autoritetet kishtare, ta njohim drejtpërdrejt ndikimin e abuzimeve dhe të tronditemi nga vuajtjet e viktimave, duke e dëgjuar drejtpërdrejt zërin e tyre dhe duke u treguar atë afërsi që, përmes qëndrimeve konkrete, i lehtëson, i ndihmon ata dhe përgatit një të ardhme ndryshe për të gjithë”, kërkoi Ati i Shenjtë.

“Faleminderit për shërbimin tuaj delikat dhe të rëndësishëm – pohoi së fundi Françesku. - Vërejtjet tuaja do të na bëjnë të ecim në drejtimin e duhur, në mënyrë që Kisha të vazhdojë të impenjohet me të gjitha forcat në parandalimin e abuzimeve, në dënimin e tyre me vendosmëri, në vëmendjen e dhembshur ndaj viktimave dhe në angazhimin e vazhdueshëm për të qenë vend mikpritës dhe i sigurtë. Faleminderit për këmbënguljen dhe për dëshminë e shpresës, që ofroni”, përfundoi Ati i Shenjtë fjalën e tij drejtuar anëtarëve të Komisionit Papnor për Mbrojtjen e të Miturve.

07 mars 2024, 10:44