Kërko

Ushtarë në luftë Ushtarë në luftë  (ANSA)

Papa: ta mundim çmendurinë e luftës, që vret kaq shumë të rinj

Në fund të audiencës së përgjithshme, Papa kërkoi edhe një herë lutje për ata që vuajnë "pasojat e tmerrshme" të konflikteve. Kujtoi edhe se sot mori Rruzaren dhe Ungjillin e një ushtari, që u vra në front.

R. SH. - Vatikan

 "Duhet mundur kjo çmenduri e luftës, që është gjithmonë disfatë". Këtë shpreson Papa, e këtë dëshirë e shprehu edhe në fund të audiencës së përgjithshme të së mërkurës, 13 mars, ditën e njëmbëdhjetëvjetorit të Papnisë. Ashtu si në audiencat e mëparshme, për shkak të gripit, Françesku nuk e lexoi katekizmin, por ia besoi leximin Atë Pierluigi Giroli-t. Ndërsa i lexoi vetë përshëndetjet në italisht, duke përsëritur ftesën për t'i kushtuar lutje popullatave të rrënuara nga konfliktet:

“I ftoj të gjithë të vazhdojnë me përkushtim udhën kreshmore, të gatshëm për të kryer gjeste solidariteti të krishterë kudo që Provania i thërret të veprojnë. E, ju lutem, t’i vijojmë uratët me ngulm për të gjithë ata, që vuajnë nga pasojat e tmerrshme të luftës”.

Shumë të rinj po vdesin

Papa u shpjegoi besimtarëve, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, se sot mori "Rruzaren dhe Ungjillin e një ushtari të ri, që vdiq në front". E mori dhe u lut me të! Shumë të rinj, sa shumë, shkojnë drejt vdekjes!". Prej këndej, ftesa për lutje:

“T’i lutemi Zotit të na japë hirin për ta mundur çmendurinë e luftës, që është gjithmonë disfatë”.

13 mars 2024, 12:21