Papa: shkenca dhe urtia e popullsive indigjene ta mbrojnë planetin së bashku
R.SH. – Vatikan
Ndryshimet klimatike, humbja e biolarmisë, kërcënimet për sigurinë ushqimore dhe shëndetin, si edhe sfida të tjera janë çështjet kritike më urgjente në botën e sotme. Për t’i zgjidhur duhen shfrytëzuar si njohuritë e popujve indigjenë, ashtu edhe shkenca. Kështu u tha Papa Françesku pjesëmarrësve të konferencës me temë “Njohuritë e Popujve Indigjenë dhe Shkencat. Të kombinohet urtia dhe shkenca për çështjet kritike dhe zgjidhjet e tyre, që të rezistojmë”. Konferenca, organizuar nga Akademitë Papnore të Shkencave dhe të Shkencave Shoqërore, mbahet në Vatikan, siç e shpjegoi vetë Ati i Shenjtë, për të “nxjerrë në pah vlerën e madhe të urtisë së popujve indigjenë dhe për të promovuar një zhvillim njerëzor të gjithanshëm e të qëndrueshëm”. Gjithashtu, ajo synon edhe “t’u japë një mesazh qeverive dhe organizatave ndërkombëtare në favor të drejtësisë dhe vëllazërimit”.
Ta dëgjojmë njëri-tjetrin
Ati i Shenjtë nuk e lexoi vetë fjalimin, për shkak se ende ndihet i ftohur, por shprehu vlerësimin për nismën, duke kujtuar se falë angazhimit të FAO-s, “lindi një platformë, që bashkon shkencëtarë, studiues indigjenë e jo, si edhe ekspertë, për një dialog që synon të garantojë mbrojtjen e sistemeve ushqimore të popullsive indigjene”.
“Do të thosha se kjo është mundësi për t'u zhvilluar në dëgjimin e ndërsjellë: të dëgjosh popullsitë indigjene, të mësosh nga urtia dhe stili i tyre i jetesës e, njëkohësisht, të dëgjosh shkencëtarët, për të mësuar nga studimet e tyre”.
Humbja e urtisë indigjene do të sillte varfërimin e identitetit për të gjithë
"Në indin e njerëzimit – nënvizon më tej Papa në tekst - ka kultura, tradita, përshpirtëri, gjuhë të ndryshme që duhen mbrojtur, sepse humbja e tyre do të sillte varfërimin e njohurive, të identitetit dhe të kujtesës për të gjithë ne. Për këtë arsye - vë në dukje Françesku - duhet që projektet kërkimore shkencore, e për rrjedhojë edhe investimet, të orientohen gjithnjë e më shumë drejt promovimit të vëllazërimit njerëzor, drejtësisë dhe paqes, që fondet të ndahen në mënyrë të koordinuar për t'iu përgjigjur sfidave urgjente, të cilat kanë të bëjnë me shtëpinë tonë të përbashkët dhe me familjen e popujve”.
Një këndvështrim alternativ
"Për të arritur këtë objektiv, kërkohet një kthesë, një këndvështrim alternativ, ndryshe nga ai që sot e shtyn botën drejt konfliktit në rritje. Takimet si tuajat – shton Ati i Shenjtë - shkojnë në këtë drejtim: vërtet, dialogu i hapur ndërmjet dijes së autoktonëve dhe shkencave, ndërmjet bashkësive indigjene dhe atyre shkencore, mund të kontribuojë në përballimin e ri të çështjeve themelore, si për shembull, ato të ujit, të ndryshimeve klimatike, të urisë, të biolarmisë. Çështje që, siç e dimë, janë të gjitha të lidhura".
Kisha është me popujt indigjenë
"Falë Zotit nuk mungojnë shenjat pozitive në këtë drejtim, siç është përfshirja e njohurive indigjene si përmasë qendrore e Dekadës Ndërkombëtare të Shkencave për Zhvillimin e Qëndrueshëm, nga OKB-ja”, vë në dukje Papa në fund, duke bërë thirrje që nisma të tilla të mbështeten edhe në të ardhmen. Kisha është me popujt indigjenë, thekson ai.