Pasojat e luftës në Palestinë Pasojat e luftës në Palestinë  (ANSA)

Papa: mjaft më luftë në Tokën Shenjte, ndalohuni! Nuk ndërtohet kështu bota më e mirë!

Pas lutjes së Engjëllit, Françesku kujtoi vuajtjet e popullatës në Palestinë dhe Izrael, të cilat i ka çdo ditë në zemër. Më pas, një lutje për bisedimet në vazhdim, që pengjet të lirohen dhe të zhvendosurit të marrin ndihmën e nevojshme humanitare

R. SH. - Vatikan

"A mendoni vërtet se mund të ndërtoni një botë më të mirë në këtë mënyrë? A mendoni vërtet se mund të arrini paqen? Mjaft më, ju lutem! Le të themi mjaft!". Ishte klithmë dhimbjeje e dalë nga zemra, ajo që Papa u drejtoi besimtarëve pas lutjes së Engjëllit. Dhimbje, të cilën ai e mbart   për vuajtjet e popullatave në Palestinë dhe Izrael - si dhe në Ukrainën e munduar "ku çdo ditë vdesin shumë njerëz”, për shkak të armiqësive të vazhdueshme.

Inkurajimi për të vazhduar bisedimet

“Mijëra të vdekur, të plagosur, të zhvendosur, shkatërrime të tmerrshme shkaktojnë dhimbje, e kjo me pasoja të rënda për të vegjlit dhe të pambrojturit”, nënvizoi Françesku, i cili shpreson se negociatat, që po zhvillohen në Kajro, do të përfundojnë me sukses:

“Ndalohuni!Inkurajoj vazhdimin e negociatave për armëpushim të menjëhershëm në Gaza dhe në të gjithë rajonin, në mënyrë që pengjet të lirohen pa vonesë dhe të kthehen tek të dashurit e tyre, që i presin me ankth, e popullsia civile të ketë hyrje të sigurt të ndihmës së nevojshme dhe urgjente humanitare”.

Bëhet fjalë për Gazën

Tani për tani, në kryeqytetin egjiptian, përfaqësuesit e islamistëve të Hamasit, të cilët qeverisin Rripin e Gazës, po bisedojnë me ndërmjetës nga Katari dhe Shtetet e Bashkuara për të siguruar armëpushimin me rastin e Ramazanit, si dhe lirimin e pengjeve.

Nëse Izraeli pranon kërkesat e Hamasit, të cilat përfshijnë kthimin e palestinezëve të zhvendosur në Gazën veriore dhe  shtimin e ndihmave humanitare, kjo mund të hapë rrugën për marrëveshje brenda 24-48 orëve të ardhshme”, pohoi një burim i islamistëve.

Izraeli, ndërkaq, bën të ditur se nuk do të dërgojë asnjë delegacion, derisa Hamasi të dorëzojë listën e pengjeve të gjallë. Ndërkohë, në terren, pas vdekjes së mbi 100 palestinezëve ndërsa përpiqeshin të arrinin kamionët me ndihma humanitare, të paktën 12 persona u vranë pas një sulmi izraelit në Rafah.

03 mars 2024, 14:03