Stamboll, afërsia e Papës me Kishën italiane të goditur nga sulmi i armatosur
R. SH. - Vatikan
Zëri i Papës Françesku gjatë lutjes së sotme të Engjëllit të Zotit bashkohet me shprehjet e shumta të solidaritetit për bashkësinë e Kishës italiane Santa Maria Draperis, në Sariyer të Stambollit, e cila pësoi një sulm të armatosur gjatë meshës. Papa shprehu menjëherë afërsinë e tij me ata, të cilët u goditën në këtë sulm, që shkaktoi një të vdekur dhe disa të plagosur.
Palinuro: hamendësohet intoleranca fetare, por motivi mbetet për t'u verifikuar
Për një reagim të shpejtë mbi incidentin, Roberto Cetera mori dëshminë e Imzot Massimiliano Palinuro, Vikar Apostolik i Stambollit dhe Administrator Apostolik i Kostandinopojës.
Dëshmia e Imzot Palinuros
Prelati ritregon atë, që duket se ishte dinamika e ngjarjes. Ai saktëson vendin ku ndodhi episodi, kisha e Lindjes së Marisë në Büyükdere, në periferi të Stambollit, ku, pak pas ofertës, në kohën e Sanctus, "hynë dy persona të armatosur e u dëgjuan shumë të shtëna armësh në ajër". Më pas u dëgjua “reagimi i njërit prej besimtarëve, i cili kishte edhe disa probleme me shëndetin mendor, ndaj pati guximin të protestojë kundër këtij qëndrimi, e, ndoshta, në përgjigje të këtij akti, e vranë. Arsyet - nënvizoi ai - nuk dihen konkretisht, duhet të verifikohen ende, por elementet që duket se dalin deri tani flasin për një sulm të motivuar fetarisht, shprehje e intolerancës fetare”.
Kërkojmë drejtësi dhe siguri për të krishterët
Bashkësia jonë është tejet e tronditur” - denoncon Ipeshkvi. "Natyrisht, është koha për lutje, për solidaritet me komunitetin katolik të Büyükdere, dhe sigurisht është kohë për lutje edhe për njeriun që ndërroi jetë. Si bashkësi e krishterë kërkojmë nga autoritetet ta sqarojnë dhe ta kërkojnë të vërtetën. Ne kërkojmë padyshim vetëm drejtësi për këtë person që humbi jetën dhe në të njëjtën kohë, siguri më të madhe për të garantuar jetën e besimtarëve të bashkësive të krishtera që ngulmojnë në fe, ndaj ndonjëherë përballen me guxim gjatë udhëtimeve, për të marrë pjesë në kremtimin eukaristik”.
Dëshmitarët të hutuar dhe të tronditur
Imzot Palinuro shton se nuk e njeh viktimën por se “njihej mirë nga famullitari i kishës dhe bashkësia”. Ai pohon se “ishte njeri me probleme psikologjike, por – shprehet – ndoshta pikërisht për këtë qe i vetmi që pati guximin të përballet me këta terroristë, të cilët kishin pushtuar kishën; ndoshta pikërisht për këtë gjest të guximshëm u vra”. Prelati i jep këto elemente pak orë pas faktit, duke nënvizuar se tani për tani dinamika duket të jetë kjo, “ndonëse hetimet janë në vazhdim dhe për këtë arsye po mblidhet gjithçka nga dëshmitarët e pranishëm, por që ndonjëherë mund të jenë pak të hutuar dhe të tronditur”.
Ngushëllimet e institucioneve turke dhe italiane
"Hetimet e policisë dhe të prokurorisë vazhdojnë. Nuk ka të lënduar, vetëm një person është sulmuar", raporton guvernatori i Stambollit, Davut Gül, cituar nga "Hurriyet". "Fajtorët do të kapen dhe do të gjykohen. Presidenti ynë po ndjek incidentin" shpjegoi Gül. Në një postim, Autoritetet turke pohojnë se do t’i arrestojnë përgjegjësit”. Kryebashkiaku i qytetit turk gjithashtu shpreh ngushëllimet e tij: "Zoti e mëshiroftë C.T. që humbi jetën: uroj shërimin e të plagosurve. Nuk do t'i lejojmë kurrë ata që përpiqen të shkatërrojnë unitetin dhe paqen, duke sulmuar vendet fetare të qytetit tonë”. Zyra e Kryeprokurorit të Stambollit ka nisur hetimet. Zëvendësprokurori dhe dy prokurorët janë ngarkuar të zbardhin ngjarjen. "Vazhdojnë përpjekjet për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve që kanë kryer sulmin. Hetimi po zhvillohet në mënyrë të detajuar dhe të përpiktë", tha ministri turk i Drejtësisë, Yilmaz Tunç.