Papa Françesku Papa Françesku

Papua Nuova Guinea, në studim një udhëtim i mundshëm i Papës

Drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni, u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve pas njoftimit të kryeministrit papuan për një vizitë të Papës në gusht: "Është në fazë shumë paraprake”. Gjon Pali II shkoi dy herë në atë vend, më 1984 dhe më 1995

R.SH. – Vatikan

Ishte një nga hipotezat e udhëtimit për vitin 2020, së bashku me Indonezinë dhe Timorin Lindor, përpara se pandemia Covid-19 të frenonte çdo plan: Papa mund të vizitojë Papua Guinenë e Re gushtin e ardhshëm. “Një udhëtim, që po studiohet”, deklaroi drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, pas njoftimit të bërë orët e fundit nga ministri i jashtëm i vendit oqeanik, Justin Tkatchenko. Sipas tij, qeveria ka marrë një "notë zyrtare", ku thuhet se Papa mund të bëjë një vizitë tri-ditore në verë, duke shkuar në kryeqytetin Port Moresby dhe në qytete të tjera në veri.

“Po punojmë në bashkëpunim të ngushtë me nuncin apostolik. Është formuar një ekip, që do të mblidhet për të shqyrtuar të gjitha aspektet e vizitës”, shpjegoi kryeministri. Njoftimi vjen vetëm dy javë pasi kryeqyteti u godit nga trazira të dhunshme, që shpërthyen më 11 janar, për arsye politike dhe sociale dhe u përhapën në pjesë të tjera të vendit, duke shkaktuar mbi 20 të vdekur, disa të plagosur, si dhe djegjen e disa makinave e ndërtesave.

25 janar 2024, 16:21