Papa: tepër mizori në luftë, klithma e viktimave të pambrojtura ngjalltë plane paqeje
R.SH. / Vatikan
Nuk ka kohë, nuk ka hapësirë, por vetëm gjurmë gjaku e dhimbjeje, që bashkon dy epoka: atë të luftërave botërore dhe atë të konflikteve “pjesë-pjesë”, që po e dërmojnë njerëzimin. Papa Françesku nalton drejt qiellit një kujtim dhe një lutje për të vrarët në betejë, sot dhe dje, në fund të audiencës së përgjithshme mbajtur në Sallën Pali VI, kur - në çastin e përshëndetjeve italisht - kujton Ditën Kombëtare kushtuar italiane të Viktimave Civile të Luftës, që në Itali festohet çdo 1 shkurt:
“Duke i kujtuar në lutje ata që vdiqën në dy konfliktet botërore, i shoqërojmë gjithashtu shumë - shumë - civilë, viktima të pambrojtura të luftërave që, fatkeqësisht, vijojnë të gjakosin planetin tonë, siç ndodh në Lindjen e Mesme dh në Ukrainë”.
Të kërkojmë paqe nga Zoti që nuk është mizor, por i butë
Lajmet që vijnë në këto orë nga dy territoret e luftës të përmendura nga Papa Françesku, janë dramatike: dhjetra civilë vdiqën gjatë bombardimit të një shtëpie në Deir al-Balah, në qendër të Rripit të Gazës; sulme me dronë, shtëpi të shkatërruara, civilë të plagosur dhe të vrarë, në Karkhiv, Bakhmut dhe territore të tjera të Ukrainës.
“Britma e dhimbjes” e këtyre njerëzve prektë zemrat e udhëheqësve të Kombeve dhe frymëzoftë plane për paqe” - uroi Papa që, duke folur lirisht, jashtë tekstit zyrtar, kujtoi cakun e çnjerëzimit, që lufta e kapërcen sistematikisht:
“Kur lexohen historitë e këtyre ditëve, në luftë, ka kaq shumë mizori, kaq shumë... T'i kërkojmë Zotit paqen e cila është gjithmonë e butë, kurrë mizore”.
Kujtimi i Don Boskos
Duke përshëndetur besimtarët e gjuhës arabe, Papa kujtoi sot, 31 janar, kremtojmë festën liturgjike të Don Boskos, priftit themelues të Salezianëve, model edukimi, kujdesi dhe mikpritjeje për të rinjtë:
“Sot, në kujtim të Shën Gjon Boskos, i cili u kujdes shumë për të rinjtë, ju ftoj t’i përngjani, duke i edukuar të rinjtë me fe dhe duke i aftësuar në shkenca e profesione të ndryshme, për një të ardhme më të mirë, në të cilën njerëzimi mund të gëzojë paqe, vëllazëri, qetësi”.