Kërko

INDONESIA-MYANMAR-BANGLADESH-ROHINGYA-REFUGEES INDONESIA-MYANMAR-BANGLADESH-ROHINGYA-REFUGEES  (AFP or licensors)

Françesku: respektoni popullsitë në luftë dhe dëgjoni thirrjen e tyre për paqe

Papa kërkon për Mianmarin pajtimin dhe kalimin e ndihmës humanitare nëpër vend, ashtu si në Lindjen e Mesme e në Ukrainë. Shpreh edhe lehtësimin për çlirimin e murgeshave në Haiti, si dhe dhe afërsinë për viktimat e sulmit në Stamboll. Një mendim edhe për të sëmurët në Ditën Botërore të Lebrës.

R. SH. - Vatikan

Papa vazhdon të kërkojë paqe për popullatat e botës në konflikt. Pas lutjes së Engjëllit, mendimet e Atit të Shenjtë shkojnë para së gjithash në Mynamar, ku "prej tre vjetësh lotët e dhimbjes dhe zhurma e armëve kanë zënë vendin e buzëqeshjes". Junta ushtarake e vendit aziatik mori pushtetin më 1 shkurt 2021, duke rrëzuar qeverinë e fitueses së çmimit Nobel, Aung San Suu Kyi, e cila është në arrest shtëpiak, ndërsa përleshjet ndërmjet ushtrisë, popullsisë dhe grupeve të armatosura kanë shkaktuar mijëra të vdekur dhe të zhvendosur. Duke bashkuar zërin me atë të disa ipeshkvijve të vendit aziatik, Françesku kërkon që “armët e shkatërrimit të shndërrohen në mjete për edukimin e humanizmit e të drejtësisë”:

“Paqja është rrugë dhe i ftoj të gjitha palët e përfshira të ndërmarrin hapa dialogu dhe të mirëkuptohen, në mënyrë që toka e Mianmarit të arrijë  në cakun e pajtimit vëllazëror. Të lejohet edhe shpërndarja e ndihmave humanitare, për të garantuar nevojat e çdo njeriu”.

Lufta është fatkeqësi për popujt dhe disfatë për njerëzimin

Gjithashtu, Papa kërkon hyrjen e ndihmave për Lindjen e Mesme, Palestinën dhe Izraelin dhe për të gjitha vendet "ku luftohet".

“Të respektohen popullsitë! Mendoj me dhimbje thellë për të gjitha viktimat, veçanërisht për civilët, shkaktuar nga lufta në Ukrainë. Ju lutem, dëgjojeni thirrjen e tyre për paqe. Thirrjen e njerëzve të lodhur nga dhuna, njerëzve që duan të ndalet lufta, e cila është fatkeqësi për njerëzit dhe disfatë për njerëzimin”.

Të gjithë të ofrojnë mbështetjen e tyre për Haitin

Françesku kujton se u lehtësua kur mori lajmin për lirimin e gjashtë murgeshave të rrëmbyera javën e kaluar, së bashku me dy persona të tjerë, në Haiti. Shpresa është që edhe shumë persona të tjerë të rrëmbyer nga bandat vendase të tërbuara të mund të lirohen:

“Kërkoj të lirohen ata që janë ende të rrëmbyer dhe të marrin fund të gjitha format e dhunës; të gjithë duhet të japin kontributin e tyre në zhvillimin paqësor të vendit, për të cilin nevojitet të përsëritet mbështetja nga ana e bashkësisë ndërkombëtare”.

Mendimi për sulmin në Stamboll

Arriti edhe tek Papa lajmi për sulmin në kishën e Santa Maria Draperis, në Stamboll, ku një person mbeti i vrarë dhe disa u plagosën nga të shtënat gjatë meshës.

Së fundi, Françesku kujtoi Ditën Botërore të të sëmurëve nga lebra duke inkurajuar të përfshirët në shpëtimin dhe riintegrimin social të atyre që vuajnë nga një sëmundje "e cila, pavarësisht se është në rënie, mbetet ende ndër më të frikshmet, që prek zakonisht më të varfërit dhe më të flakurit nga radhët e shoqërisë”.

28 janar 2024, 14:19