Papa me fëmijët e ACR: Faleminderit për angazhimin në ndërtimin e një shoqërie më të mirë
R. SH. - Vatikan
Është bërë tashmë takim i pritur ky, në të cilin, në një atmosferë festive dhe të përbashkët, fëmijët e Veprimit Katolik (Acr) të Romës, me edukatorët, prindërit dhe bashkëmoshatarët e tyre nga shkollat dhe famullitë e qytetit, organizojnë Karvanin e Paqes. Këtë vit është i 45-ti: mbërriti në Shën Pjetër pasi përshkoi rrugët e qendrës së kryeqytetit, shoqëruar me parrullën “Paqe në kokë!”. Ngjarja arriti kulmin me dëshminë e dy të rinjve, që kujtuan angazhimin për paqen, dëshirën e tyre për paqe, në një botë që duket se është mësuar me luftëra. Papa i falenderoi për angazhimin e tyre në ndërtimin e një shoqërie më të mirë dhe më pas u dha fjalën.
Letra e VK-së drejtuar Papës: ne duam të jemi në anën e paqes
Vajzat dhe djemtë e Veprimit Katolik të Romës lexuan një letër përgatitur për Papën Françesku, në të cilën kujtojnë se çdo vit përkrah tij përtërijnë dëshirën për paqe në të gjithë qytetin dhe në mbarë botën. "Këto ditë - shkruajnë - është e vështirë të mendosh për paqen, Shumë luftëra bëhen edhe pranë nesh: duket se askush nuk kujdeset për paqen. Ne, megjithatë, duam të jemi në anën e paqes, duke u përpjekur të shuajmë, në rrugën tonë të vogël, zjarrin e urrejtjes dhe të dhunës”. Të rinjtë japin dëshmi për angazhimin e tyre personal në mbrojtje të paqes: "E pikturuam si bimë të bukur, të harlisur; ndërsa lufta është si bimë e thatë, e zhveshur. Kjo na kujton se bota është dhuratë nga Zoti: ne nuk duam ta shkatërrojmë me urrejtje! Duam të lulëzojë mesazhi i dashurisë së Jezusit, me bindjen se dashuria nuk mund të ekzistojë pa Paqe!”.
Duhet të kujdesemi për planetin tonë
"I dashur Papë - vazhdon letra - këtë vit parulla e Veprimit Katolik Rinor është "Kjo është shtëpia juaj!". Për këtë Karvan të Paqes, fëmijët e shoqatës kanë vendosur të mbështesin projektet e Legambiente dhe nismën e Caritas-it të Romës “Unë, ne, të gjithë. Shtëpia jonë është e përbashkët”. "I dashur Papë - përfundojnë - ne lutemi gjithmonë për Ty dhe për këto gjëra të dashura për ne. Jua besojmë familjet tona, edukatorët dhe të gjithë ata që kujdesen për ne. E ju duam shumë!".