Papa: njeriu në qendër të komunikimit të mediave
R.SH. / Vatikan
“Inovacioni teknologjik i shndërroi metodat e prodhimit, të përmbajtjes, si dhe përdorimin e tyre; ndërsa tani edhe inteligjenca artificiale po modifikon rrënjësisht informacionin dhe komunikimin e, përmes tyre, edhe disa themele të bashkëjetesës civile”. Këtë kujtoi Papa sot paradite, duke u takuar me drejtuesit dhe punonjësit e TV2000 dhe të stacionit radiofonik inBlu2000.
“Në këtë vorbull - nënvizoi - megjithatë ka disa parime që mbeten të pandryshueshme. E kjo ka të bëjë veçanërisht me ju, që keni përkatësi shumë specifike: atë të Konferencës Episkopale të Kishës Italiane. Ky nuk është kufi, po shprehje e lirisë së madhe, mbasi na kujton se komunikimi dhe informacioni i kanë gjithmonë rrënjët te njeriu. Këtë theksoi Papa, duke nënvizuar më pas rëndësinë e mishërimit të fesë në kulturë, veçanërisht përmes dëshmisë, duke treguar histori në të cilat errësira, që mbretëron rreth nesh, të mos e shuaj dritën e shpresës. Është themelore ta kujtosh dhe ta jetosh këtë përkatësi”.
Edhe në këtë takim, Papa kujtoi tri fjalë kyçe. Ia nisi me afërsinë:
“Është një nga cilësitë e Zotit, që u bë i afërt me ne. Zoti është i afërt, i ëmbël, i dhembshur”.
Ju inkurajoj – vijoi Papa - të vazhdoni të krijoni rrjete, të thurrni lidhje, të tregoni bukurinë dhe të mirën e bashkësive tona:
“Komunikimi rrezikon të bjerë në një farë logjike dominuese, të përkulet para pushtetit apo edhe të krijojë lajme të rreme. Mos bini në tundimin e nënshtrimit, shkoni kundër rrjedhës, duke ngrënë gjithnjë shojet e këpucëve dhe duke takuar njerëz. Vetëm në këtë mënyrë mund të keni thirrje të vërtetë”.
Fjala e dytë që propozon Papa, zemra, në “kuptimin e saj biblik dhe në traditën e krishterë”. Nuk mund ta vëresh një fakt, nuk mund të intervistosh dikë, nuk mund të thuash diçka, në se nuk nisesh drejt nga zemra. Kjo na krijon mundësinë t'i ndihmojmë edhe të tjerët të çlirohen nga zinxhirët e paragjykimeve e të themi të vërtetën, pa e ndarë atë nga bamirësia:
“Mos i ndani kurrë faktet nga zemra! E pastaj, kini guxim. Kush ka zemër, ka edhe guximin të jenë i ndrrueshëm, por pa u bërë polemik e as agresiv; e të jeni edhe të besueshëm, pa pretenduar t’i impononi ndokujt këndvështrimin tuaj; të jeni ndërtues urash”.
Më në fund, përgjegjësia.
Të gjithë - ftoi Françesku - duhet të luajnë rolin e tyre për të siguruar që çdo formë e komunikimit të jetë objektive, respektuese e dinjitetit njerëzor dhe e vëmendshme për të mirën e përbashkët. Në këtë mënyrë, ne do të jemi në gjendje t’i ndreqim frakturat e ta shndërrojmë indiferencën në mirëpritje e bashkëpunim. Profesioni juaj është një nga ato profesione që kanë karakterin e thirrjes:
“Jeni të thirrur të jeni lajmëtarë, që informojnë me respekt dhe kompetencë, duke luftuar përçarjet dhe mosmarrëveshjet. E duke kujtuar gjithmonë se në qendër të çdo shërbimi, të çdo artikulli, të çdo programi, është njeriu".