Kërko

Papa Françesku Papa Françesku

Lufta në Tokën Shenjte, Papa: pa dy shtete, paqja e vërtetë mbetet larg

Intervista e Françeskut me gazetën italiane La Stampa: “ Eshtë urgjent armëpushimi global, jemi në buzë të humnerës”. Për deklaratën e Fiducia Supplicans: "Besoj se të gjithë do të qetësohen, duhet përfshirja, jo të përçarja". “Ndihem si famullitar. I një famullie planetare"

R.SH. - Vatikan

“Ishte marrëveshja e Oslos, shumë e qartë, me rrugëzgjidhjen e dy shteteve. Derisa të zbatohet kjo marrëveshje, paqja e vërtetë mbetet e largët”. Ky, gjykimi i Papës për atë që po ndodh në Tokën Shenjte, pas sulmeve të Hamasit dhe luftës shkatërrimtare të qyteteve në Rripin e Gazës, në bisedë me Domenico Agasso-n, korrespondent i Vatikanit për gazetën e përditshme italiane La Stampa, në intervistën e sotme, 29 janar. Papa Françesku, duke folur për konfliktet e shumta në vazhdim, na fton të lutemi për paqen, e shikon dialogun si rruga e vetme dhe kërkon “të ndalen menjëherë bombat dhe raketat e t'u jepet fund qëndrimeve armiqësore. E, për çdo vend,   “armëpushimin global”, sepse “jemi në buzë të humnerës”.

Françesku: respektoni popullsitë në luftë dhe dëgjoni thirrjen e tyre për paqe

Papa shpjegon pse është kundra përkufizimit "luftë e drejtë", duke preferuar të thuhet është legjitime të mbrohemi, por duke shmangur "justifikimin e luftërave, që  janë gjithnjë të gabuara". Pohon, më pas se druhet nga shkallëzimi ushtarak, por edhe se e ka një farë shprese “sepse po zhvillohen takime konfidenciale për të arritur marrëveshjen. Armëpushimi do të ishte rezultat i mirë”. Papa Françesku e quan “figurë  vendimtare”Kardinalin Pizzaballa, që "lëviz mirë", përpiqet të ndërmjetësojë dhe e kujton çdo ditë në video-thirrjet nga famullia e Gazës, duke theksuar se "lirimi i pengjeve izraelite" është përparësi. Përsa i përket Ukrainës, në intervistë, pasardhësi i Pjetrit kujton detyrën e kardinalit Zuppi: «Selia e Shenjtë po përpiqet të ndërmjetësojë për shkëmbimin e të burgosurve dhe kthimin e civilëve ukrainas. Në veçanti, ne po punojmë me znj. Maria Llova-Belova, Komisionere Ruse për të Drejtat e Fëmijëve, lidhur me riatdhesimin e fëmijëve ukrainas të zhvendosur me forcë në Rusi. Ndonjëri tashmë është kthyer në familjen e tij".

 Krishti na thërret të gjithëve

Në intervistë, Françesku kujton se «Krishti i thërret të gjithë» e, duke kujtuar deklaratën Fiducia Supplicans, e cila lejon bekimet për çiftet e parregullta dhe të të njëjtit seks, ai shpjegon: «Ungjilli është për t’i shenjtëruar të gjithë. Sigurisht, me kusht që të ketë vullnet të mirë. E duhet të jepen udhëzime të sakta për jetën e krishterë (nënvizoj se nuk bekohet bashkimi, por njeriu). E po mëkatarë jemi nga pak të gjithë: pse atëherë u dashka të hartohet lista e mëkatarëve që mund të hyjnë në Kishë e lista e mëkatarëve, që nuk munden? Ky nuk është Ungjilli”. Për sa i përket kritikave të dokumentit, Papa vëren se «ata që protestojnë me forcë i përkasin grupeve të vogla ideologjike», ndërsa atë të afrikanëve e përkufizon si «rast më vete», duke qenë se «për ta homoseksualiteti është diçka «e keqe» në këndvështrimin kulturor, ndaj nuk e tolerojnë atë". Por në përgjithësi, «besoj se gradualisht të gjithë do të qetësohen nga fryma e deklaratës», e cila «synon të përfshijë, jo të ndajë. Na fton t’i mirëpresim njerëzit dhe më pas t'i besojmë e t'ia besojmë Zotit". Françesku pranon se ndonjëherë ndihet i vetmuar, "por unë eci gjithmonë përpara, ditë pas dite" thotë - e nuk i trembem përçarjeve: "Ka pasur gjithmonë grupe të vogla në Kishë, që kanë shprehur reflektime skizmatike... duhet t'i lëmë të bëjnë kështu dhe të shkojnë në punë të vet... e të shikojmë përpara”.

Njeriu nuk duhet të bëhet ushqim për algoritmet, komunikimi  të mbetet plotësisht njerëzor

Papa më pas trajton temën e mesazhit të tij të fundit për Ditën Botërore të Komunikimeve Shoqërore, kushtuar inteligjencës artificiale, të cilën ai e përkufizon si "hap i mirë përpara, që do të jetë në gjendje të zgjidhë shumë probleme, por potencialisht, nëse trajtohet pa etikë, do të mund të shkaktojë edhe shumë të këqija për njeriun”. Objektivi është “të jetë gjithmonë në harmoni me dinjitetin e njeriut”, përndryshe “do të jetë vetëvrasje”.

Shtegtimet e ardhshme

Françesku pohon se ndihet mirë, pavarësisht nga disa dhimbje dhe se tani për tani nuk mendon të japë dorëheqjen. Kujton shtegtimet e ardhshme në Belgjikë, në Timorin Lindor, Papua Guinenë e Re dhe Indonezi, në gusht. E vë “në kllapa” hamendjen e udhëtimit në Argjentinë, duke sqaruar se nuk është ndjerë i ofenduar nga fjalët e Mileit gjatë fushatës zgjedhore dhe duke konfirmuar se do të takohet me presidentin e ri në ditët në vijim, menjëherë pas kanonizimit të ardhshëm të shenjtes argjentinase “Mama Antula, parashikuar për 11 shkurt. Gati për të folur me të.

Kisha që do të vijë dhe Konklavi i 11 vjetëve më parë

Pasi kujton Ditën Botërore të Fëmijëve, të cilët "janë mësues jete" dhe duhet të dëgjohen, Papa përsëriti ëndrrën për "një Kishë në dalje" dhe kujtoi çka ndodhi pas fjalëve të tij të shqiptuara në kongregacionet e përgjithshme, që i paraprinë Konklavit të 2013: “Pas fjalës sime shpërthyen duartrokitjet, të pashoqe në rreathana të tilla. Por unë nuk e kisha kuptuar absolutisht atë që shumëkush do të ma zbulonte më vonë: ai fjalim ishte "dënimi" im (buzëqesh, red.). Kur po largohesha nga salla e Sinodit, një kardinal që fliste anglisht më pa dhe bërtiti: “E bukur, ajo që thatë! E bukur. E bukur! Kemi nevojë për një Papë si ju!”. Por nuk e kuptova fushatën që përgatitej për të më zgjedhur. Deri në drekën e 13 marsit, këtu, në Shtëpinë e Shën Martës, pak orë para votimit vendimtar. Ndërsa po hanim, më bënë dy-tri pyetje “të dyshimta”... Pastaj nisa të them me vete: “Diçka e çuditshme po ndodh këtu...”. Por gjithsesi arrita të bëja një pushim të vogël. E, kur më zgjodhën, pata një ndjenjë befasuese paqeje brenda meje”. Më në fund, Françesku i kujton La Stampa-s se ndihet “si famullitar. I një famullie shumë të madhe, globale, sigurisht, por se i pëlqen të ruaj shpirtin e famullitarit. Gjë që do të thotë të jesh mes njerëzve. Ku e gjen gjithmonë Zotin”.

29 janar 2024, 11:44