Kërko

2023.12.09 Delegazione dell'Aeronautica Militare Italiana, nel Centenario dell'Istituzione 2023.12.09 Delegazione dell'Aeronautica Militare Italiana, nel Centenario dell'Istituzione  (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Papa: Aviacioni Ushtarak duhet të jetë rojtari i jetës, i drejtësisë e i paqes

Françesku, në pritjen e ushtarakëve italiane me krerët dhe kapelanët e tyre, nënvizoi urgjencën e sotme, përplot me "konflikte të tmerrshme", por edhe me përparim shkencor, që nuk duhet t'u nënshtrohet kurrë "interesave të pushtetit apo përdorimeve të dëmshme, por t’i shërbejë gjithnjë së mirës së përbashkët të njeriut dhe zhvillimit të të gjithë popujve".

R. SH. - Vatikan

Në një kohë kur konfliktet e tmerrshme e stërmundojnë njerëzimin, mbrojtja është detyrë e ushtarakëve "gjithnjë në ruajtje të jetës, drejtësisë dhe paqes". Françesku nënvizoi kështu rolin e rëndësishëm të forcave të armatosura italiane, duke pritur një përfaqësi të Aviacionit Ushtarak, shoqëruar nga Shefi i Shtabit dhe kapelanët. Papa nënvizoi kryesisht rolin e rëndësishëm të shërbimit të Forcave Ajrore, njëqind vjet pas themelimit, historia e të cilave "mund të lexohet nga këndvështrime të ndryshme", duke nisur nga ai i përparimit shkencor i cili, me evolucionin e tij, krijoi "botën e fluturimit"”, jo pa probleme e pa rreziqe:

“Kërkimi, inovacioni dhe teknologjitë e reja nuk duhet t'u nënshtrohen kurrë interesave të pushtetit ose përdorimeve të dëmshme, por duhet të kenë gjithnjë parasysh të mirën e përgjithshme të njeriut, zhvillimin e të gjithë popujve dhe drejtësinë më të madhe. Në këtë rrugë shërbimi juaj është dhe do të mbetet tejet i çmuar për paqen”.

Emergjencat për t'u përballuar

Evolucioni - vuri në dukje Papa - preku edhe shërbimin e ushtrisë, i cili kaloi nga i nevojshëm mbi të gjitha "në kohën tragjike të luftës", në i nevojshëm sot në "shumë kontekste të tjera": nga siguria e fluturimit, në shpëtim, në "bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare për misionet humanitare dhe mbështetëse të paqes, në "menaxhimin e fatkeqësive të rënda natyrore gjithashtu në favor të vendeve më pak të pajisura dhe popullsive më të pafavorizuara":

“Po mendoj edhe për kontributin tuaj në urgjencat shëndetësore, siç është pandemia e Covid-19, e cila ju impenjoi për të mbajtur në funksion spitalet, për të mbështetur fushatën e vaksinimit dhe për të siguruar transportin ajror të të sëmurëve”.

Angazhimi për mbrojtjen e jetës

Krahas asaj të Covid-19 dhe emergjencave të tjera shëndetësore, Papa  mendon edhe për “lëvizjen e qytetarëve ose të autoriteteve në kushte të vështira, jashtë vendit”, një angazhim – u kujtoi - “nga i cili kuptojmë vlerën e shërbimit tuaj ndaj atdheut, por edhe ndaj familjes së madhe njerëzore". E pikërisht ajo njerëzore "është fjala e fundit" që Françesku ua drejtoi ushtarakëve të cilët mbrojnë, mirëpresin, ndihmojnë dhe u shërbejnë njerëzve edhe falë ndihmës së kapelanëve. Në të njëjtën kohë ofrojnë formacion, duke ruajtur “identitetin e nëpunësve të shtetit dhe qytetarëve”.

Françesku përfundoi duke lavdëruar "pasionin, përkushtimin, guximin, motivimin" dhe aftësinë për të qenë gati e për ta paguar shërbimin me jetë, "siç ishte rasti, për shembull, i trembëdhjetë ushtarëve italianë të vrarë në Kindu të Kongos, gjatë një transportimi humanitar nën mbrojtjen e OKB-së”:

“Në këtë kohë, në të cilën njerëzimi trazohet nga konflikte të tmerrshme, ruajtja e kësaj pasurie njerëzore përfaqëson garancinë më të mirë të faktit se angazhimi juaj i shërben gjithmonë  mbrojtjes së jetës, drejtësisë dhe paqes. Për të gjitha këto, jua besoj ju, familjet tuaja dhe shërbimin tuaj Pajtores qiellore, Zojës së Loretos, që kujtohet nesër”.

09 dhjetor 2023, 13:23