Françesku: pranë atyre që vuajnë nga lufta
R. SH. - Vatikan
Pas lutjes së Engjëllit në këtë të dielë të fundit të Ardhjes dhe në prag të Krishtlindjes, Papa Françesku i kujtoi me lutje dhe me zemër, ata që jetojnë në zonat e prekura nga konflikti, në të gjithë botën:
“Jemi pranë vëllezërve dhe motrave tona, që vuajnë nga lufta. Mendojmë për Palestinën, Izraelin, Ukrainën. E edhe për ata, që vuajnë nga varfëria, uria, skllavëria. Zoti, që mori zemër njerëzore, ngjalltë humnizmin në zemrat e njerëzve!”.
Ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, 78 ditë luftë
Kjo është dita e 78-të e luftës ndërmjet Izraelit dhe Hamasit. Numërohen më se 20 mijë palestinezë të vdekur, duke përfshirë rreth 8 mijë fëmijë, sipas Hamasit. Në Izrael 1200 vetë vdiqën në sulmin e 7 tetorit. Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) njoftuan sot emrat e tetë ushtarëve të tjerë të vrarë në luftimet e djeshme, e shtunë, 23 dhjetor, duke e rritur në 13 numrin e ushtarëve të vrarë gjatë fundjavës, ndërsa ushtria vijon ofensivën kundër grupit militant islamik. Katër ushtarë të Korpusit të Inxhinierëve të Ushtrisë dhe një ndihmës mjek u vranë, viktima të një rakete në Gazën jugore. Katër të tjerë humbën jetën nga bombat në dy incidente të veçanta gjatë përleshjeve me njerëz të armatosur në qendër të Gazës. Këto vdekje e çojnë në 152 numrin e ushtarëve të vrarë që nga fillimi i operacionit tokësor, në fund të tetorit
Zëdhënësi ushtarak izraelit njoftoi se në 24 orët e fundit janë goditur rreth 200 objektiva të Hamasit në Rrip. Në Gazën veriore, trupat identifikuan “një depo armësh të Hamasit brenda një strukture civile. Brenda kompleksit, ngjitur me shkollat, xhaminë dhe një klinikë mjekësore, u gjetën rripa shpërthyes të përshtatur për fëmijët, dhjetëra fishekë mortajash, qindra granata dhe dokumente të inteligjencës. Në Jabalya, gjithnjë në veri - sipas të njëjtit burim - u vranë "shtatë terroristë dhe u shkatërruan katër poste vrojtimi të Hamasit, të shpërndara në zonë".
Në Ukrainë, sulm i ri i dronëve rusë
Gjatë natës Rusia nisi një sulm me 15 dronë kundër Ukrainës, kryesisht në jug të vendit, por mbrojtja ajrore shkatërroi 14 prej tyre, sipas ushtrisë së Kievit. Dronët u nisën nga bregu lindor i Detit Azov, në Rusi. Autoritetet ushtarake dhe civile nuk folën për dëme apo viktima. Sipas New York Times, presidenti rus Vladimir Putin në komunikimet më të fundit përmes kanaleve jozyrtare, "sinjalizoi në heshtje" se është i mendimit për armëpushim në Ukrainë. Sipas gazetës amerikane, që nga shtatori i kaluar Putini ka sinjalizuar përmes ndërmjetësve se është i mendimit për ndalimin e luftimeve përgjatë vijave aktuale të konfliktit.