Kërko

Papa para dhuratës së Krishtlindjes: Betlehemit e Bredhit Papa para dhuratës së Krishtlindjes: Betlehemit e Bredhit  (Vatican Media)

Françesku: para skenës së Shpellës, mendojmë për dramën e Tokës së Shenjtë

Papa u takua në Vatikan me delegacionet nga vendet prej nga erdhi Bredhi i Krishtlindjes dhe skena e lindjes së Krishtit, e cila sivjet na kujton Shpellën e parë të Betlehemit, krijuar 800 vjet më parë nga Shën Françesku: "Nga sheshi i Shën Pjetrit do të mendojmë për Greccio-n, qytezën që na çon rishtas në Betlehem".

R. SH. - Vatikan

Shpella e Lindjes së Krishtit u krijua në zonën e Rietit, ndërsa Bredhi i argjendtë, i zgjedhur si pemë e Krishtlindjes, vjen nga Lugina Maira në provincën e Cuneos. Në audiencën me delegacionet që këtë vit dhuruan skenën e lindjes së Krishtit dhe pemën e Krishtlindjes, lartuar në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa theksoi se skena e lindjes së Krishtit synon të rikujtojë pas 800 vjetësh, atmosferën e Krishtlindjes së viti 1223 në Luginën Reatina, ku ishte Shën Françesku. Në mendjen e varfanjakut të Asizit - vijoi Papa, "shtegtimi që pati bërë në Tokën e Shenjtë ishte ende i gjallë, ndërsa shpellat e Greccio i kujtonin pikërisht peizazhin e Betlehemit":

“Prandaj deshi ta paraqiste skenën e Krishtlindjes në atë katund të vogël: shumë fretër vinin nga të katër anët, e edhe burra e gra nga shtëpitë e fermave të zonës, duke krijuar skenën e gjallë të ardhjes së Krishtit. Kështu nisi tradita e Shpellës së Betlehemit, siç e kuptojmë ne. Prandaj, këtë vit nga Sheshi i Shën Pjetrit do të mendojmë për Greccion, që na kujton Betlehemin. E ndërsa sodisim Jezusin, Zotin e bërë njeri, të vogël, të varfër, të pambrojtur, nuk mund të mos mendojmë për dramën që po jetojnë banorët e Tokës së Shenjtë, duke ua shprehur këtyre vëllezërve dhe motrave tona, veçanërisht fëmijëve dhe prindërve të tyre, afërsinë dhe mbështetjen tonë shpirtërore. Janë këta, që paguajnë haraçin e vërtetë të luftës”.

Heshtje dhe lutje

Papa nënvizoi se "përpara çdo skene të lindjes së Krishtit, madje edhe atyre të bëra në shtëpitë tona, ne rijetojmë çka ndodhi në Betlehem më shumë se dy mijë vjet më parë":

“E kjo duhet të zgjojë tek ne mallin për heshtjen e për lutjen, në të përditshmen tonë shpeshherë plot me tensione. Heshtje, që të mund të dëgjojmë çka na thotë Jezusi nga ajo "katedër" e vetme, që është grazhdi. Lutje, për të shprehur habinë mirënjohëse, butësinë, ndoshta edhe për të derdhur lotët, që na ngjall skena e Lindjes. E, në të gjitha këto Maria është modeli ynë: ajo nuk flet, por sodit dhe adhuron”.

Bredhi na kujton rëndësinë e kujdesit për mjedisin

Në Sheshin e Shën Pjetrit, pranë skenës së lindjes së Krishtit, lartohet bredhi 28 metra i gjatë. Druri i tij do të përdoret për të bërë lodra, të cilat do të dërgohen në Caritas.

“U pasurua me yje alpine, të kultivuara në rrafshnalta, për të mbrojtur ato që rriten në malet e larta. Edhe kjo është një zgjedhje që na bën të reflektojmë, duke theksuar rëndësinë e kujdesit për shtëpinë tonë të përbashkët: gjestet e vogla janë themelore në kthesën ekologjike, gjeste  respekti dhe mirënjohjeje për dhuratat e Zotit”.

Takimi i Papës Françesku me delegacionet i paraprin një ngjarjeje të pritur me padurim, planifikuar për pasdite. Përurimi tradicional i skenës së lindjes së Krishtit dhe ndezja e dritave të pemës së Krishtlindjes në Sheshin e Shën Pjetrit planifikohet për në orën 17:00. Ceremonia do të kryesohet nga Kardinali Fernando Vérgez Alzaga, president i Guvernatoratit të Shtetit.

09 dhjetor 2023, 11:57