Vikari i Arabisë Veriore: Papa në Dubai hedh dritë të re mbi Kishat e Gadishullit Arabik
R. SH. - Vatikan
Lajmi për shtegtimin e tretë të Papës Françesku në Gadishullin Arabik dhe pikërisht në Dubai, në Emiratet e Bashkuara Arabe, nga data 1 deri më 3 dhjetor, me rastin e COP28, mbërriti në Bahrein mëngjesin e sotëm, 4 nëntor, në orën 11 me orën lokale, kur u hap Porta Shenjte, në Katedralen e Zojës së Arabisë, në Awali, për fillimin e Jubileut të jashtëzakonshëm të Vikariateve Apostolike të Arabisë Veriore dhe Jugore, ngjarje që feston 1500-vjetorin e martirizimit të shenjtorëve Aretas dhe bashkëdëshmorëve, më shumë se 4 mijë, vrarë gjatë persekutimit antikristian në vitin 523, në Najran, në Arabinë paraislamike. Nga data 24 tetor i këtij viti, deri më 23 tetor 2024, mund të merret ndjesa e plotë, e miratuar nga Papa Françesku përmes një Dekreti të Pendestarisë Apostolike.
Jubile, që hapet një vit pas vizitës së Papës
Data e zgjedhur për hapjen zyrtare të Jubileut përkon me përvjetorin e parë të shtegtimit të Papës në Bahrein, me rastin e "Forumit të dialogut ndërmjet feve”, pasuar nga vizita historike në Abu Dabi, e në shkurt 2019, në Emiratet, ku u nënshkrua Dokumenti për Vëllazërinë Njerëzore, me Imamin e Madh të Al-Azhar Al-Tayyeb. Ne dëgjuam dëshminë e vikarit apostolik të Arabisë Veriore, ipeshkvit Aldo Berardi, i cili sot hapi Portën Shenjte në Awali, një vit pas takimit të lutjes ekumenike të kryesuar nga Papa në të njëjtën katedrale dhe më pas kremtoi Meshën Shenjte. Rregulltar talo-francez i Urdhrit të Trinisë së Shenjtë dhe të Skllevërve, misionar fillimisht në Egjipt, që nga viti 2000, dhe më pas në Bahrein, emëruar famullitar në janar të këtij viti, 60-vjeçari Imzot Berardi nënvizon se falë të dy Udhëtimeve të mëparshme të Françeskut dhe këtij të fundit të shpallur në Dubai, Kisha në Gadishullin Arabik, "mbetur disi në errësirë për shumë vite", vihet në qendër të vëmendjes. Gjiri - kujton - është i ndarë në shumë vende dhe të gjitha gëzohen, kur dihet se Papa interesohet për këto vise. Tashmë ka ardhur dy herë, tani do të jetë e treta. Në një situatë pak më ndryshe, sepse vjen në takimin e Kombeve të Bashkuara për ekologjinë dhe shpëtimin e planetit. Ndoshta do të mbajë një fjalim për këtë, nuk e di saktësisht, sepse ne nuk e kemi ende programin.