Kërko

Papa Françesku kremton lutjen e Engjëllit Papa Françesku kremton lutjen e Engjëllit   (REUTERS)

Ukraina dhe Lindja e Mesme, Papa: dialogu copëton urrejtjen, është e vetmja rrugë drejt paqes

Në përfundim të Engjëllit, Papa kujtoi të gjithë popujt e copëtuar nga konfliktet e, në veçanti Izraelin dhe Palestinën: “Falënderojmë Zotin sepse më në fund ka armëpushim”- theksoi- e më pas u lut për lirimin e të gjithë pengjeve dhe për hyrjen e sa më shumë ndihmave humanitare në Gaza

R. SH. - Vatikan

“Lutja është forca e paqes, që thyen spiralen e urrejtjes, thyen ciklin e hakmarrjes dhe hap shtigje të papritura pajtimi”. Edhe këtë të dielë, në fund të Engjëllit, kremtuar me këtë rast nga Kapela e Shtëpisë së Shën Martës për shkak të gjendjes së gripit që e kaploi dje, Françesku lutet për "të gjithë popujt e copëtuar nga konfliktet".

Të lirohen gjithë pengjet dhe të hyjnë ndihmat humanitare

Papa, në tekstin e lexuar nga Imzot Paolo Braida, i Sekretarisë së Shtetit, u bëri thirrje besimtarëve që e dëgjonin përmes video-lidhjes nga Sheshi i Shën Pjetrit dhe nga e gjithë bota, të vazhdojnë të luten për paqen pa u lodhur kurrë. Në veçanti, fjalët e Ipeshkvit të Romës shprehën lehtësim për armëpushimin në Lindjen e Mesme:

“Sot falenderojmë Zotin sepse më në fund ka armëpushim ndërmjet  Izraelit dhe Palestinës dhe disa pengje janë liruar. Të lutemi që të jenë sa më shpejt të jetë e mundur të gjithë - të mendojmë për familjet e tyre - që të hyjnë më shumë ndihma humanitare në Gaza dhe të ngulet këmbë në dialog: kjo është mënyra e vetme, e vetmja mënyrë për të pasur paqe. Ata që nuk duan të dialogojnë, nuk duan paqe”.

Vuajtjet e popullit ukrainas

Vështrimi i Papës u drejtua përsëri nga Ukraina e martirizuar, e cila dje "përkujtoi Holodomorin, genocidin e kryer nga regjimi sovjetik që, 90 vjet më parë, shkaktoi vdekjen nga uria të miliona njerëzve":

“Ajo plagë e thellë, në vend që të shërohet, dhemb edhe më shumë nga mizoritë e luftës, që vazhdon ta bëjë të vuajë atë popull të dashur”.

26 nëntor 2023, 13:29