Kërko

Rrënoja  tërmeti Rrënoja tërmeti  (2019 ChiccoDodiFC FotoOk.it Copyright All Rights Reserved)

Tërmeti, Françesku: rindërtoni duke respektuar njeriun dhe natyrën

Papa takon popullsinë e Italisë qendrore të prekur nga tërmetet e viteve 2016 dhe 2017, rikujton afërsinë e tij me familjarët e viktimave dhe rithekson nevojën për t'i kushtuar vëmendje qëndrueshmërisë, natyrës dhe ndryshimeve klimatike. Ta ndjekësh njeriun "është udha që mund të ndihmojë edhe për t’i përballuar krizat e shpopullimit dhe të rënies demografike".

R. SH. - Vatikan

Në rindërtimin e trojeve të shkatërruara nga tërmetet është e nevojshme t'i kushtohet vëmendje qëndrueshmërisë, natyrës dhe ndryshimeve klimatike, në mënyrë që “nga rrënojat e vjetra, të lindë diçka e re". Françesku u flet përfaqësuesve të popullsisë së Italisë qendrore, prekur nga tërmetet që mbollën "vdekje dhe shkatërrim" ndërmjet 24 gushtit 2016 dhe janarit 2017.

“Tërmeti është përvojë shkatërrimtare, si fizikisht ashtu edhe moralisht: e shemb në një çast të vetëm punën e disa breznive, na bën ta ndjejmë  veten të brishtë dhe të pafuqishëm. Përvojë e jetuar nga secili prej jush”.

Hapa përpara në rindërtim

Françesku përsëriti afërsinë e tij me familjarët e viktimave e, në të njëjtën kohë, njohu meritat e popullatave që bënë "hapa të rëndësishëm përpara në rindërtim", duke dëshmuar se "fryma e bashkëpunimit mund t’i kapërcejë pengesat dhe pasiguritë":

“Ju ditët ta shfrytëzoni mundësinë për një fillim të ri, veçanërisht me programin e rilindjes socio-ekonomike Next Appennino, duke propozuar t’i kushtohej vëmendje tre elementeve shumë të rëndësishme: qëndrueshmërisë, natyrës dhe ndryshimeve të sotme klimatike”.

Rëndësia e qëndrueshmërisë

Miratimin e "kritereve të përshtatshme të qëndrueshmërisë" Françesku e quan "akt i rëndësishëm drejtësie dhe bamirësie",  që i plotëson nevojat, pa vënë në rrezik as ata që jetojnë sot, e as ata, që do të vijnë në të ardhmen:

“Është ngushëlluese të shohësh se si mundët ta vlerësoni rindërtimin mbi eliminimin e shpërdorimeve, mbi vlerësimin e shpërndarjes së drejtë të burimeve, mbi mbrojtjen e më të prekurve dhe mbi shembjen e barrierave arkitektunike”.

Drama e shpopullimit

Prej këndej, "nevojat e lidhura me zhvillimin ekonomik dhe atë teknik" duhet të integrohen "me ato të një cilësie të mirë jetese, si personale ashtu edhe komunitare". Duhet ta kthejmë njeriun në qendër të qytetit, vëren Françesku, me një sy gjithmonë të vëmendshëm mbi ligjshmërinë dhe sigurinë:

“Kjo është rruga për t’u ndjekur: gjithmonë njeriu. Është rruga që mund të ndihmojë edhe për të përballuar krizat e shpopullimit dhe të rënies demografike, duke ofruar mundësinë e të jetuarit në mjedise të pasura me gjithçka lanë etërit, shtuar dhe zbukuruar me menaxhim të mençur për bashkësinë; e gjithë kjo, gjithmonë me vëmendjen më të madhe për mbikëqyrjen e ligjshmërisë së kontratave dhe procedurave, si dhe të sigurisë në punë. Ky është çelësi. Shpopullimi është problem. Në Itali nuk keni fëmijë dhe kjo është serioze. Ne kemi një moshë mesatare 46 vjeç. Duket se familjeve u pëlqen më shumë të kenë qen apo mace të vogla, jo fëmijë: kulturë veterinare, kjo, kini kujdes! Thua mund të quhet trashëgimi?”.

Të respektohet vepra e Zotit

Zonat e goditura nga tërmeti, me hijeshinë e peisazheve të tyre dhe fshatrat e lashta, janë - vazhdoi Papa - "model harmonie ndërmjet veprës së Zotit dhe asaj të njeriut". Inkurajoi, prandaj, rindërtim që respekton veprën hyjnore dhe mjedisin, që nuk shpërfytyron "peizazhin me ndërtime tepër pushtuese dhe të shëmtuara", që nuk e ndot mjedisin dhe që nuk i ndryshon "speciet e tjera të kafshëve dhe të bimëve", duke pasur gjithmonë parasysh sfidat që paraqet sot ndryshimi i klimës:

“Ju inkurajoj në synimin tuaj për ta bërë rindërtimin mundësi edhe në këtë kuptim: për t’i korrigjuar gabimet e së shkuarës dhe për t’i bërë në një mënyrë tjetër planet e zhvillimit për të ardhmen. Është emergjencë, besoj, për të gjithë Italinë. Krahas përkushtimit ndaj lindshmërisë, angazhimi për sigurinë hidrogjeologjike përfaqëson një nevojë jetike, që bëhet edhe më e nevojshme nga përshpejtimi i ndryshimeve klimatike. Të dy frontet janë largpamëse, themelore, për sot e për nesër”.

Kufizoni ndikimin e ndryshimeve klimatike

Përballë vetëdijes se ndikimi i ndryshimeve klimatike do të "dëmtojë gjithnjë e më shumë jetën" e njerëzve dhe të familjeve, është e nevojshme të miratohen, nga njëra anë, "masat për të ndaluar lëvizjen e vazhdueshme" dhe nga ana tjetër, "për të siguruar adresimin e tyre, si në nivel global ashtu edhe në nivel lokal”:

“Bëhet fjalë, për shembull, për të pasur kujdes më të madh në pastrimin e pyjeve dhe të shtratit të lumenjve e të përrenjve; për të reduktuar dhe dekurajuar mbindërtimin e territorit; për përdorimin e llojeve të reja të kulturave dhe të blegtorisë në sektorin e bujqësisë, me investimet e duhura për vitet në vijim. Edhe këtu bëhet fjalë për një vështrim të hapur, të vëmendshëm ndaj të tjerëve dhe ndaj atyre që do të vijnë pas nesh; nuk duhet të çkurajohemi nga kritikat apo pakënaqësitë”.

Rruga drejt rindërtimit pas-sizmik është e gjatë dhe jo e lehtë - përfundoi Françesku - duke u shprehur afërsinë njerëzve që humbën anëtarët e familjes dhe mjetet e jetesës dhe duke vlerësuar frymën e mirë me të cilën po trajtohet rindërtimi, me vendosmëri dhe ide të qarta.

24 nëntor 2023, 14:38