Kërko

Fëmijë që ikin me gomarë nga Sudani, në  Chad Fëmijë që ikin me gomarë nga Sudani, në Chad 

Papa: të mos i harrojmë këta vëllezër të vënë në provë!

Pas lutjes të së dielës, Papa Françesku u shprehu afërsinë e tij "popullsive të dashura" të Sudanit, të cilat prej disa muajsh janë "viktima të një lufte civile, që nuk e ka ndër mend të pushojë”.

R. SH. - Vatikan

Françesku na nxit të mos i  harrojmë "këta vëllezërit tanë që po kalojnë një provë të vështirë" duke kujtuar edhe se konflikti në vendin afrikan po shkakton dëme të mëdha:

“Po shkakton viktima të shumta, miliona njerëz të zhvendosur brenda vendit, refugjatë në vendet fqinje dhe një situatë shumë të rëndë humanitare”.

Pas shtatë muajsh lufte, kronikat e fundit në terren flasin për akuza të anasjellta lidhur me përgjegjësinë për sulmet e nisura në Sudan ndërmjet dy palëve ndërluftuese, ushtrisë dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF): shqetësimi i fundit është shkatërrimi, mëngjesin e djeshëm, 11 nëntor, i një ure strategjike që lidh dy periferi të kryeqytetit Khartoum.

OKB: situatë e zymtë dhe e tmerrshme

Lidhja Shambat, ndërmjet qytetit Bahri, në veri të Khartoumit, dhe Omdourman, në periferi perëndimore, u shkatërrua. Druhet se në vendin afrikan do të përsëritet konflikti vdekjeprurës etnik i njëzet viteve më parë në Darfur. Clementine Nkweta-Salami, koordinatorja rezidente humanitare e Kombeve të Bashkuara për Sudanin, në një konferencë shtypi të OKB-së, pohoi se "situata është e zymtë dhe e tmerrshme". Luftimet vazhdojnë të dendësohen pavarësisht nga deklarat që palët ndërluftuese nënshkruan  pas bisedimeve të paqes në Jeddah të Arabisë Saudite, duke u zotuar për të mbrojtur civilët dhe për të ofruar hyrje pa pengesa të ndihmave humanitare për 25 milionë njerëz, që kanë nevojë për gjithçka mund ta mbajë gjallë jetën. Gjeneralët ndërluftues janë zotuar të krijojnë një Forum Humanitar, me pjesëmarrjen e Kombeve të Bashkuara. Sektori i kujdesit shëndetësor është i shkatërruar, me më shumë se 70% të objekteve jashtë përdorimit. Ka vatra të kolerës, malaries dhe fruthit. "Çka shihet qartë, është uria në rritje" - pohon koordinatorja humanitare. Rreth 12 milionë njerëz kanë marrë ndihmat e OKB-së, po janë vetëm gjysma e  nevojtarëve. Donatorëve u bëhet thirrje për fonde të reja në ndihmë të popullsisë.

Vrasje të përhapura, abuzime, shkelje të të drejtave të njeriut: një Darfur i ri

Rreth 300,000 njerëz kanë vdekur në konfliktin e Darfurit, 2.7 milionë janë dëbuar nga shtëpitë e tyre. Darfur është bërë sinonim i gjenocidit dhe krimeve të luftës, e drejtuesit e organizatave ndërkombëtare  kanë frikë se lajmet për vrasjet e përhapura, përdhunimet dhe shkatërrimin e fshatrave në rajon, po përsërisin atë që ka ndodhur në mënyrë të tmerrshme në të kaluarën. Nkweta-Salami pohon akoma se është veçanërisht e prekur nga dhunimi i grave, "në disa raste - kujton - vajzat e reja u përdhunuan para nënave të tyre". Kjo situata, pa harruar dhe rrëfimet e tmerrshme të sulmeve dhe abuzimeve të të drejtave të njeriut nga refugjatët, që u larguan nga Darfur drejt Çadit fqinj.

12 nëntor 2023, 13:18