Shtegtimi i Papës në Dubai anulohet me kërkesën e mjekëve
R. SH. - Vatikan
Sipas këshillës së mjekëve, Papa Françesku "me keqardhje të madhe" e anuloi shtegtimin e tij në Dubai, planifikuar nga 1 deri në 3 dhjetor me rastin e Cop28. Vendimi - i komunikuar nga drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni - merret për shkak të gjendjes shëndetësore të Papës, pasi një skanim CT kryer të shtunën e kaluar zbuloi inflamacion të mushkërive.
Kërkesa e mjekëve
Në një njoftim dje në mbrëmje, Bruni shpjegon: “Megjithëse pasqyra e përgjithshme klinike e Atit të Shenjtë është përmirësuar në lidhje me gjendjen e gripit dhe inflamacionit të rrugëve të frymëmarrjes, mjekët i kërkuan Papës të mos e bëjë udhëtimin e programuar për ditët e ardhshme në Dubai, me rastin e Konferencës së 28-të të Palëve të Konventës kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike”.
Keqardhja e Papës
“Papa Françesku e pranoi me keqardhje të madhe kërkesën e mjekëve për anulimin e udhëtimit të tij - shpjegon zëdhënësi i Vatikanit - që vijon njoftimin: “Meqë Papa dhe Selia e Shenjtë janë të gatshëm të marrin pjesë në diskutimet që do të zhvillohen gjatë ditëve në vijim, mënyrat se si kjo mund të zbatohet do të përcaktohen sa më shpejt që të jetë e mundur”.
Siç u kujtua më sipër, Papa Françesku duhej të nisej më 1 dhjetorin e ardhshëm drejt qytetit të Emirateve për të marrë pjesë në takimin e rëndësishëm të klimës, ku do të mbante një fjalim paraditën e së shtunës, më 2 dhjetor. Të nesërmen, e dielë, 3 dhjetor, planifikohej përurimi i Faith Pavillon (Pavijoni i Fesë), brenda zonës Expo City. Jorge Mario Bergoglio do të ishte Papa i parë që do të merrte pjesë në Konferencën e Palëve, për së cilën ka treguar përherë vëmendje të madhe, aq sa të përmendte pjesë të tëra në thirrjen e fundit apostolike Laudate Deum, si mundësi për ndryshim, në të cilën mund të vareshin shpresat për një botë që sheh se kriza klimatike vijon të rëndohet gjithnjë më shumë.
Gjendja shëndetësore
Të shtunën e kaluar Papa pati anuluar të gjitha audiencat për arsye shëndetësore. Në orët e para të pasdites iu nënshtrua një skanimi CT në spitalin Gemelli Isola Tiberina në Romë, i cili - raportoi zëdhënësi i Vatikanit Matteo Bruni të hënën - përjashtoi pneumoninë, por pohoi inflamacionin e mushkërive, që po shkaktonte vështirësi në frymëmarrje. Për një ndikim më të madh të terapisë, u vendos një gjilpërë kanulë për infuzion intravenoz me antibiotikë. Për të shmangur të ftohtin, që filloi në Romë ditët e fundit, Papa e kremtoi lutjen e Engjëllit të Tënzot nga kapela e Shtëpisë së Shën Martës dhe jo nga dritarja e Pallatit Apostolik, duke folur vetë për gjendjen e tij shëndetësore dhe duke falënderuar besimtarët për mbështetjen e tyre.
Për të lehtësuar shërimin sa më të shpejtë të Papës, u shtynë disa nga angazhimet më të rëndësishme të programuara për këto ditë; megjithatë, të tjera të natyrës institucionale ose më të lehta për t'u mbështetur duke pasur parasysh kushtet aktuale shëndetësore të Papës u ruajtën, mbasi që nga fillimi i javës përmirësimi shëndetësor vijon, pa ethe apo probleme të veçanta të frymëmarrjes. “Gjendja e Papës është e mirë dhe e qëndrueshme” - pohoi drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, por mjekët mendojnë që Françesku të vazhdojë të pushojë dhe të mos përballojë vështirësitë, që kërkon një udhëtim ndërkombëtar.