Presidenti i Qipros, në audiencë me Papën
R. SH. - Vatikan
Sot paradite Papa priti në audiencë Presidentin e Republikës së Qipros, Nikos Christodoulides, në Pallatin Apostolik të Vatikanit. Menjëherë pas, ky i fundit u takua me kardinalin Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit, i shoqëruar nga Imzot Daniel Pacho, nënsekretar për sektorin shumëpalësh të seksionit të marrëdhënieve me Shtetet dhe Organizatat ndërkombëtare.
Bisedimet për emigrantët dhe Lindjen e Mesme
“Gjatë bisedës së përzemërt në Sekretarinë e Shtetit” - njofton një komunikatë e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, “u shpreh vlerësimi për marrëdhëniet pozitive dypalëshe, duke cekur edhe disa çështje të hapura lidhur me marrëdhëniet Kishë-Shtet. Më pas të dyja palët u ndaluan tek disa nga sfidat aktuale të vendit, duke përfshirë sidomos, atë të emigrantëve”. Vijuan edhe me shkëmbimin e pikëpamjeve mbi situatën ndërkombëtare, me vëmendje të veçantë tek konfliktet e vazhdueshme, duke përfshirë ato në Izrael dhe Palestinë".
Shkëmbimi i dhuratave
Papa i dhuroi presidentit “Medaljonin e Shpirtit Shenjt”, vepër prej bronzi; vëllimet e dokumenteve papnore dhe Mesazhin e sivjetshëm për Paqen. Ndërsa Christodoulides – Françeskut, riprodhimin e një druri ulliri, realizuar në dru e në metal. Simbol i paqes, që aq shumë e pret mbarë bota!