Kërko

Presidenti i Paraguajit në audiencë te Papa

Santiago Peña Palacios në takim me Papën për rreth 25 minuta në Shtëpinë e Shën Martës në Vatikan. Në bisedimet në Sekretarinë e Shtetit të Selisë së Shenjtë, përforcimi i marrëdhënieve të ndërsjella, programi i qeverisë së re të Paraguajit për luftimin e varfërisë, ruajtjen e mjedisit dhe paqen ndërmjet kombeve. Dhurata të shumta iu dorëzuan nga kreu i shtetit Papës, duke përfshirë një skenë të lindjes së Krishtit, një ponço, skulptura të punuara në vend dhe një shportë me produkte tipike.

R.SH. / Vatikan

Papa Françesku priti sot paradite në audiencë Presidentin e Paraguajit, Santiago Pena Palacios. Takimi që zgjati afërsisht 25 minuta, u mbajt në shtëpinë e Shën Martës dhe jo në Pallatin Apostolik, për shkak se Papa vuan nga një inflamacion i mushkërive, siç njoftoi sot paradite zëdhënësi i Vatikanit Matteo Bruni. Në audiencën papnore ishin të pranishëm edhe gruaja e Presidentit të Paraguajit dhe një delegacion prej trembëdhjetë anëtarësh.

Bisedimet në Sekretariatin e Shtetit të Vatikanit

Pas bisedës me Papën, njofton zyra e shtypit e Vatikanit, Presidenti Peña Palacios u takua me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin, shoqëruar nga Imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare. "Gjatë diskutimeve të përzemërta në Sekretarinë e Shtetit - njofton zyra e shtypit e Vatikanit - u vlerësuan marrëdhëniet e mira midis Selisë së Shenjtë e Republikës së Paraguajit dhe u shpreh dëshira për t'i përforcuar më tej ato. Më pas bisedimet u fokusuam në programin e qeverisë së re të Paraguajit për të luftuar varfërinë”. Më tej, thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit, “u prekën edhe disa tema me interes të përbashkët siç është mbrojtja e mjedisit, situata e vendeve të rajonit dhe përkushtimi për paqen ndërmjet kombeve”.

Shkëmbimi i dhuratave

Të shumta dhuratat që presidenti i Paraguajit i solli Papës. Fillimisht, një skenë të lindjes së Krishtit, bërë nga artizanët indigjenë paraguaianë, pastaj një ponço ndrequr me mjeshtëri lokale, një shportë me produkte ushqimore tipike, një statujë prej druri të Virgjërës Mari dhe një Rruzare argjendi.

Papa Françesku iu kundërpërgjigj me një skulpturë bronzi që paraqet dy duar që lidhen, në sfondin e kolonadës së Shën Pjetrit, me një grua me një fëmijë dhe një anije migrantësh me shkrimin "T’i mbushim duart me duar të tjera". Gjithashtu iu dhuruan edhe dokumentet e magjisterit të Papës dhe Mesazhi për Ditën Botërore të Paqes këtij viti.

27 nëntor 2023, 12:04