Kërko

2023.11.03 Celebrazione eucaristica in suffragio di Benedetto XVI e di Cardinali e Vescovi defunti nel corso dell'anno 2023.11.03 Celebrazione eucaristica in suffragio di Benedetto XVI e di Cardinali e Vescovi defunti nel corso dell'anno  (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Papa: Zoti i do të përvuajturit. Kardinajtë e ipeshkvijtë thirren për të shërbyer

Dje mbarë bota katolike përkujtoi të vdekurit, ndër varrezat e shumta të shpërndara nëpër qytete të mëdha e katunde, nëpër kisha e kapela, nëpër rrugë e nëpër vise të humbura…Ishte Dita e të Vdekurve, kujtimi i të cilëve do të vijojë gjatë gjithë këtij muaji. Dje edhe Papa ishte për vizitë në varrezën e Komonuelthit në Romë, prej nga i drejtoi mbarë botës thirrjen: mjaft më me luftëra, rrenojnë jetën! Ndërsa sot kremtoi në Shën Pjetër, në Altarin e Katedrës, Meshën për shpirtin e Papës Benedikti

R. SH. - Vatikan

Papa e nisi homelinë me dy fjalë, frymëzuar nga Ungjilli i ditës. E para ishte dhembshuria. Pasuar nga përshkrimi i skenës prekëse ungjillore të takimit të Jezusit me një turmë, që shoqëron drejt varrezave djalin e vetëm të një nëne të vejë. Zoti e pa - na kujton Ungjilli - e ndjeu dhembshuri të madhe për të (Lk 7:13). Benedikti XVI - vijoi Françesku - të cilin e kujtojmë sot së bashku me kardinajtë dhe ipeshkvijtë që vdiqën gjatë vitit, në Enciklikën e tij të parë, pati shkruar se programi i Jezusit është "një zemër që sheh" (Deus caritas est, 31):

“Sa herë na kujtoi se feja nuk është para së gjithash ide për t'u kuptuar apo moral për t'u adoptuar, por Vetje për t’u takuar, Jezu Krishti: zemra e Tij rreh fort për ne, shikimi i Tij përmallohet përballë vuajtjeve tona”.

E dhembshur është Zemra e Zotit

Zoti, siç e tregon Ungjilli i sotëm - vijoi Papa - ndalet para dhimbjes së asaj vdekjeje. E pikërisht me këtë rast, për herë të parë, Ungjilli i Lukës i jep Jezusit titullin “Zot”: “Zot, që mbushet me dhembshuri të madhe”:

“Quhet Zot – pra Zot, që ka zotërim mbi gjithçka, pikërisht në aktin e dhembshurisë së tij për një nënë të vejë, e cila ka humbur, me djalin e saj të vetëm, arsyen për të jetuar. Kështu është Perëndia ynë, hyjnia e të cilit shkëlqen në kontakt me mjerimet tona, sepse zemra e tij është e dhembshur”.

 Ringjallja e atij biri, dhurata e jetës që mposht vdekjen, lind pikërisht nga ky çast: nga dhembshuria e Zotit, i cili preket nga e keqja jonë më e madhe, nga vdekja - nënvizoi Papa, - që kujtoi më pas sa e rëndësishme është t'u komunikohet ky vështrim dhembshurie atyre që jetojnë dhimbjen e vdekjes së njerëzve të tyre të dashur!

A është gabim të qash?

A është gabim të qash? Kësaj pyetjeje i jep përgjigje Papa në vijim të homelisë. Dhembshuria e Jezusit ka një karakteristikë - vijoi - është konkrete. Ai, na tregon Ungjilli, "i afrohet dhe e prek arkivolin" (shih Luka 7:14). Prekja e arkivolit të një të vdekuri ishte e kotë; në atë kohë, për më tepër, konsiderohej gjest i papastër, i cili i përlyente ata që e kryenin. Por Jezusi nuk i kushton pikë vëmendjeje këtij zakoni! Është stili i Zotit, i krijuar nga afërsia, dhembshuria dhe butësia. Krishti nuk predikon për vdekjen. Vetëm një gjë i thotë asaj nëne: "Mos qaj!" (Luka 7:13). Pse?

“A është gabim të qash? Jo, vetë Jezusi qan në Ungjij. I thotë mos qaj, se me Zotin lotët nuk zgjasin përjetë, kanë fund. Ai është Perëndia që, siç profetizon Shkrimi, ‘do ta zhdukë vdekjen’ dhe ‘do t’i fshijë lotët nga çdo fytyrë’ (Is 25:8; krh. Zbulesa 21:4). Ai i bëri të tijtë lotët, për t'i terë nga sytë tanë”.

Këtu është dhembshuria e Zotit, që vjen për të ringjallur atë bir të vogël. Jezusi e bën atë, ndryshe nga mrekullitë e tjera, pa i kërkuar as nënës së tij që të ketë besim. E pse një mrekulli kaq e jashtëzakonshme dhe e rrallë? Sepse këtu përfshihet jetimi dhe e veja, të cilët Bibla i cilëson, së bashku me të huajin, si më të vetmuarit dhe më të braktisurit, që nuk mund t'i besojnë askujt tjetër, veç Zotit, prandaj janë njerëzit më të afërt dhe më të dashur për botën:

“Ne nuk mund të jemi intimë dhe të dashur për Perëndinë, ndërkohë që i shpërfillim ata, të cilët gëzojnë mbrojtjen dhe predikimin e tij dhe që do të na mirëpresin në parajsë”.

Të përvuajturit na mësojnë rrugën, që të çon në Parajsë

 

Duke i parë ata, marrim një mësim të rëndësishëm, të cilin Papa e përmblodhi në fjalën e dytë të homelisë së sotme: përvujtërinë. Jetimi dhe e veja janë të përvuajturit, që nuk mbështeten në forcën e tyre, por në Zotin. Duke na zbuluar, kështu, vogëlsinë aq të pëlqyeshme për Zotin, rrugën që të çon në Parajsë. Zoti kërkon njerëz të përvuajtur, të cilët shpresojnë në Të, jo tek vetja dhe planet e tyre. Vëllezër e motra, kjo është përvujtëria e krishterë: jo një virtyt ndërmjet të tjerëve, por prirja bazë e jetës:

 “Të besosh se ke nevojë për Zotin dhe t'i bësh vend, duke i mbështetur në Të të gjitha shpresat”.

 Zoti e do përvujtërinë, sepse edhe Ai vetë është i përvuajtur. Zbret drejt nesh, ulet; nuk imponohet. I do të përvuajturit, sepse i ngjajnë më shumë se kushdo tjetër. Mbasi "ai që përul veten, do të lartohet" (Lk 14:11).

Punëtorë të përulur në vreshtin e Zotit

Në vijim Françesku kujtoi fjalët e para të Papës Benedikti, shprehje e përvujtërisë, virtyt kryesor, që duhet ta ketë çdo njeri: "Punëtor i përvuajtur në vreshtin e Zotit":

“Po, i krishteri, veçanërisht Papa, Kardinajtë, Ipeshkvijtë thirren për të qenë punëtorë të përvuajtur: të shërbejnë, jo të shërbehen; para fryteve të veta, të mendojnë për ato të vreshtit të Zotit. Sa bukur është të heqësh dorë nga vetja, për Kishën e Jezusit!”.

Lutje, për vëllezërit tanë të ndjerë

Papa e përfundoi homelinë me një kërkesë, drejtuar të gjithëve këto ditë prekëse:

“T'i kërkojmë Zotit shikim të dhembshur e zemër të përvuajtur. Të mos lodhemi duke e kërkuar, sepse  pikërisht në rrugën e dhembshurisë dhe të përvujtërisë Zoti na jep jetën, që e mund vdekjen. E të lutemi për vëllezërit tanë të dashur, që nuk janë më mes nesh. Zemra e tyre ishte baritore, e dhembshur; e përvuajtur, sepse kuptimi i jetës së tyre ishte Zoti. Në Të  gjetën pushimin e pasosur. U gëzofshin me Marinë, të cilën Zoti e naltoi, duke parë përvujtërinë e saj” (shih Luka 1:48).

Kujtim për Benediktin

Me këto fjalë plot shpresë për jetën e pasosur e përfundoi homelinë Papa, duke theksuar kryesisht trashëgiminë e paraardhësit, Benediktit. Kujtojmë se Papa Ratzinger u varros më 5 janar 2023 në varrin e zbrazët të Shën Gjon Palit II, reliket e të cilit u mbartën në Bazilikën e Shën Pjetrit. E se në Kriptën e Vatikanit pushojnë në paqe më se 90 Papë, varret e të cilëve vizitohen dendur këto ditë  kushtuar të shuemve. Benedikti XVI, ashtu si Paraardhësi, pushon në një varr të thjeshtë prej mermeri, ashtu si i thjeshtë ishte arkivoli i tij e, sidomos, gjithë jeta e tij!

03 nëntor 2023, 12:51