Françesku: Shenjtoret janë vende lutjeje, faljeje dhe ngushëllimi
R. SH. - Vatikan
Shkojmë në Shenjtërore për t'u lutur, për të fituar besimin në të ardhmen dhe mbi të gjitha, për t'u ngushëlluar nga ngarkesat, dhimbjet, shqetësimet që shpesh rëndojnë mbi trupin dhe shpirtin tonë. Prandaj këto vende të shenjta duhet të jenë gjithnjë përplot me ngushëllim dhe mëshirë. E kjo, praktikisht, do të thotë edhe t’i zgjedhësh rrëfyesit, në mënyrë që kush paraqitet në rrëfim të mos "gjejë pengesa për të jetuar pajtimin e plotë":
“Sakramenti i Pajtimit është të falësh, gjithmonë. Të falësh… Falni gjithmonë, si fal Ati. Falni!”.
Rekomandime të qarta dhe konkrete nga Papa për rektorët dhe operatorët e Shenjtoreve, të mbledhur nga e enjtja, 9 nëntor, në Vatikan, për Takimin e tyre II Ndërkombëtar. Nismë e dëshiruar, nën kujdesin e Imzot Rino Fisichell-ës dhe e organizuar nga Dikasteri për Ungjillizimin, rast ky për Papën, të lutet edhe një herë, “për ndërmjetësimin e Nënës së Zotit, që në këtë kohë të trazuar, shumë nga vëllezërit dhe motrat tona që vuajnë, të gjejnë përsëri paqen dhe shpresën".
2024, vit kushtuar lutjes në prag të Jubileut
Në përfundim të fjalës së tij, Papa kujtoi se viti i ardhshëm, në përgatitje të Jubileut të 2025-ës, do t’i kushtohet tërësisht lutjes. Njoftoi edhe se së shpejti do të publikohen disa materiale ndihmëse, që “mund të ndihmojnë në rizbulimin e qendërsisë së lutjes” Pas kësaj, edhe një ftesë e fundit:
“T’i përveshim mëngët dhe të përtërijmë çdo ditë gëzimin dhe angazhimin për të qenë burra e gra të lutjes. Lutje nga zemra, jo si papagajtë. Jo. Lutje nga thellësia e zemrës”.