Kërko

Papa, të rinjve: të jeni shpresë për bashkëmoshatarët e prekur nga luftërat

Mesazh i Françeskut për Ditën e 38-të Botërore të Rinisë, që kremtohet në nivelin dioqezan, me temë "Të gëzueshëm në shpresë". Papa citon Peguy-n, Benediktin XVI e, edhe filmin "Jeta është e bukur", duke u kërkuar të rinjve ta ushqejnë fenë përmes zgjedhjeve konkrete të jetës. Duke filluar nga përdorimi i mirë i mediave shoqërore: "Është më e lehtë të postosh lajme të këqija, por publikoni çdo ditë një fjalë shprese". Ftesa për "të mos u infektuar nga indiferenca dhe individualizmi"

R.SH. – Vatikan

         Zemra është ende në DBR-në e Lisbonës, por tashmë, vështrimi është drejtuar kah Seuli, në Korenë e Jugut, ku do të mbahet takimi i ri rinor, në vitin 2027. Në vitet e ndërmjetme, Dita Botërore e Rinisë kremtohet në nivelin dioqezan e pikërisht sot, u bë i njohur mesazhi i Papës Françesku për të sivjetmen, që çdo Kishë do ta festojë më 26 nëntor. Tema është marrë nga nxitja e Shën Palit apostull për bashkësinë e Romës, që po kalonte një periudhë persekutimi të fuqishëm: “Të gëzueshëm në shpresë”. Jo rastësisht, Ati i Shenjtë e krahason atë kohë me periudhën e sotme.

         “Fatkeqësisht, shumë nga bashkëmoshatarët tuaj, që përjetojnë përvoja lufte, dhune, bullizmi dhe forma të ndryshme vështirësish, preken nga dëshpërimi, frika dhe depresioni – u shkruan Papa të rinjve. - Ata ndihen sikur janë mbyllur në një burg të errët, të paaftë për të parë rrezet e diellit. Kjo shihet dramatikisht nga shkalla e lartë e vetëvrasjeve në rininë e disa vendeve”.

Gëzimi, që buron nga takimi me Krishtin

         Për të dalë nga kjo gjendje, Papa përvijon pikërisht udhën e “gëzimit, me atë shpresë”, që rrjedh nga misteri i Pashkëve të Krishtit, nga forca e ringjalljes së Tij. “Nuk është fryt i përpjekjes, i zgjuarsisë apo i artit njerëzor. Është gëzimi, që vjen nga takimi me Krishtin. Gëzimi i krishterë vjen nga vetë Zoti, nga fakti se e dimë që Ai na do”. Në Mesazh, Françesku përmend poetin e dashur për të, Charles Peguy, por edhe Papën Benedikti XVI, që e shpjegonte gëzimin e krishterë, duke u nisur nga siguria se Zoti na do ashtu siç jemi. Vetë të rinjve, Papa Ratzinger u thoshte se janë “shpresa e gëzueshme e Kishës dhe e njerëzimit për udhë”. E kjo shpresë na mban edhe në kohë të vështira. Papa Bergoglio përmend filmin “Jeta është e bukur”, që ka marrë çmim Oscar. Në të, aktori e regjisori italian Roberto Benigni përdor pikërisht “sytë e shpresës” për ta mbrojtur të birin nga tmerret e kampit nazist të përqendrimit, duke ia ruajtur pafajësinë. Është histori e ngjashme me shumë shenjtorë, nënvizon ai, nuk është thjesht e shpikur për film.

Shpresa e krishterë nuk është placebo

         Duke komentuar vagjet e Charles Peguy në poezinë “Portiku i misterit të virtytit të dytë”, Ati i Shenjtë vë në dukje atë që thotë poeti: tri virtytet teologale – feja, shpresa e dashuria -  ecin së bashku, por është e dyta, që hedh hapat ndërmjet motrave më të mëdha, ajo që tërheq gjithçka pas vetes, është “kripa e jetës së përditshme”. Shpresa e krishterë është fryt i Pashkëve, vëren Papa, “nuk është optimizëm i lehtë e as placebo për syleshët: është siguri, e rrënjosur në dashuri dhe fe, se Zoti nuk na lë kurrë të vetëm dhe e mban premtimin e tij”. “Shpresa e krishterë nuk është mohim i dhimbjes dhe i vdekjes, është kremtim i dashurisë së Krishtit të Ringjallur, që është gjithmonë me ne, edhe kur duket larg”.

Lutje e vendime për jetën konkrete

         Por shpresa, vijon Françesku në Mesazhin për Ditën Botërore të Rinisë në nivelin dioqezan, duhet ushqyer. Së pari, me lutjen, e cila na bën të lartohemi deri mbi retë për të parë diellin e jetës, pavarësisht se na kërcënon shiu. “Kur ju rrethon mjegulla e dendur e frikës, e dyshimit dhe e shtypjes dhe nuk e shihni më diellin, nisuni në shtegun e lutjes – u thotë Papa të rinjve. - Pasi nëse askush nuk ju dëgjon më, Zoti ju dëgjon akoma”. Së dyti, Ati i Shenjtë u kërkon të rinjve të kenë kujdes në vendimet, që duhet të marrin përditë. U jep shembullin e mediave sociale, në të cilat “është më e lehtë të postosh lajme të këqija, por ju publikoni çdo ditë një fjalë shprese". Shikojini gjërat me vështrimin e shndritur nga shpresa, nënvizon Françesku, duke kujtuar një anekdotë nga jeta e shën Gjon Palit II. “Thuhet se kur njerëzit shkonin tek Shën Gjon Pali II për ndonjë problem, pyetja e tij e parë ishte: 'Si duket në dritën e fesë?' Ja pra, duhet të "përdorim këtë lloj vështrimi" në jetën e përditshme”. “Sfidat dhe vështirësitë – shkruan Papa në Mesazh - janë dhe do të jenë gjithmonë aty, por nëse pajisemi me shpresën ‘plot fe’, i përballojmë, duke e ditur se ato nuk e kanë fjalën e fundit dhe ne vetë bëhemi një pishtar i vogël shprese për të tjerët”.

Mos u infektoni nga individualizmi dhe indiferenca

Pastaj, këshilla e fundit: “U qëndroni afër sidomos atyre miqve, që mund të duken të buzëqeshur, por që brenda lotojnë, nuk kanë shpresë. Mos u infektoni nga indiferenca dhe individualizmi: qëndroni të hapur, si kanale në të cilat shpresa e Jezusit mund të rrjedhë dhe të përhapet në ambientet ku jetoni”.

14 nëntor 2023, 13:05