Papa: të mos humbasë asgjë nga përjetimi i Ditëve Botërore të Rinisë në Lisbonë
R.SH. -Vatikan
Sot paradite në sallën Pali VI në Vatikan, Papa Françesku priti me përzemërsi anëtarët, rreth 800 persona, të Komitetit dhe të Fondacionit të Ditës Botërore të Rinisë Lisbonë 2023, të cilët në mënyra të ndryshme punuan dhe mbështetën DBR-së që u mbajt verën e kaluar në kryeqytetin e Portugalisë me një pjesëmarrje të mëse një milion të rinjsh nga mbarë bota, e edhe nga Shqipëria. “Po flas spanjisht sepse është më e sigurt, më afër portugalishtes”, u tha Papa të pranishmëve e menjëherë shtoi: “Faleminderit. Faleminderit për atë që bëtë”. Papa foli për Ditën Botërore të Rinisë 2023, ngjarjen që u kremtua në gushtin e kaluar, si një "bërthamë ungjillëzimi të fortë, gëzimi, shprehjeje rinore". Dhe bashkëndau përshtypjen e tij personale dhe disa nga kujtime nga DBR-së:
Nga takimi i Lisbonës mbaj me vete e ruaj një emocion të madh e gjithashtu edhe kujtimin e njerëzve të thjeshtë që dhanë mbështetjen e tyre. E kam akoma Rruzaren e 96-vjeçares - a është ende gjallë?; pastaj më kujtohet ajo vajzë 19-vjeçare, me një sëmundje të rëndë, e cila pati ofruar jetën e saj për Ditën Botërore të Rinisë duke menduar se do të vdiste, por ajo ishte ende gjallë. A është ende gjallë? 19 vjet. Më kujtohen fëmijët e asaj vullnetareje që vdiq në punë, se si erdhën me gëzim dhe u larguan me pikëllim sepse kishin humbur nënën. Kujtoj shumë njerëz të thjeshtë e të përzemërt, kaq shumë persona që dhuruan shumë".
Më pas Papa Françesku tha se nuk mund të flasë gjatë, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore jo të mirë që e ka prekur ditët e fundit dhe se përshëndetjen e tij do t'ia lexojë dikush tjetër.
Një ëndërr e madhe e përbashkët e ndërtuar së bashku
Në tekstin e përgatitur, Papa shpreh gëzimin e këtij takimin e sotëm në Vatikan. “Të përforcuar nga ndihma e shumë njerëzve dhe nga hiri i jashtëzakonshëm i Zotit, nuk na keni zhgënjyer”, tha Ati i Shenjt. Dhe nënvizon aftësinë e demonstruar nga anëtarët e Komitetit dhe Fondacionit të Ditës Botërore të Rinisë Lisbonë 2023 për rritjen e talenteve të secilit, duke i bërë ata të përkojnë e shkrihen me besim "në një ëndërr të madhe të përbashkët".
Na keni lënë një shembull të ndritshëm se si është e mundur të bashkëndash një mision, pa përjashtuar askënd; me të vërtetë, keni arritur t’i vendosni në qendër ata persona që deri atëherë patën jetuar si të parë mënjanuar. (...) Vazhdoni të ëndërroni së bashku, vazhdoni t’i përfshini në valë të njëpasnjëshme shokët e rinj ëndërrimtarë të një shoqërie të përbërë nga të gjithë dhe me respekt për të gjithë. E përsëris dhe jam i lumtur kur shoh që tashmë shumë persona më sjellin jehonën e Ditës Botërore të Rinisë:“të gjithë, të gjithë, të gjithë!”.
Askush të mos mbetet pas
Që "asgjë të mos humbët" nga ajo që është bërë ky është angazhimi të cilin tani jeni të thirrur ta çoni përpara duke punuar në mënyra të ndryshme për ajo Ditë, e Papa iu referua Jezusit i cili, ashtu si mbledhësit e grurit "kthehet për të mbledhur kallinjtë" lënë në fusha, përmbush vullnetin e Atit Hyjnor që është ai i shpëtimit universal. Françesku vazhdon:
Miq të mi, mos lejoni që asgjë të humbasë nga ajo Ditë Botërore e Rinisë që lindi, u rrit, lulëzoi dhe dha fryte në duart tuaja, e magjepsur nga shumëzimi i begatshëm i copëzave të Qiellit bërë njerëz, që rrodhën nga kudo e madje edhe nga ku pritej. .
Përmasat universale të zemrës së Zotit
Në qendër të DBR-së në Lisbonë ishte figura e Shën Marisë Virgjër, e cila, siç thotë Ungjilli, "u ngrit dhe shkoi me nxitim" duke besuar në fuqinë e Zotit. Dhe figura e Marisë Virgjër iu paraqit të rinjve si shembull dhe pikë referimi. Papa i falënderoi edhe njëherë anëtarët e Komitetit dhe të Fondacionit të Ditës Botërore të Rinisë Lisbonë 2023 për ata që bënë që kjo ngjarje të ndodhë e përfundon:
Zoti ju shpërbleftë për të mirat që keni bërë për të rinjtë dhe për mua, për qytetin e Lisbonës dhe për ata nga e gjithë bota që i drejtuan hapat dhe zemrat e tyre drejt Ditës Botërore të Rinisë. Ju lutem, vazhdoni të na tregoni dhe të na shtyni drejt përmasave universale të zemrës së Zotit!