Papa: paqja arrihet me dialog, jo me hakmarrje dhe urrejtje
R.SH. – Vatikan
Toka Shenjte, shkatërruar nga urrejtja dhe krismat e armëve, por edhe shqetësimi për aktet antisemite, në qendër të mendimeve të Papës, i cili priti sot paradite një delegacion të Konferencës së Rabinëve Evropianë, " zëri i rabinëve në Evropë”, siç e quajti Françesku, i cili e dorëzoi fjalimin, pasi nuk ndihej krejtësisht mirë me shëndet. “Preferoj të mos e lexoj fjalimin, por t’jua jap juve që ta merrni me vete”. Vetëm pak orë pas thirrjes së fundit për paqen në Lindjen e Mesme, gjatë lutjes së djeshme të Engjëllit të Tënzot, Papa e thekson edhe një herë në tekst nevojën për paqe.
“Edhe një herë – shkruan Ati i Shenjtë - dhuna dhe lufta kanë shpërthyer në atë Tokë, e cila, edhe pse e bekuar nga Zoti i Gjithëpushtetshëm, duket e përshkuar vazhdimisht nga urrejtja më e ulët dhe nga krismat vdekjeprurëse të armëve. E shqetëson përhapja e demonstratave antisemite, të cilat i dënoj me vendosmëri. Të gjithë besimtarët - kërkon Papa - në një kohë shkatërrimi si kjo, që po përjeton njerëzimi, thirren, në emër të Zotit, ‘për të gjithë dhe para të gjithëve, të krijojnë vëllazërim dhe të hapin rrugë pajtimi’”.
Drejtësi e dialog për paqen
Jo armët, jo terrorizmi, jo lufta, por dhembshuria, drejtësia dhe dialogu janë mjetet e duhura për të arritur paqen, shkruan më tej Papa, duke i nxitur besimtarët të jenë dëshmitarë të dialogut. E përsa i përket dialogut me hebrenjtë, nënvizon: “Dialogu me hebraizmin është me rëndësi të veçantë për ne të krishterët, sepse kemi rrënjë hebraike. Jezusi lindi dhe jetoi si hebre; Ai vetë është garanti i parë i trashëgimisë hebraike në brendësi të krishterimit dhe ne, që i përkasim Krishtit, kemi nevojë për ju, vëllezër të dashur, kemi nevojë për hebraizmin që ta kuptojmë më mirë veten.
Prandaj, është e rëndësishme që dialogu hebraiko-kristian ta mbajë gjallë përmasën teologjike, ndërsa vijon t’u bëjë ballë çështjeve shoqërore, kulturore dhe politike”. Françesku kujton vizitën e Papës shenjt Gjon Pali II në sinagogën e Romës, më 13 prill 1986, kur i quajti hebrenjtë “vëllezër të zgjedhur” e “vëllezër të mëdhenj”. Për këtë arsye, Bergoglio nënvizon se dialogu ndërmjet hebrenjve dhe të krishterëve nuk është thjesht ndërfetar, ai është dialog familjar. Së fundi, Ati i Shenjtë bën thirrje për një impenjim të përbashkët në favor të paqes, duke iu lutur Zotit të historisë dhe të jetës që t’u japë të dyja palëve guximin dhe durimin për të ecur në këtë rrugë.