Kërko

Audienca e përgjithshme  (Vatican Media) Audienca e përgjithshme (Vatican Media)  (ANSA)

Papa: Paqe, ju lutem! Kush prodhon armë fiton nga vdekja e njerëzve

Në fund të audiencës së përgjithshme, Françesku e rimori fjalën pas zyrtarit të Sekretarisë së Shtetit, që lexoi katekizmin dhe përshëndetjet, duke e zëvendësuar Papën që vuan nga inflamacioni i mushkërive, me një thirrje për dramën në Lindjen e Mesme, duke uruar që të vazhdojë armëpushimi në Gaza, të gjithë pengjet lirohen dhe lejohet hyrja e ndihmave”. Ftoi edhe për të mos e harruar Ukrainën "e cila vijon të martirizohet, ende në luftë". Më pas, përshëndetja drejtuar një grupi artistësh cirku

R. SH. - Vatikan

“Paqe, ju lutem, paqe… Lufta është gjithmonë disfatë, të gjithë humbasin. Të gjithë jo, sepse ka edhe një grup që fiton shumë: prodhuesit e armëve. Këta fitojnë mirë, mbi vdekjen e të tjerëve”.

Zëri është i ligshtë, por shqetësimi i Papës për tmerrin që po ndodh në Tokën e Shenjtë dhe në Ukrainë për shkak të luftës, i fortë. Në fund të audiencës së përgjithshme, e cila u mbajt në Sallën Pali VI dhe jo në Sheshin e Shën Pjetrit për shkak të rënies së temperaturës, Françesku mori fjalën pasi katekizmi dhe përshëndetjet në gjuhë të ndryshme ishin lexuar  nga Imzot Filippo Ciampanelli, zyrtar i Sekretarisë së Shtetit. Kjo - shpjegoi vetë Papa në fillim - është pasojë e vështirësisë në të folur për shkak të inflamacionit të mushkërive nga i cili po shërohet dhe për shkak të të cilit dje iu desh të anulonte, me kërkesë të mjekëve, udhëtimin e  planifikuar më 1 deri më 3 dhjetor në Dubai, për Cop28.

Lirimi i pengjeve dhe hyrja e ndihmave

Megjithatë, Papa deshi të fliste dhe vetë, ta shqiptonte vetë lutjen për zgjidhjen e dramës që po përjetohet në Lindjen e Mesme, duke kërkuar zgjatjen e armëpushimit, tashmë në ditën e katërt, lirimin e të gjithë pengjeve izraelite në duart e Hamasit (dje u lirua një grup i pestë prej 12 burrash dhe grash të rrëmbyer më 7 tetor në kibucitë e Nir Oz, Nirim dhe Nir Yitzhak) dhe hyrjen e ndihmave në Rripin e Gazës, ku situata humanitare po keqësohet orë pas ore. Por mbi të gjitha Papa kërkoi lutje:

“Të vazhdojmë të lutemi për situatën e rëndë në Izrael dhe Palestinë. Paqe ju lutem, paqe... Shpresoj se armëpushimi i vazhdueshëm në Gaza do të vazhdojë, në mënyrë që të gjithë pengjet të lirohen dhe të lejohet hyrja e ndihmave të nevojshme humanitare”.

Në kontakt me famullinë e Gazës

Françesku konfirmon se është në kontakt me famullinë latine të Familjes së Shenjtë në Rripin e Gazës, ku është famullitar meshtari argjentinas Atë Gabriel Romanelli, ndërsa zëvendës famullitar, Youssef Asaad. Papa flet me ta në telefon pothuajse çdo ditë:

“Dëgjova nga famullia atje, nuk ka ujë, nuk ka bukë. Njerëzit vuajnë... Njerëzit e thjeshtë, njerëzit e thjeshtë vuajnë, ata që bëjnë luftë nuk vuajnë. Të kërkojmë paqe”.

Thirrjet ndërkombëtare

Thirrja e Papës bashkohet me korin e thirrjeve ndërkombëtare për vazhdimin e armëpushimit, të zgjatur dy ditë në krahasim me marrëveshjet fillestare. E as BE-ja nuk hesht, por ngre zërin përmes Përfaqësuesit të Lartë Josep Borrell, i cili nga Barcelona ku ndodhet për takimin e Bashkimit Mesdhetar kërkoi armëpushimin: "Duhet bërë shumë më tepër për të zbutur situatën e tmerrshme në Gaza dhe për të gjetur një rrugëdalje nga kriza aktuale". Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të G7 bënë të ditur gjithashtu se "përshëndetën" lirimin e disa prej pengjeve të kapur më 7 tetor në Izrael dhe "pauzën e fundit në armiqësitë, që lejuan shtimin e ndihmave humanitare" për Gazën”. Në të njëjtën kohë ata i kërkuan Hamasit "lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjithë të rrëmbyerve të tjerë”.

Një mendim për Ukrainën e vuajtur

Papa përsëriti edhe sot thirrjen, e cila vijon qysh nga fillimi i dhunës në çdo Lutje të Engjëllit e në çdo audiencë të përgjithshme: kërkoi lirimin e burrave, grave, të moshuarve dhe madje edhe fëmijëve të rrëmbyer. Ashtu siç kërkoi të mos largohet vëmendja nga tragjedia që po ndodh prej gati dy vitesh në Ukrainë, ku sulmet e ushtrisë ruse vazhdojnë dhe numri i viktimave vijon të rritet. Rreth 1,780 fëmijë janë vrarë që nga shkurti 2022 - kujton Unicef ​​në një shënim të botuar dje, më 28 nëntor.

Pershendetje artistëve te Cirkut

Para përfundimit të audiencës së përgjithshme, për Papën u organizua një shfaqje cirku nga disa prej artistëve pjesëmarrës në Festivalin e Talenteve të Cirkut Italian, i cili zhvillohet në Romë nga data 30 nëntor deri më 4 dhjetor. Xhonglerët, akrobatët, kontortionistët, të gjithë në skenën e sallës Pali VI: shfaqje për ta vënë buzën në gaz, duke e harruar për një çast dramën historike të njerëzimit. Papa, i argëtuar nga shfaqja, u drejtoi artistëve fjalë vlerësimi e mirënjohjeje:

“Dëshiroj t’i falënderoj për këtë çast gëzimi këta djem dhe vajza të Cirkut. Cirku shpreh një përmasë të shpirtit njerëzor, atë të gëzimit të lirë, gëzimit të thjeshtë, të krijuar me mistikën e lojës. I falënderoj shumë këto vajza dhe djem që na bëjnë të qeshim, por na japin edhe shembullin e stërvitjes shumë të fortë, sepse për të arritur atë që arrijnë, kërkohet një stërvitje shumë të fortë. Ju falënderojmë me një duartrokitje të ngrohtë”.

29 nëntor 2023, 11:47