Papa në varrezat e luftës në Romë në Meshën për të shuemët, jo më vdekje, luftërat janë humbje
R.SH.- Vatikan
Françesku kremton Meshën e 2 nëntorit në Rome War Cemetery, memorialin e luftës, në lagjen romake Testaccio, ku pushojnë ushtarët që i përkasin Commonwealth-it të cilët ranë në Romë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Mos harroni se edhe kur keni korrë fitore, pas jush ka humbje të paguar me çmimit të lartë. Dhe nxiti të mos vrasim njëri-tjetrin, por të kërkojmë paqen.
Sot, duke menduar për të vdekurit, t’i kërkojmë Zotit paqe që njerëzit të mos vrasin më njëri-tjetrin në luftëra. Shumë të vdekur të pafajshëm, shumë ushtarë që e lanë jetën atje dhe kjo sepse luftërat janë gjithmonë një disfatë. Gjithmonë…
Papa Françesku vendosi një buqetë me lule të bardha pranë varreve, më pas, me duar të bashkuara, në lutje, i ulur në një karrige me rrota, përshkoi lëndinën në të cilën gjenden 426 gurët e varreve, në Varrezat e Luftës në Romë, ku pushojnë ushtarët e rënë të Commonuelthit. Në këtë hapësirëtë gjelbër, të krijuar nga arkitekti Louis de Soissons pas Luftës së Dytë Botërore, e vendosur në lagjen e Romës Testaccio, pak e njohur për romakët, por e dukshme nga jashtë, Papa Françesku ka zgjedhur të kremtojë këtë vit Meshën e 2 nëntorit, në përkujtim të besimtarëve të vdekur.
Luftërat, gjithmonë një humbje
Një traditë që është përsëritur disa herë në këto dhjetë vjet papnie me kremtimin e Meshëve dhe lutjet në Varrezat Laurentino, në Varrezat Ushtarake Franceze, në Verano, në Prima Porta, në Varrezat Amerikane të Nettuno. Vende të kujtesës, të historisë, të dhimbjes që, në këto kohë të konflikteve, i kujtojnë njerëzimit pasojat kryesore të luftës: vdekjen. Vdekjen e të gjithëve, të fituesve dhe të humbësve. "Pa ndërgjegje".
“Luftërat janë gjithmonë një humbje. Gjithmonë...”, tha Papa në predikimin e shkurtër të Meshës së sotme, kremtuar për shpirtin e besimtarëve të vdekur, duke ripohuar atë që tashmë ka thënë edhe në lutjet e Engjëllin të Tënzot që nga shpërthimi i dhunës në Lindjen e Mesme.
Shumë të rinj e të moshuar në luftën e botës, edhe më afër nesh në Evropë. Sa vdekje...sa shkatërrim jetësh, pa vetëdije për këtë. Nuk ka fitore totale, jo. Po, njëri fiton tjetrin, por pas saj qëndron humbja e çmimit të paguar.
Jetët shkurtohen
Papa mbërriti në Varrezat e Luftës, në lagjen Testaccio në Romë, pothuajse gjysmë ore më herët. Para Meshës Ati i Shenjtë përshëndeti grupin e besimtarëve që ishin mbledhur prej disa orësh në varreza, pavarësisht shiut të rrëmbyeshëm të mëngjesit, pastaj, nën mauzoleun, shtrëngoi duart e anëtarëve të stafit të Komisionit të Varrezave të Luftës së Commonwealth (Cwgc), komisionit që merret me mirëmbajtjen dhe menaxhimin e varrezave. Menjëherë më pas, si zakonisht, përshkoi varret e të vdekurve të luftës. Papa Françesku shikoi përreth, duke u përpjekur të shihte emrat e shkruar në rrasa mermeri. Emra me kombësi të ndryshme duke përfshirë ushtarë e madje edhe disa aviatorë që vdiqën si robër lufte në Romë. Emra të rrethuar nga stema e subjektit ushtarak të cilit i përkasin, me disa moto dhe mbi të gjitha me data që tregojnë moshën, madje shumë të re, të të ndjerëve.
Shikova moshën e këtyre të rënëve, shumica midis 20 dhe 30. Jetë të shkurtuara... Dhe mendova për prindërit, për nënat që merrnin atë letër: Zonjë, kam nderin t'ju them se keni një bir hero... Po hero por ma hoqën. Kaq shumë lot në këto jetë të shkurtuara.
Rreth 300 të pranishëm nën diell dhe shi
Ndërkohë, nga muret Aureliane, në Romë, që kufizojnë varrezat, hija e një rrezeje të shpejtë dielli shtrihet për pak çaste dhe depërton nëpër retë e zeza. Shiu bie sërish i dendur sapo mbaron predikimi dhe përhap erën e barit të lagur. Dheu bën që karriget e vendosura përpara altarit të fundosen, vendosur nën një tendë të bardhë pikërisht përballë Gurit të Kujtimit, një Kryqi të madh guri pranë rrugës që përshkon varrezat.
Në Meshën e Papës janë të pranishëm rreth 300 njerëz duke përfshirë meshtarë, familje, të moshuar, ushtarë, autoritete dhe kryetarin e Bashkisë së Romës, Roberto Gualtieri. Të pranishmit hapin çadrat dhe veshin pelerina për tu mbrojtur nga shiu. Rrinë në një heshtje që përshkon gjithë kremtimin e Meshës, ndërprerë vetëm nga të qarat e një vajze të vogël dhe nga zhurma e punimeve rrugore aty pranë.
Kujtesa dhe shpresa
Ky kremtim, tha Papa në fillim të reflektimit të tij, "na sjell dy mendime: kujtesën dhe shpresën". “Kujtimi i atyre që na paraprinë, që jetuan, që i dhanë fund jetës”. Kujtimi i "shumë njerëzve që na kanë bërë mirë, kujtimi i familjes, i miqve, kujtimit edhe i atyre që nuk mundën të bënin mirë shumë por u pranuan në mëshirën e Zotit, mëshirën e madhe të Zotit".
Pastaj shpresë, Papa përsëriti: "Ky është një kujtim për të parë përpara, për të parë rrugëtimin tonë, udhën tonë".
Ne ecim drejt një takimi me Zotin. Duhet të kërkojmë hirin e shpresës... Shpresa e përditshme që na çon përpara, na ndihmon në zgjidhjen e problemeve.
Kërkoni paqen nga Zoti
Papa Françesku shikon ngjarjet aktuale, në këtë botë të plagosur nga luftërat. Si në të kaluarën, kujton familjet e atyre që vdesin në fushën e betejës. "Kaq shumë lot në këto jetë të shkurtuara," përsëriti Ati i Shenjtë e më pas i nxit të pranishmit që t’i lutën Zotit paqen dhe të luten për “të vdekurit tanë”, të sotëm dhe të djeshëm, “për të gjithë”.
Zoti i pranoftë të gjithë dhe Zoti na mëshiroftë dhe na dhashtë shpresë, që të shkojmë përpara dhe t'i gjejmë të gjithë bashkë kur të na thërrasë Ai. Ashtu qoftë.
Në përfundim të liturgjisë Eukaristike të shoqëruar me këngë e lutje, me diell e shi, lutja për Pushimin e Përjetshëm të të vdekurve. Pas Meshe, i shoqëruar me duartrokitje dhe thirrje "Rroftë Papa" nga besimtarët që ishin pas kangjeleve, Ati i Shenjë ngadalë u largua, me kokën e kthyer nga varret. Një vështrim i fundit mbi këto copa mermeri që përmbajnë një jetë të tërë. Jetë "të dërrmuara".