Papa në periferinë e Romës: takimi me meshtarët e me të pastrehët
R.SH. – Vatikan
“Sa shumë meshtarë!” Nën një shi të lehtë, pas rreth një ore udhëtim, me një makinë të vogël në mes të trafikut, Papa Françesku shkoi dje pasdite, pak pas orës 16.00, në famullinë romake të Shën Marisë Nënë e Mikpritjes. Në periferi të Romës, ajo mbulon një territor të gjerë me probleme jo të pakta varfërie e mënjanimi, që bën pjesë në prefekturën e 17-të të dioqezës së kryeqytetit italian. Në këtë famulli ndodhet i ashtuquajturi “Fshati i Mikpritjes”, ku gjejnë strehim të varfrit, refugjatët e familjet, që kanë mbetur pa shtëpi. Pikërisht disa nga këto familje, ndër të cilat refugjatë nga Afrika dhe Ukraina, i përshëndeti Ati i Shenjtë në fund.
Ipeshkvi dhe meshtarët “e tij”
Objektivi kryesor i vizitës së Ipeshkvit të Romës ishte takimi me meshtarët “e tij”, në vijim të vizitave në prefektura të ndryshme, që filluan me takimin në famullinë e Shën Marisë së Shëndetit, më 29 shtator. Në atë rast, Papa pati takuar 35 meshtarë. Ndërsa dje, ishin të pranishëm rreth 40, të cilët Françesku i përshëndeti një për një. Foli edhe me një çift, që sapo kanë kremtuar 50-vjetorin e martesës. “Kush ka pasur më shumë durim?” i pyeti me shaka. “Unë!” iu përgjigj gruaja, që i paraqiti djalin e saj më të vogël nga katër fëmijët, edhe ai i martuar e baba i njërit prej 8 nipave e mbesave të çiftit. Më pas, Papa u lut në kapelën e të Shenjtnueshmit Sakrament, piu kafen që i dhanë – “kështu nuk më zë gjumi”, u tha të pranishmëve – dhe shkoi në sallën, ku ishin mbledhur meshtarët, me të cilët pati një orë e gjysmë dialogu me pyetje e përgjigje. Temat e diskutuara kishin të bënin me punën, sakramentet, varfërinë, mikpritjen, asistencën e shtresave më problematike të shoqërisë e me ungjillëzimin.
Anekdota e zonjës së moshuar
Në fund të dialogut privat, një anekdotë: ajo e zonjës 87-vjeçare, takuar nga Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në përfundim të njërës nga audiencat e përgjithshme. “Lutu për mua” i kërkoi Françesku. “Sigurisht që do ta bëj!” iu përgjigj e moshuara. “Lutu në favor e jo kundër meje!” qeshi Ati i Shenjtë me të. E menjëhershme, përgjigjja e gruas: “Unë lutem në favor. Ata brenda luten kundër” e i tregoi me gisht Vatikanin.
Takimi me familjet e ndihmuara nga famullia
Në mes të të qeshurave të përgjithshme, Papa shkoi në “Fshatin e Mikpritjes”, ku u takua me disa familje, ndër të cilat një çift me dy fëmijë, ikur nga lufta në Ukrainë; pastaj, një familje afrikane, vajza e së cilës shtrëngonte fort një fotografi me Papën në Sheshin e Shën Pjetrit, kur ishte më e vogël; e një djalë 20-vjeçar aziatik, në karrige me rrota si Papa, që i mallëngjeu të gjithë, kur i shtrëngoi dorën Françeskut, i cili, pavarësisht se e pa që ia kishin prerë këmbët, nuk i tha asnjë fjalë, por vetëm e vështroi dhe i buzëqeshi. “Faleminderit për mikpritjen!” qenë fjalët e fundit të Papës, para se të largohej, rreth orës 18.20.