Papa në Cop28 të Dubait për një “britmë” të re dhe urgjente për klimën
R.SH. – Vatikan
Do të dëgjohet sërish, në dhjetor, në Dubai, "britma" e Papës Françesku që bota të impenjohet për t'iu përgjigjur krizës klimatike, britma e paraqitur në enciklikën “Laudato si'” dhe e kristalizuar në Nxitjen apostolike “Laudate Deum”. Në qytetin futurist të Emirateve të Bashkuara Arabe, qytet i opulencës dhe i arkitekturës ultra-moderne, një nga eksportuesit kryesorë të energjisë fosile, por, njëkohësisht, edhe një nga investuesit më të rëndësishëm në fushën e energjisë së rinovueshme, do të mbahet COP28, ngjarja më e rëndësishme e vitit e organizuar nga OKB-ja, në të cilën liderët botërorë do të bëjnë një bilanc të progresit dhe të vonesave në atë që Papa - duke e marrë hua nga Shën Françesku - e quan "kujdesi për shtëpinë tonë të përbashkët".
Pjesëmarrja e Papës
"Konferenca e Palëve" do t’i hapë dyert më 30 nëntor e do të vazhdojë deri më 12 dhjetor. Një Papë do të marrë pjesë për herë të parë në këtë edicion të 28-të, ku Françesku do të jetë i pranishëm nga 1 deri më 3 dhjetor, në udhëtimin e tij të dytë në Emiratet e Bashkuara Arabe, pas atij në Abu Dabi, në shkurt 2019, për nënshkrimin e Deklaratës historike kushtuar Vëllazërimit Njerëzor.
Udhëtimi ndërkombëtar, i 45-ti i Papës dhe i gjashti i vitit 2023, u konfirmua sot nga drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni. “Duke pranuar ftesën e Madhërisë së Tij, shehut Mohammed bin Zayed Al Nahyan, president i Emirateve të Bashkuara Arabe, Shenjtëria e Tij Papa Françesku do të udhëtojë, siç është paralajmëruar, në Dubai, nga 1 deri më 3 dhjetor 2023, me rastin e Konferencës së ardhshme të Shteteve Anëtare në Konventën Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP-28)”, pohohet në deklaratë, pa informacione të mëtejshme mbi programin.
Çfarë pritet nga Cop28 i Dubait
Vetë Papa e paralajmëroi praninë e tij në intervistën e fundit në Tg1, duke kujtuar se Cop21 i vitit 2015, që u mbajt në Paris, i dha shtysën hartimit të enciklikës “Laudato si'”. “Pas Parisit - denoncoi Ati i Shenjtë - të gjithë ecën mbrapsht, sepse duhet guxim për të ecur përpara”, në mbrojtjen e ambientit. Në Nxitjen apostolike “Laudate Deum”, publikuar më 4 tetor, Françesku i kushton një kapitull të tërë takimit të ri për klimën: “Çfarë pritet nga Cop28 i Dubait?”, realitet që shihet me interes grabitqar edhe nga “kompanitë e naftës e të gazit, që synojnë projekte të reja për të zgjeruar më tej prodhimin”. “Nëse kemi besim në aftësinë e qenieve njerëzore për t’i kapërcyer interesat e tyre të vogla dhe për të menduar në mënyrë madhështore, - shkruan Papa në ‘Laudate Deum’ - nuk mund të heqim dorë nga ëndrra se COP28 do të çojë në përshpejtimin e tranzicionit të energjisë, me impenjime të frytshme, që mund të kontrollohen vazhdimisht”. “Kjo Konferencë mund të jetë pikë kthese, duke dëshmuar se gjithçka është bërë që nga viti 1992, ka qenë serioze dhe e nevojshme, përndryshe Dubai do të zhgënjejë jashtëzakonisht dhe do të vërë në rrezik gjithçka të mirë, arritur deri tani”.
Vlerësimi i presidentit të COP28
Shqetësimet e Papës janë të njëjta me ato të Sultan Al Jaber, Ministër i Industrisë dhe i Teknologjisë së Avancuar të Emirateve të Bashkuara Arabe, njëkohësisht, president i COP28, të cilin Papa Françesku e priti më 11 tetor, në Selinë e Shenjtë. Në një intervistë me mediat e Vatikanit, Al Jaber shprehu vlerësimin e Emirateve të Bashkuara Arabe për "mbështetjen e vendosur" të Papës "për një aksion pozitiv klimatik, me qëllim promovimin e përparimit njerëzor". Gjithashtu, ai theksoi impenjimin e vendit të tij "që të bëhet gjithçka për t’i bashkuar palët, për të garantuar gjithëpërfshirjen, për të arritur në angazhime dhe hapa të qarta, duke përvijuar veprimtari ambicioze në favor të klimës për njerëzit e mbarë botës”. Qëllimi kryesor i Konferencës së Dubait, sipas tij, është: mbajtja e rritjes së temperaturës brenda 1.5 gradë Celsius dhe ulja e emetimeve të gazrave të dëmshme për atmosferën me 22 gigatonë, brenda vitit 2030.