Papa: mrekullitë lulëzojnë nga dallimet, jo nga uniformiteti
R.SH. - Vatikan
I ngathët, i mprehtë, tronditës - siç është ndonjëherë realiteti. I tillë. poliedri, figurë e përdorur vazhdimisht nga Françesku si model për kujdesin baritor. Duke u takuar, në Sallën e Koncistorit, me rreth dyqind pjesëmarrësit në takimin e kapelanëve dhe përgjegjësve baritorë universitarë, organizuar nga Dikasteri për Kulturën dhe Arsimin, me temën "Drejt një vizioni të shumëanshëm", ipeshkvi i Romës reflekton përsëri mbi karakteristikat e Ungjillit. “Ungjilli – kujton - mishërohet, duke lejuar që koraliteti i tij të tingëllojë në mënyra të ndryshme”.
Dritat dhe hijet
Realiteti është i ndërlikuar e pikërisht kjo karakteristikë - vëren Papa - "është në bazë të bukurisë së tij, sepse e lejon atë ta pasqyrojë dritën me tonalitete dhe shkallë të ndryshme, në vartësi të këndit të çdo fytyre". Prej këndej, nxitja për të vlerësuar dallimet në shërbimin formues: "Të kesh një vizion të shumëanshëm, do të thotë t’i ushtrosh sytë për t’i kuptuar dhe për t’i vlerësuar të gjitha këto nuanca".
“Në shërbimin formues, mirëpritja e njerëzve, dritat dhe hijet e pranishme në ta dhe në situatat, me një shpirt atëror dhe amtar, është mision: lehtëson rritjen e farës që mbolli Zoti brenda secilit në një mënyrë unike, të papërsëritshme”.
Pasuria e dallimeve
Të rinjtë jetojnë një jetë plot me dritë-hije, me dëshirat dhe dashuritë e tyre, ndonjëherë edhe të çrregullta. T’i shoqërosh - sipas Françeskut - do të thotë të kujdesesh për atë që rritet brenda tyre, në heshtje: “Nëse një trupi të ngurtë gjeometrik i hiqen skajet dhe i fshihen hijet” - vijon të shpjegojë - reduktohet në një figurë të sheshtë, pa trashësi dhe pa thellësi. Por, nëse vlerësohet me urti për çka vlen, prej saj mund të krijohet një vepër arti”. Ashtu si Zoti e krijoi botën nga errësira e kaosit, edhe ne mund të mësojmë të nxjerrim më të mirën nga krijesat, duke u nisur nga ajo që është më e brishtë dhe e papërsosur në to:
“Përballë sfidave arsimore që hasni çdo ditë, në kontakt me njerëz, kultura, situata, dëshira dhe mendime krejt të ndryshme e ndonjëherë edhe problematike, mos u çkurajoni; kujdesuni për ta, pa kërkuar rezultate të menjëhershme, por me shpresën e sigurt se kur i shoqëron të rinjtë me afërsi dhe kur lutesh për ta, lulëzojnë mrekullitë. Nuk lulëzojnë nga uniformiteti, jo. Lulëzojnë pikërisht nga dallimet, që janë pasuria e tyre”.
Pa rrezik, nuk ka fryt
Shërbimi në një mjedis universitar - vërejti Papa Françesku - kërkon guxim. Guximin që vetëm Shpirti Shenjt, "i fshehuri i madh në Kishë", përhap për të "ndërtuar ura edhe mbi humnerën më të thellë", si frika, pavendosmëria dhe alibitë paralizuese "të cilat pengojnë veprimin dhe ushqejnë çangazhimin":
“Gjëja më e keqe për një edukator është të mos rrezikojë. Kur nuk ka rrezik, nuk ka fekonditet: kjo është është rregulla. Kur nga angushtia e shpirtit shpërthen një vendim, që krijon diçka të re, duke u rebeluar kundër inercisë së ndërgjegjes tejet llogaritëse, ky është guxim; guxim, të cilit nuk i pëlqejnë xhinglat, as mendore e as emocionale, por arrin deri në pikën e dëshiruar, duke synuar atë që është e nevojshme, duke lënë mënjanë gjithçka që mund ta ligështojë forcën e ndikimit të zgjedhjes fillestare”.
Është guximi i të varfërve në shpirt që - përfundon Papa - "në varfërinë e tyre duan të ëndërrojnë gjëra të mëdha, duke dëshiruar përmasat e Krishtit: lartësinë, gjerësinë dhe thellësinë e dashurisë së Tij".
Modestia e lëmoshës së krishterë
Në fjalimin e tij Papa iu drejtua edhe "të rinjve të shumtë për të cilët e drejta e studimit mbetet ende privilegj i paarritshëm, siç janë më të varfërit dhe refugjatët"; pastaj shprehu mirënjohje për të pranishmit “që kontribuan financiarisht, me modestinë e lëmoshës së krishterë, që edhe ata, të cilët kishin më pak mundësi të mund të merrnin pjesë në këtë konferencë”:
“Ne të gjithë - theksoi – kemi nevojë për të tjerë, duhet t’i këshillojmë të tjerët dhe të kemi diçka të çmuar për t’u dhuruar".