Kërko

Papa në audiencë me meshtarët hispanikë të SHBA-së Papa në audiencë me meshtarët hispanikë të SHBA-së

Papa meshtarëve: zemra e dyer të hapura për të gjithë, mos u bëni punonjës kishtarë

Françesku pret në audiencë në Vatikan rreth njëqind anëtarë të Shoqatës së Meshtarëve Hispanikë në SHBA, ku po përgatitet një Kongres kombëtar Eukaristik, i cili do të ketë për pajtorë të Lumin Carlo Acutis dhe Shën Manuel Gonzáles. Papa i nxit t'i kushtojnë më shumë kohë lutjes, të shmangin karrierizmin, t’u lehtësojnë dhimbjen të vuajturve, të veprojnë kundër padrejtësive, të promovojnë ndërkulturën

R.SH. – Vatikan

         “Kisha është shtëpi me dyer të hapura”: kështu u tha Papa Françesku një grupi meshtarësh hispanikë të SHBA-së, pritur në audiencë sot, më 16 nëntor, në Vatikan. Duke folur edhe jashtë tekstit të përgatitur, Ati i Shenjtë theksoi sërish tundimet në jetën e meshtarit, për të përsëritur thirrjen që çdo prift të jetë në shërbim, me zemër të hapur për popullin e Zotit. Përdori shprehjen e shën Terezës së Krishtit Fëmijë, që e quante Jezusin “libër i gjallë” e, duke i ftuar meshtarët t’i kushtojnë rëndësi lutjes, i pyeti sa herë në ditë qëndrojnë para këtij libri.

         “Duhet ta gjejmë Zotin në heshtjen e adhurimit. Nëse ju pyes tani – nuk po pyes për ta bërë ndokënd të skuqet – por nëse pyes tani sa orë adhurimi bëni çdo javë, do të ishte test jo i keq. Po e them unë pyetjen, por secili të përgjigjet brenda vetes. Jo po do shumë mund, jo ashtu, jo kështu... Nëse nuk luteni, nëse nuk adhuroni, jeta ju vlen pak”.

Gratë nën kryq

Disa nga shenjtorët e “specializuar” në "leximin e këtij libri të gjallë", në heshtje përpara tabernakullit, janë i Lumi Carlo Acutis dhe Shën Manuel Gonzáles, që janë zgjedhur si pajtorë të Kongresit Kombëtar Eukaristik të SHBA-së, i cili do të mbahet vitin e ardhshëm. Papa citoi Shën Manuelin, duke i këshilluar meshtarët të marrin si shembull për apostullimin e tyre bashkëkohor, gratë në këmbët e kryqit.

“Mund të provojmë të njëjtën pafuqi, të njëjtën dëshirë për të vepruar kundër padrejtësisë, që përjetuan ato gra shenjte në ato momente, sa herë që përballemi me problemin e emigrantëve, me zemërngushtësinë e disa autoriteteve civile dhe fetare, me sfidat e ndërkulturës, me ndërlikimet e shpalljes së Lajmit të Mirë e me shumë gjëra të tjera”.

Mos i lini vetëm ata që vuajnë, lehtësojuani sprovën

Ungjilli duhet të mishërohet sot, këtu dhe tani. Sepse Jezusi nuk pushon së vuajturi në vëllezërit dhe motrat e tij. Nxitja e Papës është e qartë:

“Në çdo tabernakull, në çdo kelk, shohim të lartohet kryqi, i cili na pyet: ‘A mund të bëjmë diçka për ta lehtësuar vuajtjen e Krishtit të sotëm? Bëjeni, sa më shpejt të jetë e mundur’, por bëjeni të vetëdijshëm se ‘Mundimet do të jenë shokë të Jezusit të tabernakujve tuaj’ në çdo vëlla dhe motër që vuan, të cilët Zoti u kërkon të mos i lini vetëm. Mos i lini vetëm ata që vuajnë, mos e lini vetëm Zotin e Tabernakullit, binduni se nuk bëni dot asgjë me duar nëse nuk e bëni në gjunjë. E pastaj, shërbimi. Është si ping pongu, një gjë tërheq tjetrën”.

Meshtari nuk është punonjës kishtar

         Papa i ftoi meshtarët të mos e shohin shërbimin e tyre si të ishte punë e rëndomtë. Ata nuk janë punonjës kishtarë me orar fiks. Por duhet shmangur edhe ekzagjerimi. Shpresojmë të mos keni nevojë për ilaçe gjumi, pas lodhjes së tepruar të ditës, u tha Françesku, i cili, siç bën shpesh, nënvizoi sërish se meshtarët nuk duhet të jenë karrieristë, nuk duhet të përpiqen të ngjisin shkallë të larta në Kishë, që ua ndyejnë shpirtin.

         “Vëllezër, mos kini besim vetëm në idetë e mëdha, as vetëm në propozimet baritore të mirëpërcaktuara, më trembin kur vijnë me gjithë ato programe baritore që duhet t'i zbatojnë të tjerët. Mos kërkoni fajtorë. ‘Nuk funksionoi, sepse është faji i atij a i këtij, unë nuk bëra gjë’. Kërkoni vetveten me përvuajtëri baritore. Lëshojeni veten në dorën e Zotit, që ju thirri të dhuroheni e ju kërkon vetëm besnikëri dhe qëndrueshmëri”.

16 nëntor 2023, 13:22