Kërko

Papa Françesku u takua sot paradite, në Vatikan, me besimtarët e kryedioqezës së Ozamizit, në Filipine Papa Françesku u takua sot paradite, në Vatikan, me besimtarët e kryedioqezës së Ozamizit, në Filipine

Papa: me Virgjërën Mari, të përhapim kudo Mbretërinë e Zotit

Një shtegtim në shenjtëroret mariane të Evropës: këtë po përjetojnë besimtarët e kryeipeshkvisë së Ozamizit, në Filipine, për të kremtuar Jubileun e bashkësisë së tyre kishtare. Françesku i nxiti "të bëjnë vepra mëshire" dhe të jenë "administratorë të përgjegjshëm të Krijimit", duke kujtuar se kujdesi për të tjerët dhe kujdesi për gjithësinë e krijuar nga Zoti "janë të lidhura ngushtë"

R.SH. – Vatikan

         Me rastin e 50-vjetorit të Kishës së tyre lokale, Papa Françesku u takua sot paradite, në Vatikan, me besimtarët e kryedioqezës së Ozamizit, në Filipine. Për të kremtuar këtë Jubile, ata po bëjnë një shtegtim në Evropë, në shenjtëroret e ndryshme kushtuar Zojës së Bekuar. Papa e vlerësoi nismën.

“Shtegtimi në shenjtërore është shprehje e qartë e besimit në Zotin. Shtegtarët bartin në zemër fenë, historinë, gëzimet, ankthet, shpresat dhe lutjet e tyre personale”.

Maria e vendos gjithmonë Jezusin përpara saj

Në shenjtërore, vijoi Françesku, ndodh takimi me dashurinë e Zotit Atë dhe me mëshirën e tij. Shpesh, është pikërisht Virgjëra Mari ajo, që na e tregon atë, është kjo Nëna jonë "që na mëson ta pranojmë Zotin në jetë dhe si nënë, di t'i paraqesë nevojat tona përpara Jezusit, siç bëri për bashkëshortët në Kanë". Duke lënë mënjanë tekstin e shkruar, Papa shtoi:

“Më pëlqen ai gjest i Marisë, ai që e përshkruan ashtu siç është: çfarë tha ajo në Kanë? “Bëni çfarë ju thotë’. Maria na e sinjalizon Zotin, gjithmonë na e sinjalizon Zotin. Është gjest nëne, bujar, sepse ajo kurrë nuk ka dashur të vihet në qendër, gjithmonë... pas Jezusit”.

Transformohuni nga takimi me Zotin

Maria, nënvizoi Papa, na tregon se të jemi dishepuj të Krishtit do të thotë "ta dëgjojmë fjalën e tij, ta meditojmë atë në zemër dhe t'ua çojmë të tjerëve". Ashtu siç bëri ajo vetë me Elisabetën.

“Mund të themi se Virgjëra Mari ishte dishepullja e parë misionare. Shpresoj që ky shtegtim ta ndihmojë secilin prej jush të jetë si ajo: dishepuj misionarë të transformuar nga takimi me Zotin dhe të ripërtërirë në zellin për të dëshmuar praninë e tij, dhembshurinë dhe dashurinë e tij”.

Kujdesi për të tjerët dhe kujdesi për krijimin

Papa Françesku shpreson që kremtimi i Jubileut të kryedioqezës së Ozamizit t’i ndihmojë besimtarët të thellohen në fe, për “të kontribuar në përhapjen e Mbretërisë së Zotit, Mbretërisë së drejtësisë, bashkimit dhe paqes".

“Në këtë drejtim, u bëj thirrje famullive dhe bashkësive tuaja të jenë shembullore në kryerjen e veprave të mëshirës dhe t’u qëndrojnë pranë të gjithëve, veçanërisht familjeve, të rinjve, të sëmurëve, të moshuarve dhe të varfërve, me dashurinë e Jezusit. Kjo na kërkon edhe të jemi kujdestarë të përgjegjshëm të Krijimit, me vetëdijen se kujdesi për të tjerët dhe kujdesi për shtëpinë tonë të përbashkët janë të lidhura ngushtë”.

17 nëntor 2023, 11:04