Kërko

Demonstration in Madrid on the International Day for the Elimination of Violence Against Women  (ANSA) Demonstration in Madrid on the International Day for the Elimination of Violence Against Women (ANSA)

Papa, dhuna ndaj grave është një 'bar helmues' që duhet të zhduket 

Papa: dhuna ndaj grave është një farë e keqe, si bar helmues që prek shoqërinë tonë dhe që duhet eliminuar nga rrënjët. Këto rrënjë rriten në tokën e paragjykimeve dhe padrejtësive; atyre duhet t'u kundërvihet një veprim edukativ që vendos në qendër personin me dinjitetin e tij

R.SH. / Vatikan

“Dhuna ndaj grave është një farë e keqe, si bar helmues që prek shoqërinë tonë dhe që duhet eliminuar nga rrënjët. Këto rrënjë rriten në tokën e paragjykimeve dhe padrejtësive; atyre duhet t'u kundërvihet një veprim edukativ që vendos në qendër personin me dinjitetin e tij”. Kështu shkruan Papa Françesku në faqen @ Pontifex, sot më 25 nëntor 2023 në  Ditën Ndërkombëtare kundër Dhunës ndaj grave që kremtohet në mbarë botën.

Gratë keqtrajtohen nga burracakët

Dita për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, që kremtohet sot (25 nëntor), për Atin e Shenjtë është rast për t'iu kthyer këtij aspekti kaq të rëndësishëm. Mesazhi i Papës për 25 nëntorin e vitit 2020 ishte një mesazh për mbrojtjen e dinjitetit të gruas, për të cilën theksonte:

Rilindja e njerëzimit filloi me gratë. Gratë janë burimi i jetës. Megjithatë, ato vazhdimisht fyhen, rrahen, përdhunohen, detyrohen të kthehen në prostitua dhe ta mbysin jetën, që mbajnë në bark. Çdo dhunë e ushtruar ndaj grave është përdhosje e Zotit, lindur nga një grua. Nga trupi i një gruaje erdhi shpëtimi për njerëzimin: nga mënyra si e trajtojmë trupin e gruas, shihet niveli ynë i humanizmit”.

Më 25 nëntorin e vitit 2021, nga faqja e tij në Twitter, @pontifex, Papa Françesku përshkroi qartë format e ndryshme të keqtrajtimit, nga të cilat vuajnë shumë gra. I quajti “poshtërsi dhe degradim për burrat e për mbarë njerëzimin", duke i ftuar të gjithë të mos e kthejnë kokën nga ana tjetër. Papa Françesku i drejtohej shoqërisë në tërësi dhe i bënte thirrje të mos dorëzohet para indiferencës, por të ndërmarrë veprime konkrete kundër një fenomeni, i cili, ndër palët e shumta të tij, fsheh dhunën dhe detyrimin.

Të promovohen nënat dhe të mbrohen gratë

"Të punojmë të gjithë për të promovuar nënat dhe për të mbrojtur gratë": kjo ishte thirrja e 1 janarit të këtij viti, në të cilin duke u nisur nga fakti se vetë Kisha është nënë, Papa e ngre lart gruan si lindëse të jetës, veçori femërore, që i shërben Françeskut për të kërkuar shmangien nga "devijimet e pragmatizmit aseptik dhe abstragizmit".

Gjithnjë një më 2021, në emisionin televiziv "Françesku dhe të padukshmit. Papa takon të përvuajturit", Ati i Shenjtë Bergoglio e quante vrasjen e grave (feminicidin) problem “gati satanik, sepse kush kryen veprime të tilla përfiton nga brishtësia e dikujt që nuk mund të mbrohet, mund vetëm t’i presë goditjet. Është poshtëruese, tejet poshtëruese”, denonconte ai.

Format e ndryshme të abuzimit me gratë

Martesat e detyruara, skllavërimi në shtëpi e në punë, janë vetëm disa nga format përmes të cilave abuzohet kundër grave, prandaj, Papa kërkon pa pushim – siç bëri edhe në videomesazh tjetër të viteve të fundit me rastin e Ditës së lutjes dhe të solidaritetit me viktimat e trafikimit njerëzor – maksimumin e indinjatës, sepse "është plagë, që prek secilin prej nesh". Të eliminosh një grua do të thotë t’ia heqësh botës bukurinë, sepse, siç tha Ati i Shenjtë më 8 marsin e kaluar, “gruaja është ajo, që e bën botën të bukur”.

Pse 25 nëntori?

Pse Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhjunës kundër grave kremtohet më 25 nëntor? Pikërisht më 25 nëntor 1960, në Republikën Domenikane, tri aktiviste politike, motrat Mirabal (Patria, Minerva dhe Maria Teresa) u vranë me urdhër të diktatorit Rafael Leónidas Trujillo. Atë ditë, ndërsa shkonin për t’u bërë një vizitë burrave të tyre në burg,  motrat Mirabal u bllokuan në rrugë nga agjentët e Shërbimit Informativ Ushtarak. I çuan në një vend të fshehtë dhe i përdhunuan, i torturuan, i masakruan me shkopinj dhe i mbytën. Pastaj, i hodhën me makinën e tyre në greminë, për të simuluar një aksident.

Në vitin 1981, në takimin e parë feminist të Amerikës Latine dhe Karaibeve, mbajtur në Bogota të Kolumbisë, u vendos të kremtohej 25 nëntori si Dita Ndërkombëtare kundër Dhunës ndaj Grave, në kujtim të motrave Mirabal.

Në vitin 1991, Qendra për Lidershipin Global të Grave (CWGL) nisi fushatën e 16 ditëve kundër dhunës me bazë gjinore, duke zhvilluar veprimtari për këtë qëllim nga 25 nëntori deri më 10 dhjetor, Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut. Kjo traditë vijon edhe sot, duke i mbushur sheshet e botës me këpucë të kuqe, në shenjë solidariteti me gratë viktima të dhunës, por edhe duke realizuar veprimtari të tjera sensibilizimi.

Në vitin 1993, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi Deklaratën për eliminimin e dhunës kundër grave, duke zyrtarizuar datën e zgjedhur nga aktivistet e Amerikës Latine.

25 nëntor 2023, 12:34