Papa ipeshkvijve francezë: shikoni Mesdheun, për të mbrojtur dinjitetin njerëzor
R. SH. - Vatikan
Të shikojmë nga Mesdheu, për të marrë prej tij "mësimet befasuese dhe shumë shpesh sfilitëse, që na jep". Ky është një nga fragmentet e mesazhit të Papës, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit, Kardinali Pietro Parolin, drejtuar Imzot Éric de Moulins-Beaufort, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Franceze, me rastin e Asamblesë së Përgjithshme të CEF-it. Në mesazhin e lexuar dje, e premte, 3 nëntor, nënvizohet se Françesku i siguron të gjithë prelatët "për bashkimin me ta, për lutjen dhe mbështetjen e tij vëllazërore në kërkimin e një shërbimi gjithnjë e më misionar ndaj Popullit të shenjtë të Zotit", duke uruar që Shpirti Shenjt të jetë "protagonist" i veprës së tyre "me frymë sinodale, në harmoni me Kishën universale" pasi "vetëm Ai është i aftë të krijojë harmoni duke respektuar larminë e zërave". Papa fton "për ta predikuar me gëzim Lajmin e Mirë të Shpëtimit për të gjithë, në udhëkryqin e periferive ekzistenciale të Francës, me sytë të ngulur gjithnjë tek Krishti”.
Synimi është mbrojtja e dinjitetit njerëzor
Françesku, duke kujtuar vizitën e tij në Marsejë, më 22 dhe 23 shtator, tregon se si ai, me atë rast, "qe në gjendje të shijojë dinamizmin e Kishës në Francë". Prej këndej u bën thirrje ipeshkvijve "të shikojnë drejt Mesdheut dhe të pranojnë prej tij mësimet befasuese e shumë shpesh, edhe zemërthyese", në mënyrë që, me "urdhërimin e dashurisë vëllazërore si busull dhe mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, aq shpesh të kërcënuar, si objektiv", të mund të ndihmojmë shoqërinë", të promovojmë dhe të mbrojmë jetën njerëzore përmes ligjeve të drejta dhe të praktikojmë vëllazërinë, tharm i paqes për botën tonë”.
Kisha profetike shikon nga e ardhmja
Në mesazhin, në të cilin kujtohet edhe krijimi kohëve të fundit i dy kardinajve (në Koncistorin e 30 shtatorit të kaluar: Christophe Pierre, nunc apostolik në Shtetet e Bashkuara dhe François Bustillo, ipeshkëv i Ajaccio, në Korsikë, red.) si dhe botimi i nxitjes apostolike të Papës kushtuar Shën Terezën së Krishti Fëmijë dhe Fytyrës së Shenjtë, Françesku i fton Ipeshkvijtë francezë të "besojë gjithmonë te Zoti" dhe të “mos çkurajohen nga sfidat" e edhe duke rrezikuar, "të mbetesh kishë profetike, që shikon gjithnjë nga e ardhmja”. Si përfundim, nxitja për të “ringjallë” në zemrat, dhe në ato të klerit, “shpesh të vënë në provë në këto kohë të vështira, zjarrin e misionit dhe dritën e Shpresës”, që të mund t’ia rikthejmë “bashkëkohësve hovin e besimit, të optimizmit dhe të dashurisë së krishterë”.