Papa Françesku pagëzon një foshnje ukrainase, në Shën Martë
R. SH. - Vatikan
Një çast i jashtëzakonshëm gëzimi, në një kohë vërtet të vështirë. Kështu e jetuan prindërit e rinj ukrainas të Zakhariy - Zakarisë, foshnjës tre muajshe, pagëzuar pasditen e së hënës, 6 nëntor, nga Papa Françesku, në kapelën e Shën Martës.
Babai quhet Vitaly, 37 vjeç; nëna, Vita, 35: vogëlushi është i fundmi nga dhjetë fëmijët, shtatë djem e tri vajza. Jetojnë në Kamianets-Podilskyi, në Ukrainën perëndimore, në një rajon relativisht të sigurt nga lufta që nisi Rusia në shkurt të vitit të kaluar. I përkasin Rrugës Neokatekumenale dhe vitet e fundit e jetuan fenë në mes të shumë vështirësive familjare, rënduar më tej pas pushtimit rus.
“Pranojmë gjithçka na fal Zoti, sepse Zoti kujdeset gjithmonë për familjen tonë” - kujton ëmbëlsisht nëna e vogëlushit - “Ka luftë në vend dhe është shumë e vështirë - pohon. Të gjithë luten që kjo luftë të përfundojë së shpejti, që të burgosurit të kthehen në shtëpi dhe që të mos ketë më vrasje”.
“Pagëzimi i djeshëm ishte një dhuratë e madhe për familjen tonë”, shton akoma gruaja: “As që mund të ëndërroja se do të ishim me Atin e Shenjtë dhe se ai do të pagëzonte djalin tonë. Por Zoti po shkruan një histori kaq të mrekullueshme me ne, sa ende nuk e kuptojmë plotësisht".
I pranishëm në rit, edhe Imzot Leon Dubrawski, ipeshkëv i Kamianets-Podilskyi i latinëve, i cili kujtoi se dashuria e Zotit transmetohet brez pas brezi përmes familjes. Pikërisht prelati e shoqëroi çiftin e ri në Vatikan.
Edhe me këtë gjest prekës, Françesku vazhdon t'i kujtojë botës dramën e "popullit të torturuar ukrainas": Pagëzimi i Zakhariy të vogël është shpresë e re për këtë familje të re dhe të madhe, që nuk mund ta harrojë luftën, por gjithsesi vazhdon të ketë besim në një të ardhme me paqe, për fëmijët e saj e të mbarë botës!