Papa: edukojini fëmijët me liri, jo me programe në kundërshtim me vlerat e tyre
R. SH. - Vatikan
“Të bëhesh prind është një nga gëzimet më të mëdha të jetës”, që ngjall “energji të re e entuziazëm të ri”. Këtë nënvizoi Papa Françesku në fjalimin e tij para pjesëmarrësve në Asamblenë e Përgjithshme të Shoqatës Evropiane të Prindërve (EPA), duke shtuar se edukimi i një fëmije “është punë e vërtetë sociale, sepse do të thotë ta edukosh me një mori vlerash: nga marrëdhëniet, tek respekti për të tjerët, bashkëpunimi me synim objektive të përbashkëta, stërvitja në përgjegjësi, në ndjenjën e detyrës, në vlerën e sakrificës për të mirën e përbashkët”. Nëse fëmijët në vend të këtij edukimi "rriten si ishuj", nuk mund të jenë të aftë për "një vizion të përbashkët". E kjo, sepse "mësohen t'i konsiderojnë dëshirat e tyre si vlera absolute". Janë fëmijë “kapriçiozë”. Prej tyre shoqëria “dekonstruktohet, varfërohet dhe bëhet gjithnjë e më e ligësht e çnjerëzore”:
“Për këtë arsye është e nevojshme të mbrohet e drejta e prindërve për t’i rritur dhe për t’i edukuar lirisht fëmijët e tyre, pa u detyruar në asnjë fushë, veçanërisht në sektorin shkollor, të pranojnë programe edukative që janë në kundërshtim me fenë dhe me vlerat e tyre. Dhe kjo është sfidë shumë e madhe tani. Tejet e madhe”.
Gëzimi për t'u bërë prindër të ngarkon edhe me "detyrat edukative, për të cilat njeriu shpesh ndjehet i papërgatitur":
“Për shembull: të kujdeseni për fëmijët tuaj me dashuri dhe në të njëjtën kohë t'i inkurajoni të fitojnë pjekurinë dhe të bëhen të pavarur; t’i ndihmoni të fitojnë zakone të shëndetshme dhe stile të mira jetese, duke respektuar personalitetin dhe dhantitë e tyre, pa i imponuar të ecin në rrugët tona; t’i ndihmoni të përballojnë në mënyrë paqësore karrierën e tyre shkollore. Ose përsëri: t’i formoni pozitivisht për afektivitetin dhe seksualitetin; t'i mbroni nga kërcënimet si ngacmimet, alkooli, duhani, pornografia, videolojërat e dhunshme, bixhozi, droga etj.etj”.
Vlerat transmetohen me dëshmi
Papa shpjegoi më pas se këto detyra edukative janë pjesë e një konteksti kulturor, të paktën në Evropë, "të prekur nga subjektivizmi etik dhe materializmi praktik":
“Flitet gjithnjë për dinjitetin e njeriut, por ndonjëherë nuk respektohet si duhet. Prindërit e kuptojnë shpejt se fëmijët e tyre janë të zhytur në këtë atmosferë kulturore. “Ajri që thithin” nga mediat është shpesh në kontrast me atë që deri disa dekada më parë konsiderohej "normale", por që tani duket se nuk është më ashtu. Për këtë arsye, prindërit duhet t'i edukojnë çdo ditë fëmijët e tyre me vlerat, që nuk shikohen më me syrin e dikurshëm, siç është vlera e martesës dhe e familjes, ose zgjedhja për të mirëpritur fëmijët si dhuratë nga Zoti. E kjo nuk është e lehtë, ngaqë këto realitete transmetohen vetëm me dëshminë e jetës!”.
Të edukosh do të thotë të humanizosh
Përballë këtyre vështirësive që mund të jenë "dekurajuese", prindërit duhet të "mbështesin njëri-tjetrin" dhe të ndezin "pasionin e tyre për arsimin": "Edukimi - tha Papa - është humanizues, po e bën njeriun plotësisht njerëzor". E në vijim u drejtoi të pranishmëve pyetjen tejet të rëndësishme:
“Po kur mund të konsiderohet e suksesshme detyra edukative e prindërve?”, së cilës i dha edhe përgjigjen e saktë:
“Kur fëmijët zbulojnë pozitivitetin themelor të ekzistencës së tyre, të qenies së tyre në botë dhe kur, të fortë në këtë bindje, e përballojnë aventurën e jetës me besim dhe guxim, të bindur se edhe ata kanë një mision për të kryer, një mision në të cilin do të gjejnë realizimin e tyre”.
Të gjithë janë dhuratë për botën
Pra, realizimi i detyrës edukative presupozon një zbulim themelor: atë të “dashurisë së madhe të Zotit për ne”. “Kushdo që zbulon se në rrënjët e qenies së tij është dashuria e pakushtëzuar e Zotit Atë - theksoi Françesku - pranon edhe se jeta është e mirë, se të lindësh është gjë e mirë dhe se të duash është shumë e mirë”:
“Vetë Zoti më bëri dhuratë të mirë, e edhe unë vetë jam dhuratë për të dashurit e mi dhe për botën, dhe këtë mund ta thonë të gjithë. Kjo siguri më ndihmon të mos jetoj i shtyrë vetëm nga një prirje poshtëruese për të ‘shpëtuar’, në shqetësimin e vazhdueshëm për të ruajtur veten, për të mos u ngatërruar shumë me punët e botës, për të mos i ndotur duart. E të gjitha këto janë kurthe…”.
Të flijohesh për të tjerët
Jeta, megjithatë - vërejti Papa – jetohet me gjithë bukurinë e saj "kur flijohesh, kur "e humbet" atë për të tjerët".
“Jeta jetohet me gjithë pasurinë e saj kur dhurohet, kur jep vetveten. Kjo është detyra e madhe edukative e prindërve: të formojnë njerëz të lirë dhe bujarë, që kanë njohur dashurinë e Zotit dhe që japin bujarisht atë që e dinë se e morën si dhuratë. Është paksa – nëse mund ta themi kështu - transmetim i dhurimit të vetvetes, gjë që nuk është aq e lehtë për t'u transmetuar...”.
Së fundi, Papa Françesku kujtoi horizontin e "Paktit Global Arsimor": atë të konsolidimit të "angazhimit të përbashkët me të gjitha institucionet që merren me të rinjtë". Dhe atë të “Paktit Familjar” që synon të vendosë në qendër një realitet themelor: “familjen dhe marrëdhëniet e saj”.
EPA
Shoqata Evropiane e Prindërve (EPA) është federatë e shoqatave të prindërve, që përfaqëson më se 150 milionë anëtarë. EPA u krijua në ndihmë të prindërve për t’u dhënë më shumë forcë dhe për të ndikuar në zhvillimin e politikave e vendimeve arsimore në nivel evropian. Promovon, në fushën e arsimit, pjesëmarrjen aktive të prindërve dhe njohjen e rolit të tyre qendror si përgjegjës kryesor për edukimin e fëmijëve të tyre. Asambleja e përgjithshme e EPA, e cila u hap më 11 nëntor në Romë, merret, ndër të tjera me metodat e ndryshme edukative dhe praktikat e mira kundër bullizmit kibernetik.