Kërko

Universiteti Papnor Gregorian Universiteti Papnor Gregorian 

Papa: edukimi i të rinjve sjell vëllazëri, paqe dhe drejtësi në botë

Përfundoi dje në Universitetin La Salle, në Manila, Simpoziumi IV Global Uniservitate ku, me ftesën e Papës Françesku, u mblodhën ekspertë të fushës së arsimit nga të gjithë kontinentet, për të ndërtuar një botë më të mirë përmes edukimit që nxit drejtësinë dhe paqen.

R. SH. - Vatikan

Uniservitate është program për të promovuar mësimin dhe shërbimin  solidar në institucionet katolike të arsimit të lartë, që bëjnë pjesë në Paktin Global Arsimor të Papës Françesku. Synon t’u ofrojë brezave të rinj edukim integral, duke i përfshirë në një angazhim aktiv për zgjidhjen e problemeve të kohës sonë, në mënyrë që të jenë protagonistë të propozimeve transformuese dhe promovues të paqes dhe të vëllazërisë për ndryshime shoqërore.

Françesku: të formosh, jo vetëm të informosh

Dje, para mbylljes së ditës së dytë dhe të fundit të Simpoziumit, u lexua mesazhi i Papës, në të cilin Françesku nënvizon nevojën “për një ndërgjegjësim më të madh të të rinjve, lidhur me marrëdhëniet ndërmjet "dy gjuhëve": asaj të mendjes e asaj të zemrës. E kështu, edhe ndërmjet dy duarve! Në këtë mënyrë - thekson Papa - edukatorët do të mund t’i formojnë, e jo thjesht t’i informojnë, ata që janë nën përgjegjësinë e tyre, në mënyrë që të gjithë të mund të mësojnë në harmoni me çka ndjejnë, çka bëjnë e çka mendojnë."

Të rinjtë mund të ndërtojnë një botë më të mirë

Është - vëren Françesku - një qëndrim ndaj edukimit, që “kërkon metoda krijuese, ndërdisiplinore dhe transdisiplinore, për t’i ndihmuar të rinjtë të jenë liderë dhe protagonistë në ndërtimin e një ardhmërie më të mirë për të gjithë shoqërinë”. Njëkohësisht Papa vëren se "rëndësia e dimensionit shpirtëror në arsim nuk mund të anashkalohet", përkundrazi, duhet t'i shtyjë të rinjtë t'i "shërbejnë së mirës së përbashkët si dishepuj misionarë, të aftë për t’ua çuar të vërtetën transformuese, bukurinë dhe gëzimin e Ungjillit të gjithë anëtarëve të familjes njerëzore, duke e shpejtuar kështu ardhjen e mbretërisë së Zotit, mbretëri e solidaritetit vëllazëror, e drejtësisë dhe e paqes”.

Vitin e ardhshëm Simpoziumi do të mbahet në Lumsa

Dy edicionet e para të Simpoziumit Global Uniservitate, në 2020 dhe 2021, u mbajtën virtualisht për shkak të kufizimeve të krijuara nga pandemia Covid-19. Vitin e kaluar, edicioni i tretë u zhvillua në prani të pjesëmarrësve, në Universitetin LUMSA të Romës, ku vitin e ardhshëm do të organizohet Simpoziumin V Global i Uniservitate. Në tetor të vitit të kaluar Papa Françesku priti studentët fitues të Çmimit Uniservitate 2022 dhe i inkurajoi të vazhdojnë punën në projekte të kësaj natyre.

 

10 nëntor 2023, 11:01