Kërko

Kryqi, simbol i martirizimit Kryqi, simbol i martirizimit

Papa: e jona është kohë martirësh, Asia Bibi, shembull i dëshmisë së krishterë

Audiencë e Françeskut me pjesëmarrësit në konferencën "Përmasa komunitare e shenjtërisë", organizuar nga Dikasteri vatikanas për Çështjet e Shenjtorëve. Ati i Shenjtë kujton tri përmasat e shenjtërisë, atë "unitare, familjare e atë të martirizimit". Përmend bashkëshortët shenjtorë, si Ulma në Poloni, 21 koptët e vrarë nga Isisi në Libi, por edhe historinë e Asia Bibit, gruas pakistaneze të burgosur për nëntë vite me akuzën e blasfemisë

R.SH. – Vatikan

         Shenjtëria është "familjare", në kuptimin që "është një rrugëtim komunitar për t’u bërë dy nga dy", siç na mësojnë prindërit e Shën Terezinës, ose familja polake Ulma, e vrarë nga nazistët dhe e ngritur në nderimet e altarit si e lume, në shtator, në Poloni. Nga ana tjetër, shenjtëria "bashkon": na bashkon me Zotin dhe me vëllezërit, duke sjellë një "përqafim uniteti dhe paqeje", tejet i nevojshëm për botën e sotme. Mbi të gjitha, shenjtëria është "martirizim", siç dëshmohet nga historia e gjatë e dëshmitarëve të fesë, nga martirët e shekujve të parë e deri tek koptët e vrarë nga Isisi në Libi, në vitin 2015. Ose edhe nga shembulli i Asia Bibit, gruas katolike nga Pakistani, protagoniste e një odiseje gjyqësore, që zgjati nëntë vjet, gjatë të cilave u dënua me vdekje për blasfemi, pastaj u burgos, derisa u shpall e pafajshme.

         Krishterim i jetuar “në martirizim të vazhdueshëm”, pohon Papa.

“Për shumë vite ajo mbeti në burg dhe e bija i çonte Eukaristinë... Për shumë vite, derisa gjykatësit thanë se ishte e pafajshme. Pothuajse nëntë vite dëshmi të krishterë! Ajo është grua, që vazhdon të jetojë e ka shumë e shumë si ajo, që japin dëshminë e tyre të fesë e të dashurisë”.

Papa Françesku priti në audiencë pjesëmarrësit në konferencën treditore "Përmasa komunitare e shenjtërisë", organizuar nga Dikasteri vatikanas për Çështjet e Shenjtorëve në Institutin Patristik Augustinanum në Romë, nga data 13 deri më 15 nëntor. Prefektit, kardinalit Marcello Semeraro, eprorëve, zyrtarëve, postulatorëve dhe bashkëpunëtorëve, Papa u kujtoi tre "aspekte" të shenjtërisë, duke filluar nga "përmasa komunitare", që doli në pah sidomos në Koncilin II të Vatikanit e që Gjon Pali II e quante “thirrja universale për shenjtërim".

Të martuar e jo, të shuguruar e jo, të thirrur për shenjtëri

         Françesku vuri në dukje se në lumnimet e shenjtërimet e reja shtohet numri i njerëzve të çdo lloji, që ngrihen në nderimet e altarit: të martuar e jo, të shuguruar e jo. Pikërisht për faktin se shenjtëria nuk është thjesht, diçka personale, por komunitare, pasi Zoti thërret individin, për të mirën e të gjithëve. Papa përmendi edhe shkrimet e shën Terezës së Krishtit Fëmijë, e cila, duke përdorur një figurë nga Bibla, e quan njerëzimin “kopsht i Jezusit”, dashuria e të cilit i përqafon të gjithë.

         “Është ungjillizimi ‘përmes tërheqjes’(joshjes). Është dëshmia: është njëkohësisht fryt i përvojës më të lartë mistike të dashurisë personale dhe fryt i ‘mistikës së bashkësisë’”.

Përmasa familjare dhe ajo e martirizimit

         Kjo bashkësi, vërejti më tej Papa, merr përmasën e shenjtërisë familjare. Papa dha shembullin e shumë bashkëshortëve shenjtorë, të cilët, pothuajse të gjithë, janë martirizuar. E kjo na çon në përmasën e shenjtërisë së “martirizimit”, me shembuj të shumtë në jetën e Kishës, përgjatë shekujve.

         “Nuk ka periudhë që s’ka pasur martirët e saj, deri në ditët e sotme. E të mos e harrojmë edhe kohën tonë, që ka shumë martirë!”

         Papa përmendi 21 martirët koptë, vrarë nga xhihadistët në bregdetin e Libisë. “Vdisnin, duke thënë ‘Jezus, Jezus, Jezus…’ në breg të detit”.

16 nëntor 2023, 11:17