Kërko

2023.11.06 Gruppo della Piccola Casa della Misericordia di Gela 2023.11.06 Gruppo della Piccola Casa della Misericordia di Gela

Françesku: duke bërë mirë, të zhdukemi përvujtërisht, që të duket Zoti

“Kini, prandaj, gjithmonë, ndaj njerëzve që Zoti jua beson, sjellje të rezervuar dhe të butë e stil fshehjeje, si ata prindër, miq a vëllezër e motra, prania e të cilëve, aty ku ka nevojë, është aq spontane dhe "normale”, sa të kalojë pothuajse pa u vërejtur. Në fund të fundit, Zoti na do në këtë mënyrë: me madhështi të përvuajtur, çast për çast, duke na dhënë gjithçka, pa pritur të marrë asgjë”.

R.SH. / Vatikan

Papa Françesku takohet me Vëllazërinë Apostolike të Mëshirës dhe Shtëpinë e Vogël të Mëshirës së Gelës, të cilat këtë vit festojnë përkatësisht 25 dhe 10 vjetorin dhe u bën thirrje atyre që janë të përfshirë në vepra të ndryshme bamirësie, të kultivojnë dhe të forcojnë gjithnjë e më shumë pëshpirtërinë e Mëshirës dhe të Bukës së vetme, si dhe për të zbuluar çdo ditë butësinë e fytyrës së Atit. Në një stil fshehjeje, kini një shqetësim të shenjtë krijues dhe shumë përvujtëri, u kërkon Papa.

Një mensë e përditshme për të varfërit, punëtori artizanale, ndihmë në prapambetjet shkollore, hapësira dialogu për familjet në vështirësi: me këto nisma, në Gela, Vëllazëria Apostolike e Mëshirës dhe Shtëpia e Vogël e Mëshirës përpiqen "t’i përqafojnë me bamirësi të gjithë njerëzit, e gjithë njeriun, duke ia plotësuar nevojat e shumta”. Papa Françesku e nënvizoi këtë në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik, në Vatikan, duke takuar grupin e madh të shtegtarëve sicilianë, në Romë për të festuar dy përvjetorë: 25 vjetët e Vëllazërisë dhe 10 vjetët e asaj "shtëpie" të lindur nga një ide e tij,  këshilluar në vitin 2013 një prifti të ri nga Piazza Armerina - Don Pasqualino Di Dio - i cili i kishte folur për realitetin shoqëror të dioqezës së tij dhe për vështirësitë e shumë familjeve:

“Ju u ngacmuat dhe u shqetësuat nga nevojat e vëllezërve dhe të motrave, që Zoti i vuri në rrugën tuaj, veçanërisht më të braktisurve e më nevojtarëve. Përballë tyre nuk ‘kaluat tutje’, por u ndalët, duke u bërë të afërt dhe duke u kujdesur për ta me frymë krijuese, me guxim e bujari”.

Kushdo që bën vepra të mira, arrin të njohë Zotin

Papa i ftoi të pranishmit t’i vazhdojnë veprat e ndryshme të nisura, “për ta kultivuar dhe për ta forcuar gjithnjë e më shumë “përshpirtërinë e Mëshirës dhe të Bukës së Vetme”, si dhe për të zbuluar çdo ditë, në shërbim dhe në dhurim të vetvetes, “butësinë e fytyrës së Atit”.

“Bëjeni gjithçka me një dëshirë të vetme, që njerëzit të cilët ju takojnë, ta ta njohin Atë. Përpiquni, duke bërë mirë, të zhdukeni, me përvujtëri, në mënyrë që në çka bëni, të duket vetëm Zoti dhe të gjithë të arrijnë tek Ai”.

Maturi e mirësi

Siç thoshte Shën Faustina Kowalska, e cila së bashku me Shën Gjon Palin II frymëzuan Vëllazërinë dhe Shtëpinë e Mëshirës, ​​"shpirti i përvuajtur ndikon mbi fatin e të gjithë botës" - kujtoi Françesku - duke shtuar se kjo ndodh "ngaqë përvujtëria na afron me Zotin dhe vëllezërit tanë, të aftë për bamirësi delikate, të matur dhe të heshtur, që e bën të fisme dhënien, të lehtë marrjen e të natyrshme ndarjen”:

“Kini, prandaj, gjithmonë, ndaj njerëzve që Zoti jua beson, sjellje të rezervuar dhe të butë e stil fshehjeje, si ata prindër, miq a vëllezër e motra, prania e të cilëve, aty ku ka nevojë, është aq spontane dhe "normale”, sa  të kalojë pothuajse pa u vërejtur. Në fund të fundit, Zoti na do në këtë mënyrë: me madhështi të përvuajtur, çast për çast, duke na dhënë gjithçka, pa pritur të marrë asgjë”.

Shqetësim krijues dhe përvuajtëri

Së fundi, Papa këshilloi dy qëndrime për ata që angazhohen në Gela, në Shtëpinë e Vogël të Mëshirës: "shqetësim shenjt e krijues dhe shumë përvujtëri". Me synimin që “të jemi të gatshëm dhe konkretë, për t'iu përgjigjur nevojave të vëllezërve tanë dhe, njëkohësisht, për t’i çuar të gjithë në një takim personal me fytyrën e mëshirshme të Atit”.

06 nëntor 2023, 13:19