Kërko

 Papa Françeku gjatë intervistës në TG1 Rai Papa Françeku gjatë intervistës në TG1 Rai 

Papa beson "në urtinë njerëzore" për ndalimin e shkallëzimit të luftës

Intervistë e Françeskut me drejtorin e Tg1 Gian Marco Chiocci: konflikti botëror "është mundësi, nuk duhet të mësohemi me luftën, problem janë industritë e armëve". “Do të shkoj në Dubai nga 1 deri më 3 dhjetor” për COP 28. Gjykim pozitiv për Sinodin, më shumë hapësirë për gratë, por pa i urdhëruar. Nuk mendoj se ndihmon shfuqizimi i ligjit të çelibatit”. Këto, problemet më të diskutuara!

R. SH. - Vatikan

Për Papën Françesku, shkallëzimi global i luftës që shpërtheu në Izrael e në Palestinë "është mundësi", por ai shpreson të mos ndodhë, duke besuar në "urtinë njerëzore". E pohoi këtë gjatë intervistës së gjatë me drejtorin e Tg1 Gian Marco Chiocci, transmetuar mbrëmjen e së mërkurës, 1 nëntor, në RaiUno.

Izraeli dhe Gaza

Në lidhje me atë që po ndodh në Lindjen e Mesme, Papa deklaroi: “Çdo luftë është disfatë. Asgjë nuk zgjidhet me luftë. Asgjë. Gjithçka fitohet me paqe, me dialog. Hynë në kibuci, morën pengje. Vranë dikë. Dhe pastaj reagimi. Izraelitët shkojnë dhe i marrin ata pengje, për t'i shpëtuar. Në luftë, një shuplakë provokon tjetrën. Njëra e fortë, tjetra edhe më e fortë, e kështu vazhdojmë. Lufta është disfatë. E ndjej më shumë si humbje. Dy popuj që duhet të jetojnë së bashku. Me zgjidhjen e mençur: dy popuj, dy shtete. Marrëveshja e Oslos: dy shtete shumë të kufizuara dhe Jerusalemi me status të veçantë”.

Duke kujtuar lutjen e javës së kaluar për paqe, Françesku përsëriti se bota po kalon një "orë shumë të errët". Nuk mund të gjindet aftësia për të reflektuar qartë e, në orën më të errët, do të shtoj: edhe një disfatë. Kështu ka qenë që nga lufta e fundit botërore, nga viti 1945 e deri më tani: disfata njëra pas tjetrës, sepse luftërat, kur fillojnë, nuk kanë më të ndalur. Por problemi më serioz janë ende industritë e armëve. Një person që kupton investimet, me të cilin bisedova në një takim, më tha se sot investimet që japin më shumë fitime, janë ato që bëhen në fabrikat e armëve”.

Papa kujtoi se flet çdo ditë në telefon me besimtarët që janë në Gaza. “Ndihmës famullitarit egjiptian, Atë Jusufit, i telefonoj çdo ditë. E ai më thotë “por kjo është e tmerrshme, tani ajo e fundit është se ata bombarduan spitalin, por na respektojnë në famulli, e në famulli kemi 563 njerëz, të gjithë të krishterë e, madje, edhe disa myslimanë. E fëmijët e sëmurë nën kujdesin e murgeshave të Nënë Terezës”. Në këtë famulli të vogël ka 563 banorë. Çdo ditë përpiqem t'i shoqëroj. Tani për tani, falënderojmë Zotin, forcat izraelite po e respektojnë famullinë”.

Varësia nga lufta dhe antisemitizmi

“Më kujtohet – tha më pas Papa - një çast shumë i vështirë në fillim të papnisë, kur shpërtheu lufta në Siri me gjithë forcën. Unë mbajta një akt lutjeje në shesh, ku u lutën të krishterët e myslimanët, që kishin sjellë tapetin për t’u gjunjëzuar. Ky është një çast shumë i vështirë. E gjë e keqe, por pastaj, nuk është mirë ta thuash këtë, mësohesh me gjithçka, fatkeqësisht, mësohesh. Nuk duhet të mësohemi me të”.

Për përshkallëzimin e mundshëm global, Papa saktëson: “Do të ishte fundi i shumë gjërave dhe i shumë jetëve. Mendoj se mençuria njerëzore i ndalon këto gjëra. Po ka mundësi, por... duhet të presim çfarë do të thotë Izraeli, Palestina, Toka Shenjte, Jerusalemi, e edhe Ukraina, sepse është afër. Por ka shumë luftëra të tjera, që nuk na prekin: Kivu, Jemeni, Mianmari me Rohingya, vise martire. Bota është në luftë, e pas luftës është industria e armëve”. Françesku flet gjithashtu për antisemitizmin, i cili “për fat të keq mbetet i fshehur. Mund ta shihni, të rinjtë për shembull, aty-këtu e bëjnë diçka. E vërtetë që në këtë rast është diçka shumë e madhe, por ka gjithmonë diçka antisemitike dhe nuk mjafton të shohësh gjithmonë holokaustin që bënë në Luftën e Dytë Botërore, me 6 milionë të vrarë e të robëruar. Histori që nuk ka kaluar ende. Nuk do jem në gjendje ta shpjegoj, edhe pse nuk kam asnjë shpjegim! Është fakt që e shoh, e nuk më pëlqen”.

Konflikti në Ukrainë

I pyetur për reagimin ukrainas ndaj nismave të paqes të Selisë së Shenjtë, Françesku përgjigjet: “Unë mendoj për popullin ukrainas, pa i gjykuar ata sot. Populli ukrainas është popull martir, ka pasur persekutime shumë të forta në kohën e Stalinit. Ukrainasit janë popull martir. Kam lexuar një libër përkujtimor për këtë dhe për martirizimin e tmerrshëm, ishte e hatashme, Siberia... popull që vuajti shumë dhe tani çdo gjë i nxit ta rijetojnë vuajtjen! I kuptoj edhe pse prita Presidentin Zelensky, i kuptoj, por duhet paqe. Ndaluni! Ndaluni pak dhe kërkoni një marrëveshje paqeje, marrëveshjet janë zgjidhja e vërtetë për këtë. Për të dyja palët".

Papa kujton: “Ditën e dytë të luftës në Ukrainë shkova në ambasadën ruse, ndjeva se duhej të shkoja atje dhe thashë se isha i gatshëm të shkoja edhe te Putini, nëse do të ishte e dobishme. Ambasadori i mirë, që mbaroi shërbimin tani, ishte zyrtar rus. Që nga ai moment pata një bisedë të mirë me ambasadën ruse. Kur i paraqita të burgosurit, shkova atje dhe ata i liruan, liruan edhe disa nga Azovi. Shkurt, ambasada u soll shumë mirë në lirimin e njerëzve që mund të liroheshin. Por dialogu u ndal me kaq. Në atë çast Lavrov më shkroi: ‘Faleminderit nëse doni të vini, por nuk është e nevojshme’. Doja të shkoja në të dyja drejtimet”.

Tragjedia e emigrantëve

“Unë jam bir emigrantësh - tha Papa – por në Argjentinë ne jemi 46 milionë e besoj se vetëm indigjenët janë 6 milionë, jo më shumë. Të tjerët janë të gjithë emigrantë. Është me të vërtetë një vend i përbërë nga migrime: italianë, spanjollë, ukrainas, rusë, e gjithë Lindja e Mesme. E ata, që vijnë nga Lindja e Mesme, për shembull, në Argjentinë i quajmë turq, sepse kanë ardhur me pasaporta turke nga Perandoria e madhe Osmane, si unë, që u mësova të jetoj në një vend migrantësh. Babai punoi në Bankën e Italisë dhe shkoi si mërgimtar, ngeli dhe vdiq atje, ku krijoi edhe familjen. Për mua përvoja e migrimit është një gjë e fortë ekzistenciale, por jo me tragjedinë e tanishme. Ka pasur migrime të këqija në periudhën e pasluftës, por sot është gjithmonë një gjë shumë dramatike. Janë pesë, vendet që vuajnë më shumë nga migrimi: Qiproja, Greqia, Malta, Italia dhe Spanja. Janë ata që marrin më shumë. Pastaj kur këta emigrantë nga Afrika vijnë nga Libia, ne shohim mizorinë e kampeve libiane të përqendrimit. Ka shumë mizori atje, e tmerrshme, unë gjithmonë rekomandoj të lexohet një libër i shkruar nga një prej këtyre migrantëve që priti më shumë se tre vjet për të mbërritur nga Gana, në Spanjë: quhet "Vëllai i Vogël", "Hermanito" në spanjisht. Libër i shkurtër, por që tregon mizoritë e migrimit. Ajo që kemi parë në Kalabri së fundmi, është e tmerrshme. Europa duhet të solidarizohet me ta, këto pesë vende nuk mund t'i marrin të gjithë dhe qeveritë e Evropës duhet të hyjnë në dialog. Ka qytete të vogla bosh me dhjetë, pesëmbëdhjetë të moshuar dhe kanë nevojë për njerëz që të shkojnë e të punojnë atje. Ka një politikë migracioni me hapat e migrimit: marrja e tyre, shoqërimi i tyre, promovimi i tyre dhe aktivizimi i tyre në punë. Lërini të përshtaten. Dhe një politikë e tillë migrimi është e kushtueshme. Por unë mendoj për Suedinë që bëri një punë të mirë në kohën e diktaturave të Amerikës Latine... Një politikë migrimi duhet të jetë konstruktive për të mirën e vendit dhe për të mirën e tyre dhe gjithashtu për të mirën pan-evropiane. Më pëlqeu kur presidentja e Komisionit Evropian shkoi në Lampeduza për të parë: më pëlqen kjo, sepse ajo po përpiqet të merret me këtë problem.

Gratë në Kishë

“Këtu, në Vatikan, punojnë shumë gra, për shembull zëvendësguvernatore e shtetit të Vatikanit është grua, murgeshë, e guvernatori ka rol më të përgjithshëm, por ajo është përgjegjësja. Në Këshillin e Ekonomisë janë gjashtë kardinaj dhe gjashtë laikë, nga këta gjashtë laikë, pesë janë gra. Pastaj tashmë janë edhe sekretare, në vend të monsinjorëve: sekretarja e jetës së përkushtuar është grua; e zhvillimit integral njerëzor, grua; në komisionin për zgjedhjen e ipeshkvijve janë tri gra, sepse gratë kuptojnë gjëra, që ne nuk i kuptojmë, gratë  kanë një instinkt të veçantë për situatën dhe duhet, besoj se duhet, të përfshihen në punën normale të Kishës”. Në lidhje me shugurimin e grave, Françesku shprehet: “Është problem teologjik, jo administrativ. Gratë mund të bëjnë çdo gjë në Kishë, mund të jenë edhe Guvernatore, nuk ka asnjë problem. Por nga pikëpamja teologjike, ministrore, ato janë gjëra të ndryshme: parimi Petrin a Papnor, që është ai i juridiksionit, dhe parimi Marian, që është më i rëndësishmi, sepse Kisha është femër, Kisha është nuse, Kisha nuk është mashkull, është femër. Duhet një teologji për ta kuptuar këtë dhe fuqia e Kishës femërore dhe e grave në Kishë është më e fortë dhe më e rëndësishme se ajo e shërbëtorëve meshkuj. Maria është më e rëndësishme se Pjetri, sepse Kisha është femër. Por nëse duam ta reduktojmë këtë në funksionalizëm pakëz të këndshëm, humbasim”.

Sinodi dhe çelibati a beqaria

Për Françeskun, rezultati i Sinodit mbi sinodalitetin ishte «pozitiv. Ne folëm për gjithçka me liri të plotë - kujton - Dhe kjo është një gjë e bukur. Kështu u bë e mundur të krijohej një dokument përfundimtar, i cili duhet studiuar në  pjesën e dytë për seancën e ardhshme të tetorit, atë të familjes, edhe ky, Sinod në dy faza. Unë besoj se kemi arritur pikërisht në atë ushtrim sinodaliteti, që Shën Pali VI pati dashur në fund të Koncilit, mbasi ai e kishte kuptuar se Kisha Perëndimore kishte humbur përmasën sinodale që ka Kisha Lindore, në vend të kësaj.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje mbi beqarinë, a çelibatin – siç quhet në kishë - e meshtarëve, Papa shpjegoi: "Është ligj pozitiv, nuk është ligj natyror: priftërinjtë në kishat katolike lindore mund të martohen; në vend të kësaj, në kishat perëndimore ekziston një disiplinë që nga shekulli i 12-të besoj, kur filloi çelibati. Por është ligj që mund të hiqet, nuk ka problem. Gjithsesi, nuk mendoj se ndihmon. Sepse problemi është tjetër. Nuk ndihmon. Është e vërtetë që do të hiqte një gjë shumë të keqe, që kanë disa priftërinj: “janë beqarë”. Prifti duhet të jetë baba, duhet të përfshihet në një bashkësi. Ndonjëherë kjo më shqetëson shumë, kur prifti shikon vetëm veten, e i duket vetja shenjt. Nuk më pëlqen kjo, sepse humbet kontaktin. Më kujtohet një herë që gjeta një famullitar 65-vjeçar, më duket, famullitar i tre fshatrave në mal, secili fshat me pesëqind shpirtra. I thashë si e bën këtë? A i njeh njerëzit? Ai buzëqeshi dhe tha: "E di edhe emrin e qenit të të gjithëve". Këta priftërinj janë baballarë të vërtetë të bashkësisë. Po kur prifti është  pak “buzëhollë”, ne humbasim”.

Në lidhje me temën e çifteve homoseksuale, Françesku përgjigjet: “Them se të gjithë, të gjithë, të gjithë, janë njerëz. Kisha i pranon njerëzit, të gjithë dhe nuk të pyet se si je. Pastaj brenda secilit rritet dhe piqet përkatësia e tij e krishterë. Është e vërtetë që sot është pak në modë të flasësh për këtë. Kisha i pranon të gjithë. Një tjetër gjë është kur ka organizata që duan të hyjnë. Parimi është ky: Kisha i pranon të gjithë ata që mund të pagëzohen. Organizatat nuk mund të pagëzohen. Njerëzit, po".

Shpërdorimi në Kishë dhe jashtë saj

Në intervistën me drejtorin e Tg1, Françesku shpjegoi se vazhdon punën e Benediktit XVI. “U bë shumë pastrim. Të gjitha ishin raste abuzimi dhe madje edhe disa nga Kuria u larguan. Papa Ratzinger ishte i guximshëm në këtë. Ai e mori këtë problem në duart e tij dhe bëri shumë hapa përpara; më pas e dorëzoi për ta përfunduar. Kjo vazhdon. Abuzimi, qoftë i ndërgjegjes, abuzim seksual apo ndonjë gjë tjetër, nuk duhet të tolerohet. Është në kundërshtim me Ungjillin. Ungjilli është shërbim, jo abuzim dhe shohim shumë ipeshkvni që kanë bërë një punë të mirë për të studiuar abuzimin seksual, por edhe të tjerë. Ne nuk kemi kulturën e punës kundër abuzimit: për shembull në statistikat që kam marrë nga një ent ndërkombëtar, i cili punon për këtë, 42 deri në 46 për qind e abuzimeve janë në familje apo lagje dhe njerëzit kanë zakon të mbulojnë gjithçka. Kjo është e keqe, tepër e keqe”.

Papa pranon se Kisha ka bërë shumë për të luftuar kundër pedofilisë, "por ka ende shumë për të bërë".

Çasti më i vështirë është Kisha që do të vijë

Kur u pyet se cili ishte çasti më i vështirë i papnisë së tij, Papa u përgjigj: “Ndoshta qe e vështirë dhe e ashpër kur m’u desh të mbaj qëndrim kundër luftës siriane, gjë që e thashë në shesh. Nuk dija çfarë të bëja, ishte shumë e vështirë. Nuk isha mësuar me diçka të tillë dhe kisha frikë se mund të bëja gabime, madje edhe dëm. Qe e vështirë. Pati edhe çaste të lehta e jo aq të lehta. Por Zoti më ka ndihmuar gjithmonë që ta zgjidhja, ose të paktën të kisha durim, ta prisja zgjidhjen.

Për Kishën pas papnisë së tij, shprehet: “Zoti e di, por nuk mungon kurrë trishtimi i së shkuarës. Diçka e pranishme në institucionet, e edhe në Kishë gjithashtu. Janë ata që duan të kthehem, janë ata të “mbrapshtit”. Të cilët nuk pranojnë se Kisha po ecën përpara, se është në rrugën e saj. Për shkak se Kisha është gjithmonë në lëvizje, ajo duhet të rritet. Dhe madje edhe mënyra e rolit si Kishë duhet të rritet me tre parimet shumë të bukura të Vincent de Lérins, atij babai të shekullit të parë. Duhet të rritet nga rrënjët. Nga rrënja, si lëngu në pemë, por gjithmonë ngjitur me rrënjën, një Kishë që shkëputet nga rrënjët shkon prapa dhe e humb këtë lëng të traditës së shëndetshme, që nuk është konservatorizëm, jo. Tradita po rritet. Dhe duhet të ecë përpara. Le të mendojmë, për shembull, për dënimin me vdekje. Sot thuhet se dënimi me vdekje nuk është moral. As rritja në skllavëri. Dikur skllevërit ishin normalë. Sot nuk janë normale. Rritet edhe ndërgjegjja morale. E mbajtja e armëve atomike”.

Kur e pyesin se çfarë e frikëson, Papa përgjigjet: “Frikat e vogla nuk mungojnë. Mund të ndodhë kjo apo ajo... Lufta në Tokën e Shenjtë më tremb. Më trembin këta njerëz e edhe përfundimi i kësaj historie. Ndonëse do të zgjidhet përpara Zotit. Jo se frika largohet. Por ajo mbetet në një mënyrë njerëzore, si të thuash. Është mirë edhe të kesh frikë”.

Duke iu përgjigjur pyetjes se disa e përcaktojnë atë si “një Papë të majtë”, Françesku gjegji: “Nuk më pëlqen kjo e djathta, e majta. Janë kualifikime të pavërteta. Kualifikimet reale janë: a është koherente, a nuk është koherente? Gjërat që propozon përputhen me rrënjët, apo janë gjëra të çuditshme. Mendoni Shën Palin VI: s’lanë gjë pa thënë për të, vetëm sepse  ishte novator. Ndonëse nuk kishte asgjë të majtë apo komuniste. Besoj se këto cilësime janë paksa të lehta. Po, e di, e djathta, e majta.. nuk është e lehtë të kuptosh se çfarë duan të thonë".

“Do të shkoj në Dubai për COP 28”

“Po, do të shkoj në Dubai. Besoj se do të nisem më 1 dhjetor e do të rri deri më 3 dhjetor. Do të qëndroj tri ditë”. Mbaj mend se kur shkova në Strasburg, në Parlamentin Evropian dhe Presidenti Hollandës dërgoi Ministren e Mjedisit Segolène Royal të më priste, ajo më pyeti: “Por a po përgatit diçka për mjedisin? Bëjeni përpara takimit të Parisit”. I thirra këtu disa shkencëtarë, të cilët nxituan, e "Laudato si'", doli para Parisit. E takimi në Paris ishte më i bukuri nga të gjithë. Pas Parisit të gjithë shkuan prapa, sepse duhet guxim për të ecur përpara në këtë drejtim. Pas "Laudato si'" pesë zyrtarë të rëndësishëm në fushën e naftës kërkuan takim. Të gjithë për të justifikuar veten... duhet guxim. Një vend që është ishull në Oqeanin Paqësor po blen tokë në Samoa për të lëvizur, sepse pas njëzet vjetësh nuk do të ekzistojë më, mbasi deti po ngrihet. Por ne nuk e besojmë këtë. Kemi ende kohë për ta ndaluar. E ardhmja jonë është në rrezik. E ardhmja e fëmijëve dhe nipërve tanë. Duhet pak përgjegjësi. Mua më pëlqen të flas për peshkatarët e San Benedetto del Tronto. Djem të mirë që erdhën të më vizitojnë dhe më thonë që nuk e di sa ton plastikë marrin dhe nuk e hedhin në det. Humbin para për të rregulluar dhe për të pastruar pak detin. Kemi qenë keq me mbrojtjen e krijimit”.

Françesku tregoi gjithashtu se ka shkuar për herë të fundit në breg të detit, gjë që "i pëlqente shumë", në vitin 1975. Dhe kujtoi se ishte fejuar me "një vajzë shumë të mirë" përpara se të zbulonte thirrjen e tij fetare. Ka punuar edhe në kinema. Ishte gjë e mirë - pohon - pastaj, kur isha kryeipeshkëv i Buenos Ajres, e gjeta në një famulli me burrin dhe fëmijët e saj”.

Feja dhe shëndeti

Kur u pyet nëse feja i tij ishte lëkundur ndonjëherë, Papa u përgjigj: “Në kuptimin e humbjes, jo. Por në kuptimin e mosdëgjimit dhe ecjes në shtigje të errëta: ku është Zoti? A e ndjen se fshihet, kur je vetëm? Ose a kthehesh e largohesh prej Tij. Dhe pyet: “Ku je o Zot? Pse nuk e rregullon këtë?”. E ndjen Zotin që të thotë brenda vetes: unë nuk kam shkop magjik. Zoti nuk është Mandrake, jo. Është tjetër gjë”.

Ndërsa për shëndetin e tij, Papa thotë: “Kam një problem me gjurin që po përmirësohet. Mund të ecja mirë, por më pas bëra dy operacione në bark: i pari për divertikulin në zorrën e trashë. Ata hoqën një copë dhe më pas ndodhi çfarë ndodh kur të hapin barkun. Së fundi e bëra operacionin. Ata lanë, unë pashë filmin. E vetmja gjë që mungonte ishte sapuni. Ata lanë ngjitjet. Dhe tani jam mirë e mund të ha çdo gjë”.

“Ndërmjet Maradonës dhe Messit, preferoj Pelè-në”

Së fundi, Papa i përgjigjet pyetjes se cili nga lojtarët e mëdhenj argjentinas Maradona dhe Messi i pëlqen më shumë. “Do të them një të tretë. Pelé. Këto janë të tre që kam ndjekur. Maradona është lojtar i madh, lojtar i madh. Por si njeri, dështoi. I gjori, rrëshqiti me grupin e atyre që e lavdëruan dhe nuk e ndihmuan. Erdhi për të më vizituar këtu vitin e parë të papnisë dhe pastaj, i gjori, mbaroi. Është për t’u çuditur: shumë sportistë përfundojnë keq. Edhe boksierët. Messi është shumë korrekt. Është   zotëri. Por për mua nga këta të tre, zotëria i madh është Pelé. Njeri me  zemër. Unë fola me Pelén, e takova një herë në aeroplan kur isha në Buenos Ajres. Biseduam! Humanist tejet i madh. Të tre janë të mrekullueshëm. Secili me specialitetin e vet. Tani për tani Messi është i mirë. Edhe Pelé ishte i mirë”.

03 nëntor 2023, 15:57