Papa bën thirrje për armëpushim në Gaza: po vritet e ardhmja e fëmijëve!
R. SH. - Vatikan
“Ju lutem ndalohuni, në emër të Zotit: pushojeni zjarrin!”. Lutja e Papës Françesku, pas Engjëllit të Tënzot, iu kushtua "situatës së rëndë në Palestinë dhe në Izrael, ku një mori njerëzish e kanë humbur e vijojnë ta humbasin jetën". Papa uron "të ndiqen të gjitha rrugët, që të shmanget me çdo kusht zgjatja e konfliktit, të shpëtohen të plagosurit dhe të arrijnë ndihmat tek popullata e Gazës, ku situata humanitare është tejet e rëndë”.
Forca për të thënë "mjaft", që të mbrohen fëmijët
Papa mendon, mbi të gjitha, për fëmijët, sidomos për ata, ende të shumtë, që vijojnë të mbahen peng nga Hamasi. E shpreson "se do të kthehen në familjet e tyre", ata e edhe gjithë të tjerët që janë viktima të aspekteve të ndryshme tragjike të këtij konflikti dhe të konflikteve të tjera në botë:
“Po, le të mendojmë për fëmijët, të gjithë fëmijët e përfshirë në këtë luftë, ashtu si dhe në Ukrainë e në konflikte të tjera: kështu po vritet e ardhmja e tyre. Të lutemi që të kemi forcë për të thënë ‘mjaft’".
Papa kujton Nepalin dhe refugjatët afganë në Pakistan
Mendimi i Papës shkon edhe në Nepal, ku të premten e kaluar një tërmet në veriperëndim të vendit mbyti mbi pesëdhjetë vetë, duke lënë mijëra të pastrehë. E më pas, edhe "tek refugjatët afganë, që gjetën strehë në Pakistan, por që tani nuk e dinë më ku të shkojnë". Qeveria e Islamabadit ka urdhëruar që 1.7 milionë afganët, që jetojnë ilegalisht në Pakistan, të largohen nga vendi, në mënyrë që të mos arrestohen dhe të vendosen në qendrat e ndërtuara nga qeveria.
Lutja për viktimat e përmbytjeve në Itali
Së fundi, Papa Françesku u lut edhe "për viktimat e stuhive dhe përmbytjeve, në Itali dhe në vende të tjera". Toskana është rajoni më i prekur, me shtatë vdekje për shkak të motit të keq, e me pothuajse katër mijë operacione shpëtimi dhe 16 mijë shërbime të energjisë elektrike të çaktivizuara.